Hafuz Xhemali- deputet i parlamentit shqiptar
Nga Roald A. HYSA
Nga Stambolli vjen në Tiranën tashmë kryeqytetin e Shqipërisë moderne për të dhënë kontributin e vet si legjislator e senator njëkohësisht. Ai është një nga përfaqësuesit e diasporës shqiptare të Stambollit dhe nga ballkoni i klubit Bashkimi në Stamboll ka ngritur flamurin kombëtar më 28 nëntor 1912 së bashku me patër Jul Bonatin. Hafuz Xhemal Mullai ose Dibra njihej nga të gjithë dibranët dhe shqiptarët kudo, si Hafiz Xhemali, madje edhe në listat e parlamentit shqiptar ku ai figuron si senator e deputet shkruhet Hafiz Xhemali. Një burrë fisnik dhe i pashëm me një mjekër që ia shtonte hijeshinë dhe të bënte për vete me fjalët e tij të ëmbla, që me zërin e tij i mahniste dëgjuesit gjatë këndimit të Kuranit dhe të gjithë ata që ishin të pranishëm qanin me lot. Njeri me katër gjuhë të huaja dhe me një bagazh të jashtëzakonshëm intelektual dhe orator. Kështu e përshkruan gjyshin e tij të nderuar Astrit Daci, të cilin ai e kujton me mall. Pas mbarimit të shkollimit për aftësitë e treguara ai emërohet profesor në Universitetin Teologjik në Stamboll, si dhe anëtar i Gjykatës së Lartë të Sheriatit. Në Stamboll njihet edhe me punën e veprat e rilindësve të tjerë. Po aty mëson edhe të lexojë e shkruajë shqip me alfabetin e Stambollit. Ai zgjidhet nga 200 aktivistët e shoqërisë Bashkimi të Stambollit kryetar i kësaj dege, dhe me përkushtim të madh i dedikohet punës me Shqiptarët e Stambollit në ndihmë të Shqipërisë. Pasi mbaronte punët në gjykatë dhe orët e mësimit shkonte në Klubin e Shqiptarëve dhe merrej me të gjitha punët aty, të cilat kishin nevojë kolonistët shqiptarë të Stambollit, me përkushtim dhe me këmbëngulje. Lodhej gjatë gjithë ditës dhe me gjithë ngarkesën e madhe që kishte, nuk tërhiqej aspak. Më 28 nëntor 1912 Hafuz Xhemali dhe patër Jul Bonati ngritën flamurin kombëtar në ballkonin e klubit Bashkimi mu në mes të Stambollit.
Gjithashtu ai u përpoq me shumë përkushtim dhe me mbështetjen e Klubit për nxjerrjen në dritë të gazetës Paqja, si drejtor përgjegjës i këtij periodiku politiko-social që i drejtohej kolonisë atje.
Kthehet në Shqipëri në vitin 1924 dhe jep kontributin e tij politik në dobi të legjislativit shqiptar. Tërheq pas vetes edhe Nastas Frashërin, babain e historianit Kristo Frashëri. Në vitin 1924 ai është deputet në Parlamentin Shqiptar të kohës i propozuar nga Shqiptarët e Turqisë mes të cilëve gëzonte një respekt të madh. Hafuz Xhemali zgjidhet kryetar i Komisionit të Drejtësisë të Parlamentit, ku aty dha një ndihmesë të shquar në hartimin e ligjeve themelore të Shtetit Shqiptar, që edhe sot e kësaj dite spikasin për vlerat që ato mbartin. Ai tregoi gjakftohtësi dhe profesionalizëm gjatë të gjithë kohës që ushtroi funksionet e deputetit, e sidomos gjatë periudhës së vështirë të vitit 1924. Gjatë të gjithë veprimtarisë së tij ai u gjend në ndihmë të fukarasë e nevojtarit. Përkohësisht ai ka qenë edhe drejtori i gazetës Besa.
Në prag të pushtimit italian ai ka mbajtur një fjalim të zjarrtë kundër italianëve dhe për këtë shkak burgoset e internohet më pas në Itali për katër vjet. Këtu nis një kalvar për Hafuz Xhemalin, i cili do të mbyllej më 1959, vit kur do të mbyllte sytë për të kaluar në amshim. Internohet në Bergamo, ku pas pak kohe bëhet i njohur te vendalinjtë si një hoxhë i përkushtuar dhe fiton respektin e tyre. Aq respekt të madh fitoi me sjelljet e tij, saqë vetë vendasit i drejtohen me një letër autoriteteve të kohës për t’ia lehtësuar më pas qëndrimin atje si i internuar.
Pas kthimit nga Italia nuk u mor më me politikë, porse kaloi si pedagog në Medresenë e Tiranës. Në vitin 1947 i shtetëzohet shtëpia dhe pothuajse të gjitha sendet dhe orenditë personale, e dërgojnë fillimisht në Laprakë e mandej e dëbon në Durrës regjimi komunist më 1948. Në Durrës atë e ndihmuan njerëzit duke e strehuar, madje dibranët e Durrësit bënë garë se kush do ta merrte në shtëpinë e vet hafuz Xhemalin. Atë e merr Rexhep Kërliu dhe i liron dhomën më të mirë që kishte, duke e ndihmuar Hafuz Xhemalin të rehatohej sa më mirë.
Filloi të mbante ligjërata e të këndonte Kuran me zërin e tij të ëmbël e melodioz në xhaminë e Fatihut në Durrës. I gjithë xhemati qante me dënesë kur e dëgjonin këndimin e tij të bukur që ua prekte zemrat besimtarëve, por meqë fitoi popullaritet të madh aty, e detyrojnë të kthehet në Tiranë duke e lënë në mëshirë të fatit. I mbetur në rrugë të madhe detyrohet që bibliotekën e tij të pasur t’ia dhurojë Medresesë së Tiranës, e cila pas mbylljes së Medresesë më 1965 u shpërdorua dhe u dogj. Kuranin nuk e hiqte nga dora dhe kur dilte pazarit nuk pushonte së përmenduri Allahun. Megjithëse Hafiz Musa Ali Basha kryetari i Komunitetit Musliman u mundua disa herë ta ndihmojë, duke e punësuar në Medrese si drejtor, apo për të shërbyer kundrejt një rroge modeste në konviktin e Medresesë vinte urdhri nga lart për ta larguar. Hafuz Xhemali është modeli i fetarit dhe patriotit, i cili sakrifikoi shumë për vendin e vet, dhe në fund të jetës ai nuk mori mirënjohje, përkundrazi u persekutua nga regjimi komunist. Pas tri ditësh në agoni ndërron jetë në 28 shkurt 1959, duke përmendur tre herë emrin Allah, para se të jepte shpirt, na rrëfen nipi i vet Astrit Daci.