DALLAVERET E VERIORËVE

Me qindra biznese serbe në Veri që nga viti 2005, kur janë regjistruar, nuk i kanë paguar tatim asnjë cent Administratës Tatimore të Kosovës. Ato kanë bërë miliona euro qarkullim vjetor dhe dyshohet se dokumentacionin e institucioneve të Kosovës e shfrytëzuan vetëm sa për të qenë në rregull me doganierët. ATK-ja ua ka tërhequr certifikatat e TVSH-së, por ende nuk ka arritur t’i mbledhë borxhet.

Janë më shumë se 200 biznese të serbëve të Veriut të Kosovës, që nuk i paguan asnjë cent tatim Administratës Tatimore të Kosovës. Me kompanitë që i regjistruan kryesisht në vitin 2005, pronarë nga Leposaviqi e Zubin Potoku bënë miliona euro qarkullim pa e çarë kokën për obligimet tatimore. Për obligime të tilla nuk mërziten as tani, pavarësisht se biznesin nuk e kanë ndalur, pasi që nuk kanë pranuar të instalojnë arkat fiskale.

Dyshohet se dokumentacionin e institucioneve të Kosovës, certifikatën e regjistrimit të biznesit dhe atë të TVSH-së, derisa nuk ua zhvleftësoi ATK-ja, i shfrytëzuan vetëm sa për të qenë në rregull me doganierët, në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Jarinje dhe Bërnjakë.

Drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti thotë se në këtë mënyrë biznesmenët serbë për një kohë të gjatë krijuan evazion fiskal jo nga kontrabanda në rrugë dytësore, por me letra.

“Zakonisht këto janë biznese të regjistruara më herët, me vetëm një njeri dhe s’kanë as zyra. Këto janë burim i evazionit fiskal me letra, pasi kanë pasur qarkullim mbi 50 mijë euro”, pohon Haliti.

Ai thotë se kështu ka vazhduar deri në vitin 2009, kur ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ për pajisje të bizneseve me numra fiskalë. Sipas tij, asnjë nga këta pronarë nuk është dukur në zyrat e ATK-së për t’u pajisur me numra fiskalë, madje as nuk i kanë ndërruar certifikatat e regjistrimit siç kërkohet me këtë udhëzim./GE

Artikulli paraprakThaçi: Islam radikal në Maqedoni? Qesharake!
Artikulli vijuesITALI – TËRMET I SHKALLËS 5,9 BALLË