Dënimi i Ivanoviçit, shqiptarët e serbët nuk trajtohen njëjtë

Përfaqësuesit ndërkombëtar po bëjnë drejtësi selektive kur bëhet fjalë dwnimet e shqiptarëve dhe serbëve. Kjo po shihet edhe me gjykimin e Oliver Ivanoviçit dhe Sami Lushtakut. Derisa, Ivanoviqi u shpall fajtor më 9 vite heqje lirie, Lushtaku u dënua me 12 vite burg për një person të paidentifikuar.

Të enjten në Gjykatën Themelore në Veri të Mitrovicës, politikani lokal serb, Oliver Ivanoviçi u shpall fajtor më nëntë vite heqje lirie.

Ai u akuzua për krime lufte dhe krime kundër popullatës civile në vitet 1999 – 2000, por Gjykata i shpalli të pafajshëm katër të akuzuarit e tjerë.

Ivanoviç nuk u dërgua në paraburgim por Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtarja rumune, Roxana Comsa, iu vazhdua arresti shtëpia deri sa aktgjykimi ndaj tij të shpallet i plotfuqishëm.

Lidhur me këtë vendim, pati reagime dhe pakënaqësi, nga pala e dëmtuar dhe familjarët. Gjithashtu, edhe njohës të drejtësisë në Kosovë e quajtën të padrejtë këtë vendim.

Avokatët kosovar i ka habitur ky vendim, pasi që siç thonë po bëhet drejtësi selektive, ku kemi edhe dënimin e ish-komandantit të UÇK-së, Sami Lushatku, i cili është dënuar me 12 vite burg, e që akuzohet për vrasjen e një personi i cili nuk dihet se kush është.

Për këtë, avokatët thonë se faktori ndërkombëtar po bënë drejtësi selektive por e kënaqshme për ekspertët e drejtësisë, është që ky është një mesazh i mirë për drejtësinë që kryesit e krimeve janë gjykuar dhe dënuar në shkallë të parë.

Avokati Skender Musa tha se është i befasuar me sjelljen e faktorit ndërkombëtar, ku tha se populli shqiptar nuk është duke u trajtuar njëjtë nga ndërkombëtarët.

Musa thotë se po hasin në drejtësi selektive, si nga ana e drejtësisë ndërkombëtare ashtu edhe nga drejtësia vendore.

Ai thotë se dënimi i Oliver Ivanoviçit ka qenë e papritur për të dhe ata të cilët merren me fushën e drejtësisë, pasi siç tha ai, bëhet fjalë për katër persona të vrarë dhe është dënuar me nëntë vitet burg, e q ë ky dënim ka qenë një dënim shumë i ulët.

“Fatkeqësisht në Kosovë ka vite që edhe drejtësia ndërkombëtare duke mos e përjashtuar edhe drejtësinë vendore shpeshherë na ndodh që ta hasim në drejtësi selektive, përkundër faktit që edhe me ligjet Kosovës edhe me Konventat ndërkombëtare që rregullojnë kushtet e drejtësisë, ligji duhet të veproj si Ego Unes, që do të thotë duhet të veproj njëjtë me të gjithë personat. Dënimi i të akuzuarit Oliver Ivanoviç me 9 vite burg për krime lufte, kur bëhet fjalë për vrasje të 4 personave me 9 vite, me të vërtetë ka qenë një dënim i papritur për të gjithë ne që merremi me fushën e drejtësisë. Ka qenë një dënim shumë i ulët dhe nuk i ka kënaqur në asnjë formë pritjet e familjarëve, pritjet e palëve të dëmtuara” , tha Musa.

Përderisa Lideri i Iniciativës qytetare serbe, Oliver Ivanoviq është dënuar me 9 vite burg, ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, dënohet me 12 vite burg për një person të paidentifikuar.

Për këtë Musa thotë se dënimi ndaj Lushtakut ka qenë më i lartë, edhe përkundër informacioneve të cilat i posedojnë nuk dihet personi i cili është vrarë. Megjithëkëtë, ai ka shtuar se nëse nuk ka një të dënuar për masakrën e Sudinës, Izbinë e të Reçakut por ka të dënuar një ish komandant të UÇK, kjo sipas tij nuk e bënë që të ketë një drejtësi të mirëfilltë.

Por Betim Musliu nga Instituti për Drejtësi në Kosovë, e ka konsideruar lajm të mirë, që gjyqësori ka dënuar dikë për krime të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndaj popullatës së pafajshme civile.

“Pa komentuar vlerësimin, gjykimi dhe lartësinë e dënimit në këtë rast, konsideroj se është lajm i mirë që gjyqësori ka dënuar dikë për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndaj popullatës së pafajshme civile. Si do që të ketë ky dënim me burgim dhe lartësia e tij, ky dënim është një satisfaksion për viktimat e krimit në Kosovë. Kujtoj këtu që ka shumë krime të kryera në Kosovë ndaj popullatës civile të cilat mbesin të pandjekura dhe pagjykuara, prandaj si do që të jetë, ky rast është një mesazh i mirë për drejtësinë që kryesit e krimeve janë gjykuar dhe dënuar në shkallë të parë”, tha Musliu.

Ndërsa sa i përket masës së arrestit shtëpiak për Ivanoviçin, Musliu ka thënë për KosovaPress se kjo masë nuk është adekuate, duke e marrë parasysh se ai është gjendur fajtor nga gjykata e shkallës së parë dhe se lartësia e dënimit është mbi 5 vite. Madje ai thotë se ekziston rreziku i arratisjes së Ivanoviçit në Serbi.

“Sa i përket caktimit të masës së arrestit shtëpiak për z. Ivanoviç, konsideroj se kjo gjykata ka vlerësuar të gjitha arsyet ligjore për vendosjen e kësaj mase dhe pa ndërhyrë në këtë vendimmarrje, vlerësoj se kjo masë nuk është adekuate, duke marrë parasysh si ai është gjendur fajtor nga gjykata e shkallës së parë dhe se lartësia e dënimit është mbi 5 vite. Gjithashtu, konsideroj se mund të ekziston rreziku i arratisjes së Ivanoviçit në Serbi dhe kjo do t’i mundësonte atij shmangien ndaj ekzekutimi i sanksionit penal për vuajtje të dënimit, gjithnjë nëse ky aktgjykim bëhet i plotfuqishëm dhe krejt kjo mbështetet në raportet që ka Kosova me Serbinë”, ka thënë Musliu.

Se dënimi ka qenë jo adekuat e thotë edhe profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu. Salihu për KosovaPress tha se dënimi i dhënë Olibver Ivanoviçit, ka qenë shumë jo adekuat në krahasim me krimet që i ka kryer.

Por ai thotë se edhe përkundër kohës së tejzgjatur, është i kënaqur që Ivanoviç është nxjerr para gjykatës. Salihu madje tha se një ndër problemet në Republikën e Kosovës është edhe çështja e sundimit të ligjit.

Reagime pati edhe nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ku thotë se në bazë të përcjelljes së rregullt të shqyrtimit kryesor dhe qasjes në dokumentacionin zyrtar në këtë lëndë ka gjetur se shqyrtimi kryesor është zhvilluar me një profesionalistet të jashtëzakonshëm nga trupi gjykues. Në komunikatën e dërguar për media nga FDH, thuhet se është e pakundërshtueshme se i akuzuar Ivanoviç në ditën më kritike të tij ka qenë në vendin e ngjarjes, por qëka mbetur e paqartë roli i tij, nëse ka dhënë urdhra për vrasje civile.

“Është e pakundërshtueshme se i akuzuari Ivanoviç në ditën kritike ka qenë në vendin e ngjarjes, por ka mbetur i paqartë roli i tij konkret, nëse ka dhënë urdhra për vrasjen e civilëve, si dhe cilat veprime konkrete i ka ndërmarrë në ditën kritike? Qartësimi pritet të bëhet me anë të aktgjykimit me shkrim, në lidhje me këtë FDH Kosovë do ta publikon anal izën e detajuar të rastit”, thuhet në komunikatën e FDH-së.

Artikulli paraprak“Ngrihet” Ujëvara e Mirushës
Artikulli vijuesVIDEO – Dijetari Islam i cili ja puthi dorën (e humbur në luftë) invalidit të UÇK-së Hoxhës Fatmir latifi