Për humbjet drastike të rreth 85 milionë euro të Trustit në tregjet ndërkombëtare në vitin e kaluar, Bordi Drejtues i Fondit të Kursimeve Pensionale gjatë raportimit të sotëm në Komisionin për Buxhet dhe Financa ka vlerësuar se kjo ka ndodhur për shkak të rreziqeve politike ose luftës tregtare në mes të SHBA-së dhe Kinës.
Kryesuesi i Bordit të Trustit, Ruzhi Morina, ka thënë se nuk duhet të krijohet panik te kontribut-dhënësit, pasi gjendja është nën kontroll. Ai ka thënë se Fondi i Kursimeve Pensionale bën investime të kursimeve pensionale në parimet e përcaktuara me ligj.
“Kryesisht, rreziqet politike kanë ndikuar që tregjet financiare të mos performojnë mirë. Ka qenë lufta tregtare në mes të SHBA-së dhe Kinës që është kryesisht një prej faktorëve që ka ndikuar që tregjet financiare të mos ndikojnë mirë, mandej, BREXIT që ka mbajtur Evropën në një presion të caktuar… Pse ndikojnë te ne këto? Natyrisht ndikon për shkak se Fondi I Kursimeve Pensionale është i ekspozuar shumë në tregjet financiare ndërkombëtare, rreth 80 për qind e mjeteve janë të ekspozuara”, ka thënë Morina, raporton Kosovapress.
Drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli duke deklaruar se fondi i kursimeve është 1.7 miliard euro dhe se vetëm në muajin janar të këtij viti, investimet kanë performuar pozitivisht, por ka pranuar se humbësit e më të mëdhenj nga rënia e investime gjatë vitit 2018, janë personat, të cilët kanë dalë në pension.
“Vlera absolute që është rikuperuar vetëm deri më 31 janar (2019) ka qenë 55 milionë. 84.7 (humbjet 2018). Është një analizë që e kemi bërë vetëm për të dokumentuar faktin që nuk ka pasur humbje për personat, të cilët kanë dalë në pension. 16 për qind e kontribuuesve nuk arrin moshën 65-vjecare. Kjo shifër relativisht është alarmante, ka qenë edhe më e lartë rreth 20 për qind”, ka thënë Zalli.
Ai ka shtuar se investimet e Trustit janë të orientuar më shumë në tregjet financiare në SHBA se sa në Evropë.
Ndërsa, lidhur me zhvillimet e fundit në tregjet financiare sa i përket mjeteve pensionale, kryetari I Komisionit Lumir Abdixhiku, tha se rënia që ka ndodhur prej 5.3% cilësohet ndër më të mëdha që nga kriza e viteve 2008 dhe 2009.
Ai ka thënë se Trusti dhe institucionet kanë obligim të parashikojnë zhvillimet e ardhshme për të parandaluar rëniet investuese.
“Dikush që është në moshë më të re mund të përballojë edhe një rrezik më të madh të investimeve, sepse gjatë periudhës afatgjate të kontributit, në fund edhe ta amortizojë humbjen eventuale, dikush që është pak para pensionimit e ka shumë të vështirë të përballojë çfarëdo luhatje brenda Trustit. Edhe në qoftë se këtë vit, kemi rikuperuar 55 milionë euro, vitin e kaluar në qoftë kemi humbur 87 milionë euro, dikush ka marrë më pak, pra ai nuk e përjeton rritjen e këtij viti”, tha Abdixhiku.
Ndërsa, anëtarja e Komisionit Safete Hadërgjonaj ka thënë menaxhmenti dhe Bordi i Trustit nuk duhet të bëjë investime siç është rasti i tregut në Greqi, ndërsa ka kërkuar nga drejtuesit e Trustit të krijojnë më shumë siguri për mjetet e kontributdhënësve.
“Ne nga raporti që kemi marrë nga Fondi i Kursimeve Pensionale, i kemi parë që mjetet janë të investuara në dhjetëra vende të botës, që nga një herë ne kur i shohim, le që nuk i njohim mirë qysh performojnë tregjet financiare nëpër botë, bile-bile kur kemi parë që në disa vende janë investuar ato mjete, kanë qenë pak shqetësuese. Kam parë që janë investuar në Greqi apo diku tjetër. Kështu që kur të sillni raportin vjetor, është mirë që ne me pa, sepse të gjitha tregjet s’kanë pësuar rënie”, ka thënë Hadërgjonaj.
Po ashtu edhe anëtari tjetër i Komisionit, Blerim Kuqi ka thënë se drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale duhet të parashikojnë krizën financiare në mënyrë që të ketë edhe rekomandimet e Kuvendit, por pa ndikime politike.
“Sikur aktet nën ligjore të veprimit tuaj në këto raste është mirë me ditur për shkak të përgjegjësisë, kur ndodhin rëniet të dihet si të veprohet për të mundur edhe ne të monitorojmë punën tuaj. Pra, mos me thënë kjo ka ndodhur, se “kështu është tregu, andaj cilat janë masat”, theksoi Kuqi.
Ndërsa, Naser Osmani, anëtar i komisionit, tha se Kuvendi ka përcaktuar kornizë ligjore që investimet të bëhen vetëm ku është rrezikshmëria minimale, dhe sipas tij, Trusti nuk e ka përfillë këtë ligj.
“Ne me ligj e kemi përcaktuar se ku mundemi me bërë investime të jashtme. Ne e kemi përcaktuar me kornizë ligjore që investimet të bëhen vetëm ku është rrezikshmëria minimale. Me rrezikshmëri minimale ka edhe përfitime. Derisa kemi bërë kërkesa që mjetet të plasohen në tregun e brendshëm, ngaqë ka pasur rezistencë edhe nga faktori ndërkombëtar edhe nga vetë Trusti për shkak të pasigurisë”, tha Osmani.
Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, tha se të gjithë operatorët në tregun e pensioneve kanë pasur performancë negative për vitin 2018, dhe sipas tij, duhet të avancohet edhe më tej strategjia për investime.
“Konstatimi ynë është se të gjithë operatorët në tregun e pensioneve ka pasur një performancë të ngjashme negative si përfundim të vitit 2018. Pra, është edhe Fondi i Kursimeve. Në këtë rast Trusti, po ashtu edhe operatori i dytë, i cili është operator privat. Synimi ynë është që së bashku me Komisionin dhe Trustin të avancojmë strategjinë investive”, ka thënë Havolli.
Ndërkaq, Dardan Molliqaj, anëtar i Komisionit për Buxhet duke kritikuar mënyrën investuese të Trustit, tha se është investim i gabuar që të ketë vetëm mbulim të inflacionit. Po ashtu përgjegjësi për mjetet e Trustit kanë kërkuar edhe Arbërie Nagavci dhe Ali Lajçi, anëtarë.