Një shpërthim i virusit H1N1, apo i njohur ndryshe si gripi i derrave, ka vrarë mbi 50 njerëz në Ukrainë, këtë dimër.
Ministri i Shëndetësisë, Alexander Kvitashvili, ka kërkuar nga njerëzit që të mos bëjnë panik, duke thënë se “nuk e kemi tejkaluar pragun e epidemisë” dhe se “çdo vit, janari është kulmi i sezonit të gripit”.
Megjithatë, shpërthimi është serioz, sepse shumë njerëz kanë vdekur pa nevojë, duke mos kërkuar trajtim në kohë, ka shtuar ai.
Njerëzit me temperaturë të lartë duhet të konsultojnë mjekun menjëherë dhe të mos bëjnë përpjekje që të vetëmjekohen, ka porositur ministri Kvitashvili.
Zonat e goditura më së keqi përfshijnë: Kievin, Kharkivin, Vinician dhe Odesën.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vetëm 0.3 përqind e popullsisë së Ukrainës merr vaksina kundër gripit.