Davutoglu fillon nga CHP-ja bisedimet për koalicionin qeverisës

Nisën sot bisedimet për krijimin e qeverisë së koalicionit në Turqi, një tablo kjo e imponuar nga rezultatet e zgjedhjeve legjislative të 7 qershorit.
 
Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (Ak Parti), Ahmet Davutoglu, i cili më 9 korrik u ngarkua nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan me detyrën e formimit të qeverisë, u takua sot me kreun e Partisë Popullore Republikane (CHP), Kemal Kiliçdaroglu.
Davutoglu dhe delegacioni i Partisë AK do të takohet nesër me kryetarin e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, ndërsa të mërkurën me bashkëkryetarët e Partisë Demokratike të Popujve (HDP).
Në raundin e parë të bisedimeve, nisur nga partia opozitare kryesore e Kemal Kiliçdaroglu, Kryeministri në detyrë, Ahmet Davutoglu, do të masë pulsin dhe do të vendosë mbi tavolinë parimet e angazhimet.
Kurse raundin e dytë të bisedimeve Davutoglu planifikon ta nisë sipas rezultateve të turit të parë.
Në rast se qeveria e koalicionit nuk formohet brenda 45 ditëve nga data 10 korrik, që shënon edhe emërimin e Kryeministrit Davutoglu për këtë mision, Turqinë e pret një proces i ri zgjedhor.
Bisedimet për krijimin e koalicionit qeverisës në Turqi zhvillohen për herë të parë që nga zgjedhjet parlamentare të vitit 1999.
Artikulli paraprakMijëra besimtarë në I’tikaf në xhaminë Aksa
Artikulli vijues5,9 milionë $ për familjen e zezakut të vrarë nga policia