Të gjithë jemi të vetëdijshëm se sot jetojmë në një epokë konsumi, të çdo gjëje që lezeton, argëton dhe kënaq çdo tekë dhe kuriozitet njerëzor. Mediat e sotme ua përmbushin dhe ua nxisin njerëzve këtë dëshirë në mënyrën më të paskrupullt, duke e kthyer këtë përmbushje në art, në mënyrë që njerëzve të mos u velet shikimi dhe ata të mos humbasin audiencën.
Është e tepërt të thuhet se në trojet shqiptare ka shumë pak TV dhe Media serioze, që nëpër debatet fetare televizive që organizojnë kanë si synim të shpalosin të vërtetën dhe të informojnë njerëzit me diçka të dobishme në këtë drejtim, dhe në veçanti kur bëhet fjalë për Islamin dhe muslimanët. Për fat të keq ato duan vetëm show dhe spektakël, vetëm gallatë dhe rragatë shterpe, ku debutuesit do të tregojnë muskujt e tyre intelektual, psikik dhe gojor, në mënyrë që publiku të gajaset me ta. Kështu që një hoxhë, predikues a ligjërues islam para se të marrë pjesë në të tilla debate televizive duhet të vihet në dijeni se cila do të jetë tema? Kush do të marrë pjesë në të? Dhe çfarë hapësirash i jepen atij në këtë debat? E të tjera pyetje tepër të rëndësishme që duhet të bëhen në një rast të tillë. Veç kësaj ai duhet të shqyrtojë kontekstin kur dhe ku zhvillohet debati, për të bërë mirë llogaritë nëse ka sadopak dobi prej tij apo dëm, dhe sipas rregullit të fesë në këtë drejtim duhet të përcaktohet për mospjesëmarrje nëse dëmi dhe e keqja është më e madhe apo edhe e barabartë me dobinë. Nëse nuk e bën këtë arsyetim dhe shqyrtim të detajuar, atëherë ai ka lënë një obligim fetar dhe e ka futur veten në gjynah, duke u bërë peng i rastësisë. Dëmi në këtë rast që ai do t’i bëjë vetes, muslimanëve dhe Islamit, imazhit publik të tij e më tej, është më i madh sesa dobia.
Feja për ne është e shenjtë dhe tepër e shtrenjtë, e nëse disa gjëra janë të vështira për tu thënë, sepse njerëzit nuk i kuptojnë dhe jetojnë në një shoqëri të zhytur në indiferencë dhe padije të theksuar fetare, atëherë heshtja për to është detyrim, e nëse ndryshimi dhe deformimi i së vërtetës fetare është për ne më e rëndë sesa pesha e botës, atëherë përsëri heshtja është detyrim. Kështu që është jashtë çdo logjike fetare që tema tepër periferike të fesë të regjistrohen dhe shpërndahen publikut të gjerë, me gjithë respektin për çdo ligjërues që i mban ato, për më tepër edhe vetë trajtimi i tyre duhet të jetë tepër i kufizuar për xhematin.
Njerëzit në këto troje kanë nevojë për tema të besimit në Zot, në jetën tjetër, për parimet bazë dhe të nevojshme të përditshmërisë së tyre ku ata jetojnë. Kanë nevojë për të shpalosur më shumë dimensionin social dhe human të fesë, të moralit të drejtësisë, ndershmërisë, mëshirës, përkushtimit ndaj familjes dhe shoqërisë, kanë nevojë për të shëruar plagët dhe sëmundjet nga e cila vuan shoqëria jonë, siç është mungesa e solidaritetit, individualizmi egoist, korrupsioni, mashtrimi, droga, idhujtaria shpirtërore…etj.
Por në anën tjetër një mysliman nuk duhet të pranojë të prezantojë aty ky shenjtërit e fesë së tij i vihen në pazarin e debatit mediatik nga lloj lloj njerëzish, dhe ku mungon serioziteti i audiencës, edhe më keq akoma aty ku vihet në lojë imazhi i predikuesve të tjerë dhe i vetë Islamit. Largimi nga debate të tilla publike televizive dhe braktisja e tyre, që ato të mos zhvillohen është detyrim.
Hoxhë Justinian Topulli