Denoncuesi Bllaca pritet të përfundojë edhe vetë në burg

Nazim Bllaca tallej me shokun e tij Fahredin Gashi, kur në gjykatë paraqitej i “çmendur”.

“Në fillim këta shokët e mi më thoshin se jam i çmendur, tash po mundohen ata me u ba vetë të çmendur. Kanë me pagu mjek si Fatmir Xhelili që me ju dhanë letra fals që janë të çmendur”, kishte shkruar Bllaca në “Facebook” javë më parë.

E ditëve të Bllacës në “liri” pritet t’u vijë fundi. Do të shkojë atje ku i ka shokët. Në burg.

Prokurori special, Marozio Salustro, do ta akuzojë Bllacën posa ta përfundojë dëshminë kundër Fahredin Gashit, Shpresim Ukës, Sadik Abazit, Shaban Sylës, Bekim Sylës e Driton Hajdarit. Do të akuzohet për vrasjen e Ibush Kllokoqit, të cilën thotë se e kishte bërë me urdhër të Azem Sylës.

Burime të afërta me procesin kanë thënë se tash pritet të ngrihet aktakuza. Për këtë është njoftuar edhe Nazim Bllaca.

“Pas 29 majit do të ngrihet aktakuza dhe do të akuzohet për vrasje të rëndë”, ka thënë burimi.

EULEX-i nuk ka dashur të fliste për këtë çështje. Ky mision nuk është përgjigjur në asnjë pyetje të drejtuar nga “Koha Ditore”. Nga zyra për media e këtij misioni kanë thënë shkurt se aktakuza nuk është ngritur, pa bërë komente të tjera.

Nazim Bllaca thotë se po e pret mirë aktakuzën. “E kam ba punën për këtë”, ka thënë ai./koha/kohaislame

Artikulli paraprakMozilla kundër Microsoftit
Artikulli vijuesTabloja që lexon shuplakën