Dënimet për masakrën e Srebrenicës: 637 vite burg deri tani

Gjykata shtetërore boshnjake dhe Gjykata e Hagës kanë dënuar 38 persona me një total prej 637 vitesh burg – plus tre dënime me burgim të përjetshëm – për mizoritë e kryera 21 vite më parë kundër boshnjakëve të Srebrenicës.
Gjatë vitit të kaluar shumë njerëz janë dënuar për përfshirje në krimin më të rëndë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore – masakrimin e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë nga forcat serbe të Bosnjës pas rënies së “zonës së mbrojtur” nga OKB-së, Srebrenicës, në korrik 1995.
Vendimi historik ishte ai i shkallës së parë për Radovan Karaxhiq, ish-presidenti serb i Bosnjës. Karaxhiç – aktualisht i vetmi politikan që është shpallur fajtorë për gjenocid – u dënua me 40 vjet burg nga gjykata e krimeve të luftës të OKB-së në Hagë.
Vendimi citoi se në korrik 1995, forcat e armatosura nën kontrollin e Karaxhiçit vranë në mënyrë sistematike “të paktën 5,115 burra myslimanë” nga Srebrenica me qëllim gjenocidal për t’i shkatërruar ata si një grup.
Gjykata shtetërore boshnjake dha dy vendime këtë vit në rastet e Srebrenicës – një vendim të formës së prerë për ish-ushtarin serb të Bosnjës Srecko Boskoviç i cili u dënua me tetë vjet burg për krime kundër civilëve dhe një vendim i dytë i cili liroi Aleksandar Cvetkoviç nga akuzat për gjenocid.
Boskoviç u shpall fajtor për vrasjen e një djali në korrik 1995 në afërsi të Zvornikut. “I pandehuri iu afrua djaloshit dhe i tha: “Je i lirë. Mund të ikësh.” Kur djali vrapoi drejt pyllit, Boskoviç e qëlloi atë,” thuhej në vendim.
Cvetkoviç ndërkohë u lirua nga akuza për gjenocid për pjesëmarrje në vrasjen e më shumë se 900 burrave nga Srebrenica në një fermë ushtarake në Branjevo. Ai u shpall i pafajshëm për shkak të mungesës së provave.
Gjithashtu këtë vit, gjykata boshnjake reduktoi dënimin e Radomir Vukoviç, i cili ishte i dënuar për ndihmën në gjenocid, nga 31 deri në 20 vjet burg. Vendimi u mor pasi Gjykata Kushtetuese Boshnjake zbuloi se në gjyqin e Vukoviçit ishte përdorur kodi i gabuar penal.
Vukoviç është një ish-anëtar i një njësie speciale policore serbe të Bosnjës, i cili u shpall fajtor për pjesëmarrje në vrasjen e më shumë se 1,000 burrave dhe djemve nga Srebrenica në një magazinë në Kravicë.
Që kur ajo filloi punë 11 vjet më parë, gjykata shtetërore boshnjake ka dënuar 24 persona me një total prej 448 vitesh burg për krime që kanë lidhje me Srebrenicën.
Katër persona janë dënuar me një total prej 30 ose më shumë vitesh – Franc Kos, Zoran Goronja, Stanko Kojiç dhe Dusko Jeviç. Jeviç u shpall fajtor për pjesëmarrje në vrasjen e burrave boshnjakë në Kravicë dhe zhvendosjen e dhunshme të grave dhe fëmijëve nga Srebrenica, ndërsa tre të tjerët u dënuan për përfshirje në vrasjen e rreth 900 boshnjakëve në Branjevo.
I vetmi person i dënuar për gjenocid nga gjykata në Sarajevë ishte ish-oficeri i Brigadës së Zvornik të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Milorad Trbiç, të cilit iu dha dënimin maksimal për krimin sipas kodit të vjetër jugosllav penal, 20 vite burg.
Trbiç u shpall fajtor për pjesëmarrje dhe dhënie ndihme në vrasjen e boshnjakëve në vende përreth Srebrenicës – në fermën në Branjevo, qendrën kulturore në Pilica dhe shkollat në Orahovac, Rocevic dhe Petkovci.
“Trbiç personalisht vrau me dhjetëra njerëz për të nxitur frikë dhe për të kontrolluar të burgosurit e tjerë,” citohej në vendimin e gjykatës.
Duke vendosur që Trbiç kishte qëllim gjenocidial, ajo shtoi: “Gjykata është e vetëdijshme se pak njerëz do të pranonin që kishin qëllim të shkatërronin një grup, por bazuar në prova, është e qartë që i pandehuri e kishte këtë qëllim”.
Gjykata e OKB-së në Hagë ka dënuar 14 persona për krime në Srebrenicë.
Vendimi i parë që deklaroi se masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid u dha në vitin 2004 për ish-shefin e shtabit/zv/komandantin e Korpusit Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Radislav Krstiç, i cili u dënua me 35 vite burg.
Tre të pandehur janë dënuar me burgim të përjetshëm – dy ish-oficerë në shtabet kryesore të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Zdravko Tolimir dhe Ljubisa Beara, dhe ish-komandanti i Korpusit Drina, Vujadin Popoviç.
I vetmi person që është liruar nga akuzat për krime në Srebrenicë nga Gjykata e Hagës, është ish-oficeri i Ushtrisë Popullore Jugosllave Momcilo Perisiç.
Ish-shefi i Ushtrisë Serbe të Bosnjës Ratko Mlladiç është ende në gjyq për gjenocid. Çështja e tij tani është në fazat e fundit dhe mbrojtja dhe prokuroria duhet të paraqesin argumentet e tyre përfundimtare në vjeshtë të këtij viti. /kallxo.com/

Artikulli paraprakTerapia e re kundër kancerit vret 3 persona
Artikulli vijuesPër të gjithë ju që e fyeni Hoxhën Shefqet Krasniqi..