Dalliu dhe Amerika

Patriotizmi i Hafiz Dalliut dhe politika ndërkombëtare

Ajo që sot është linja zyrtare e Shtetit Shqiptar, miqësia me SHBA dhe përkrahja e tyre e fuqishme për Shqiptarët, rreshtimi përkrah politikës së këtij Shtetit të fuqishëm dhe fuqizimi i këtij shteti është paraparë me kohë nga i mirënjohuri Hafiz Ibrahim Dalliu, gazetar dhe patriot i shquar tiranas në vargjet e tij në poemën satirike “Grenxat e kuqe të Tiranës”. Dikush e ka pyetur Hafiz Dalliun për gjendjen politike ndërkombëtare të asaj kohe të turbullt dhe ai me shumë zgjuarësi i është përgjigjur me këto vargje, duke na treguar kështu se ka qenë një njeri largpamës e vizionar, patriot që e donte shumë atdheun e vet. Gjithashtu ai vëren rolin që duhet të marrë diaspora shqiptare e Shteteve të Bashkuara. Po i riprodhojmë besnikërisht vargjet e Hafiz Dalliut, ashtu sipas gjuhës së kohës kur ai e ka shkruar këtë satirë:

Në qoftë se vjen paqi n’kët dhe’
Vjen vetëm nga Bota e Re,
Veç nga Shtetet e Bashkueme,
Vjen kjo gja e ngushëllueme.
Me ç’farë anë t’pjerrë Amerika,
Anës tjetër i bie pika.
Atëhere bahet pajtimi.
Merr fund gjama e vajtimi.
Fort e fort për ne të mjerët,
Që dinë me na hangër qeret.
N’Amerikë ka shumë Shqiptarë,
Burra t’dishëm e mentarë,
T’cilët punojnë për atdhe,
S’kursejnë gja për vend e fe.
Këta Shqiptarë e kanë detyrë
Amerikës me iu lëvyrë,
Me iu lut me këto dy fjalë:
Amerikë, të qofshin falë,
T’kemi nanë e t’na keshë djalë.
Ti, pra, na shpëto dhe jetën.
Jetën, atë jetë politike,
Shpëtoja Shqipnisë jetike
Kështu tue i thanë me buzë në vaj
Bile, tue i derdhë lotët rrëkajë,
Vetëm m’ty kemi uzdajë,
Veç ke ti e ke Perëndia,
E ka lidhë shpresën njerëzia.
Domosdo, ma fort Shqipnia.
Ti ke njerëz apostola,
Bujarë, trima t’gjallë, sokola,
Që duen me i shërbye njerëzisë,
Me i shkëlqye faqen historisë.
Për hatrit t’Zotit na ngjall,
Se Evropa desh me u tall.
….
….

Nga vargjet e sipërcituara vërejmë se Hafiz Dalliu ka qenë i mirëinformuar me ngjarjet e kohës dhe politikën ndërkombëtare. Duke qenë njeri i thukët ai vëren me shumë të drejtë rolin e dëmshëm të fuqive evropiane të asaj kohe. Ai e ka kuptuar shumë mirë rolin aktiv të SHBA-së në arenën ndërkombëtare dhe veçanërisht kjo do të shihej më pas tek presidenti i saj Uillson, i cili me platformën e tij prej 14 pikash për një botë më të mirë i erdhi në ndihmë në mbarim të Luftë së Parë Botërore Shtetit Shqiptar, i cili po përjetonte ndeshtrashat e atyre kohëve të turbullta.

Artikulli paraprakTemperaturat e ulëta shtojnë oreksin
Artikulli vijuesForcat turke vrasin 13 kurdë afër kufirit sirian