Gazeta gjermane, ideologjikisht e majtë, ka shkruar se Ballkani është para një sprove të rëndë. Ajo ka përshkruar ngjarjet politike në Kosovë, ku opozita me çdo kusht po mundohet të ndalojë implementimin e marrëveshjes për Asociacionin dhe atë të demarkacionit me Malin e Zi.
Sipas Die Tageszeitung, ajo çfarë po ngjan në Kosovë është një luftë e hapur për pushtet, transmeton Republika.info.
“Koncesionet politike që kosovarët i kanë arritur me mbështetje të BE-së gjatë negociatave me Serbinë, janë burimi i mosmarrëveshjeve të forta të politikës së brendshme në Kosovë”, thuhet në artikullin e kësaj të përditshme gjermane.
Sipas gazetës, kryeministri Isa Mustafa është dashur të ndërpres fjalimin e tij në Parlament, pasi ishte gjuajtur me vezë nga partitë opozitare. Opozita organizoi demonstrata ku vetëm të premten dhe shtunën e shkuar, Parlamenti ishte paralizuar, derisa demonstruesit gjuajtën me gurë policinë dhe ndezën goma të veturave.
“Një lëvizje, e përbërë kryesisht nga të rinj, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, frikësohet që në Kosovë po etablohet një republikë e vogël serbe, sipas modelit të Bosnjës e Hercegovinës. Kjo lëvizje po mbështetet edhe nga ish komandanti guerilas i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili tashmë edhe haptas është duke larë hesapet me ish-rivalin e tij, Hashim Thaçi”, shkruan TAZ.