Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se Qeveria Haradinaj do të bie së shpejti.
“Kjo Qeveri i ka ditët e numëruara, dhe sa më parë që të bie është më mirë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Osmani në Interaktiv.
Ajo ka thënë se Grupi parlamentar i LDK-së në këtë legjislaturë është më i fuqishmi, derisa ka thënë se LDK-ja nuk synon që t’i shfrytëzojë situatat e asnjë partie.
Në “Interaktiv” të KTV-së ajo ka folur edhe për akuzat që drejt saj i ka hedhur kreu i ekzekutivit Ramush Haradinaj,kur kishte thënë se në Komisionin për Politikë të Jashtme të cilit i prinë Osmani është bllokuar çështja e demarkacionit.
“Rregullorja parasheh mundësi që deputetët të thërrasin seancë të jashtëzakonshme dhe të dalin me votim. Ka sjellë para Kuvendit marrëveshjen e njëjtë identike, dhe jo marrëveshje ndryshe siç po mundohet me i mashtruar disa. Detyra jonë është që ta shqyrtojmë përmbajtjen dhe jo të shërbejmë vetëm si komision procedural”, ka thënë Osmani, përcjell Koha.net.
“Haradinaj më ka akuzuar mua, më parë ish-kryeministrin Mustafa, e nesër me siguri do ta akuzojë Pacollin”, ka thënë tutje ajo.
Ajo ka thënë se Marrëveshjet ndërkombëtare jo domosdoshmërisht duhet të kalojnë në komisione parlamentare.
“Në fakt partia e vetme që nuk do ta bllokojë këtë proces është LDK-ja”.
“Nuk i takon një politikani që të vërtetojë nëse një hartë është e falsifikuar apo jo. Në seancë shkon vetëm marrëveshja. LDK-ja nuk del pro një nisme që ka për qëllim të bllokojë vendin”, ka thënë Osmani.