Kompania Contour Global do të shpenzojë vetëm 10 euro për blerjen e tokës së nevojshme për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.
Kjo shumë është paracaktuar në një nga kontratat e nënshkruara në mes të qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global”, e cila është publikuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.
Sipas marrëveshjes për transferimin e lokacionit të impiantit të “Kosovës së Re”, Nenit 3, paragrafi 1, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) do të obligohet që t’i shes ‘Contour Global’ (GenCo) lokacionin e impiantit për vetëm 10 Euro. Çmimi i caktuar prej 10 euro është simbolik, pasi që nga fillimi është paraparë që investitorit me ju siguru toka për ndërtim të termocentralit.
Madje, KEK-u mund të obligohet që të shpronësoj pronat private, nëse ka të tilla në lokacionin e termocentralit të ri.
Sipas po të njëjtit nen të kësaj marrëveshje, KEK-u merr përsipër të eliminoj çfarëdo pengese juridike që mund të ketë prona (lokacioni) para se t’i shitet GenCo-s.
Pjesë nga Marrëveshja e nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global
Për më tepër, KEK-u obligohet që t’i jap të drejtën e shfrytëzimit të disa pronave në mënyrë eksluzive GenCo-s. Këto prona gjinden në afërsi të lokacionit ku do të ndërtohet impianti i Termocentralit “Kosova e Re”. Në mesin e këtyre hapësirave për të cilat GenCo do të ketë të drejta të shfrytëzimi është edhe sistemi i hekurudhës, i cili shfrytëzohet nga Termocentrali B.
Megjithatë, Neni 5 i kësaj marrëveshje parasheh të drejtën e tërheqjes nga obligimi i KEK-ut për të shitur lokacionin apo për t’i jap të drejtat e shfrytëzimit. Por, në rast se KEK-u heq dorë janë paraparë obligime.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik i ka publikuar 8 kontratat komerciale të nënshkruar për termocentralin Kosova e Re. Marrëveshja me kompanisë që do të financojë dhe operojë me termocentrali vendos themelet finalizimit të këtij projekti, mirëpo deri në fillim të ndërtimit janë edhe disa faza për t’u finalizuar. Deri në fund të këtij viti pritet të bëhet përmbyllja financiare, e cila duhet të marrë edhe miratimin e Kuvendit të Kosovës për pjesën e garancionit që pritet të lëshojë qeveria e Kosovës për marrjen e kredisë. Gjatë vitit pritet të zhvillohet edhe një procedurë e tenderimit, që do të udhëhiqet nga kompania amerikane, për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë termocentralin.
Skica e pronës që është pjesë e marrëveshjes