Shefi i agjencisë egjiptiane të forenzikës Hisham Abdel-Hamid përgënjeshtroi raportet e sotme se disa pjesë të trupave, të gjetura pas rrëzimit të avionit EgyptAir me 66 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, tregojnë për shpërthim, raporton Anadolu Agency (AA).
“Çfarë do që është publikuar lidhur me këtë është e pabazë dhe supozim i pastër”, tha Abdel-Hamid në deklaratë për agjencinë egjiptiane të lajmeve MENA.
Më herët një ekspert i paemëruar egjiptian për forenzikë deklaroi për media se pjesët e trupit të njeriut të gjetura pas rrëzimit të avionit tregojnë se në fluturaken ka ndodhur shpërthim i cili ka shkaktuar rrëzimin e tij.
Eksperti i paemëruar që ishte pjesë e ekipit egjiptian të kërkimeve edhe personalisht i kishte kontrolluar mbetjet e trupave në morgun në Kajro.
Ai theksoi se të gjitha 80 pjesët e gjetura të trupave, të cilat janë dorëzuar në Kajro janë të vogla dhe se “nuk ka asnjë pjesë të tërë të trupit, siç janë dora ose koka”.
“Në këtë rast shpjegimi logjik është se avioni u rrëzua si pasojë e shpërthimit”, përfundoi ai. Avioni me 66 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, të enjten më 19 maj, në linjën Paris-Kajro u zhduk mbi pjesën lindore të Mesdheut, pasi hyri në hapësirën ajrore egjiptiane.
Menjëherë pasi u zbulua se avioni u rrëzua në Detin Mesdhe. Ekipet e shpëtimit kanë gjetur disa pjesë të avionit, ulëse, sende personale të udhëtarëve dhe disa trupa. Kërkimet janë përqendruar në trupin e avionit, që besohet të jetë në fundin e detit, ku ndodhet kutia e zezë që do të zbulojë shkaqet e rrëzimit.
Dje, presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi ka urdhëruar përfshirjen e nëndetëseve egjiptiane që mund të kërkojnë deri në 3.000 metra thellësi në det. Të hënën, agjencia franceze për hetimin e aksidenteve ajrore (BEA) ka thënë se piloti i cili po drejtonte avionin ka kërkuar nga kontrolluesit egjiptas të trafikut ajror që ti mundësojnë ulje emergjente disa çaste para aksidentit.
Sipas të dhënave të kompanisë ajrore, në avion ndodheshin 30 egjiptianë, 15 francez, dy irakianë dhe nga një shtetas britanik, belg, portugez, algjerian, çad, kanadez, sudanez, kuvajtian dhe saudit.