Dasëm në shtëpinë bardheblu, zv.kapiteni Gent Muça, ceremoni në xhami e fushën e blertë para Skënderbeut

“Të dielën u martove, të hënën në punë shkove”, nuk është një varg që i shkon për shtat Gentian Muçës. Sepse më mirë do të qëndronte vargu: Të dielën u celebrove, të dielën në punë shkove, e prapë në darkë u martove”.
Zv.kapiteni bardheblu i Tiranës, Gentian Muça, i jep fund këtë fundjavë beqarisë. 29-vjeçari, idhulli i tifozëve, fanatiksi i ditëve të para, ka tre ditë që ka hapur zyrtarisht ceremoninë e martesës. Dhe ka zgjedhur Agin, vajzën simpatike e të shkathët, krejt e kundërta në tip me personalitetin që shfaq Genti.
Në fakt, kushdo nga fanatiksat, që shpeshherë e kërkojnë edhe për kapiten të skuadrës do të habiteshin: Genti i qetë?

Dhe jo më larg se ky vit, të gjithë e mbajnë mend Gentin me megafon në dorë, kur pasi kishte shënuar një gol të vlefshëm në derbin me Partizanin, mori megafonin, doli përpara tifozëve, dhe këndoi e bërtiti bashkë me ta.
Në karrierën e tij futbollistike, djaloshi i bukur që nuk ka marrë asnjë karton, bëri një gjest rikthimi drejt tifozerisë.
Kjo e dielë, për të, në karrierën e vet, do të jetë më e veçanta.
Ka vendosur të martohet, por ka vendosur (dhe trajneri i Tiranës Ilir Daja), të luajë edhe kundër Skënderbeut, në një ndeshje, kaq të rëndësishme për Tiranën në këtë momente.
Makinat do të ecin drejt shtëpisë së vajzës, për të nxjerrë nusen nga dera e shtëpisë së vet, të dielën në mëngjes.

Në fundjavë, nuk e ka shmangur xhaminë. Gent Muça, është praktikant i fesë myslimane. Ndaj ka vendosur që ceremoninë ta zhvillojë edhe në xhami, ku për herë të parë vjen një foto e tij me Agin duke u lutur. Ai i veshur me kostumin e dhëndrit, dhe ajo, një nuse e mbuluar me të bardha.
Gent Muça, sa të marrë nusen e ta lërë në shtëpi, do të vrapojë drejt e te ekipi që do të jetë në grumbullim. Dhe më pas surpriza.
E si mund të martohet Genti jashtë fushës së blertë? Pikërisht në shtëpinë e bardhebluve, te “Selman Stermasi” me një spektakël që do ta dëshironte gjithkush, Genti dhe Agi do të kryejnë edhe ceremoninë e martesës, në sy të tifozëve bardheblu, por edhe miqve korçarë që mund te kenë mbushur stadiumin.
Do të ketë fare pak momente për të hequr kostumin e dhëndrit, dhe për të veshur fanellën bardheblu. Nuk është shumë e qartë nëse do kemi një nuse që do të shohë ndeshjen në tribunë, apo do të kemi vetëm një dhëndër në fushë.
Ajo që dihet me siguri, është fakti se…nëse Genti shënon ndonjë gol, valle e haeng do të ketë dhe në fushë.
Po fundja, ç’rëndësi ka…Ndeshja Tirana-Skënderbeu është shumë e rëndësishme. Jo vetëm për dhëndrin, për të gjithë. Një ndeshje, i ka të treja rezultatet brenda. Por nëse Tirana fiton, kjo do të jetë një dhuratë e rëndësishme e gjithë klubit e tifozerisë bardheblu për këtë dasmë.
Sido që të jetë, te Iliria Palace në mbrëmje do të ketë festë. Sepse as humbja, as barazimi (që lojtarëve të ekipit nuk u shkon në mend para dasme) nuk do të prishin festën e djegies së shamisë së beqarit për njeriun e Tiranës, Gentian Muça.

Artikulli paraprakLavrov ka “pritje të veçantë” nga bisedimet me Kerryn për luftën në Siri
Artikulli vijuesPalestinezët e përshëndesin rezolutën e UNESCO-s për el-Aksanë, izraelitët tërbohen dhe pezullojnë marrëdhëniet me organizatën