Për shkak të fluksit të qindra emigrantëve, Danimarka ka pezulluar për një afat të pacaktuar trafikun hekurudhor me Gjermaninë.
Lajmin e bën të ditur gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Policia daneze ka mbyllur për arsye sigurie edhe një autostradë në veri të vendit që përshkohej nga emigrantët që përpiqeshin të arrinin Suedinë në këmbë.
Emigrantët ishin arratisur nga një shkollë ku ishin strehuar në pritje të regjistrimit në qytetin Padborg.
Ndërkohë, sipas së përjavshmes gjermane “Die Zelt”, nëse nuk pranojnë të regjistrohen, policia do të ridërgojë në Gjermani refugjatët që kanë hyrë në Danimarkë.
Edicioni online i gazetës saktëson se rreth 100 persona kanë mbërritur gjatë natës në Padborg dhe disa qindra të tjerë kanë arritur lokalitetin Rodby, në ishullin Lolland, përcjell tch.
Të gjithë ata janë strehuar në disa struktura, ndërkohë që në momentin e mbërritjes janë sulmuar me gurë nga një grup ksenofobësh.
Administrata e rajonit jug-perëndimor të Gjermanisë, me kryeqendër Shtutgartin, ka deklaruar ndërkohë se nuk mund të pranojë më askënd, “pasi për herë të parë të gjitha hapësirat në dispozicion janë ezauruar”, ka deklaruar shefi i kancelarisë rajonale, Klaus Peter Murawski.