Në vendin me qiellin më të ndotur në Europë, Aleksandër Berisha shet molla, dardha, rrush në një tavolinë druri që lëkundet rrëzë rrugës. Kështu fillon rrëfimi i gazetës gjermane për pasuritë e kosovës dhe perspektivën e tyre. Obiliqi, thuhet, e ka ajrin më të helmuar në kontinent. Një vend me 20’000 banorë te portat e kryeqytetit, i cili edhe në Kosovë duket i zymtë. Oxhaqet zgjaten nga 120 metra në ajër dhe vjellin tym, centrale qymiri të viteve të ’40-ta, nga Banka Botërore të kualifikuara si burime më të mëdha të ndotjes së ambientit në Europë.
Mirëpo, vendi për Kosovën ka një domethënie të madhe. Sepse para portave të Obiliqit qëndron një thesar – një ndër fushat më të mëdha të qymyrit të kaftë në botë. Një miliardë materie djegse ngjeshen në këtë tokë, shumë më tepër se sa i duhet vendit. Shteti më i ri dhe më i varfër i Europës mund ta furnizonte krejt rajonin me qymyr. Madje të gjithë Europën juglindore, e citon artikulli profesorin e Oxfordit James Pettifer, një specialist botëror për Ballkanin. Deri 35’000 vende të reja pune në sektorin e energjisë sheh inxhinieri Rainer Hengstmann që ka punuar si këshilltar për Kombet e Bashkuara në Prishtinë. Ky qymyr është një shans për ta nxjerrë vendin nga mjerimi.
Kosova është një vend që, përveç tjerash, është prekur edhe nga kriza e euros. Më 2011 ekonomia u rrit për gati 4,5 për qind, ndërsa në 2012-tën – për 2,5 për qind, vitin e kaluar kishte rrënë gati komplet. Tani rrezikojnë të huqen dy burime të rëndësishme të parasë: Disa vende të UE-së i kanë shkurtuar ndihmat për Kosovën, kurse emigrantët po dërgojnë më pak para në shtëpi – një zhvillim fatal për vendin.
Megjithatë, qymyri kafe nuk është një mundësi për asistencë urgjente. Sipas profesorit të Oxfordit, aji mund t’i sjellë vendit mirëqenie, por jo sot për nesër. Investimet që duhet të bëhen këtu janë gjigande. Gjithsesi Obiliqi është rezervuari më i rëndësishëm i vendit. Por, jo i vetmi. Mineralet e përshkojnë Kosovën si damarët trupin, thotë reportazhi. 14,7 miliardë tonë minerale gjinden në tokë. Me kaq, Kosova është e pesta në planet për nga rezervat e tyre. Më shumë janë vetëm Rusia, Gjermania, Australia dhe SHBA-të. Dhe pjesa më e madhe mund të eksportohej, sepse nevojat e brendshme janë të vogla. Për rrymë aq sa zgjat një jetë njeriu, Kosovës i duhet vetëm gjysma e sipërfaqes së Obiliqit.
Me mjetet dhe ekspertizën vendore nxjerrja e mineraleve është shumë e mundimshme, ndërsa rezultati modest. Kosovës i mungojnë inxhinierët, thotë reportazhi. Kurse investitorët e huaj druajnë të vijnë për shkak të mungesës së sigurisë juridike, autoriteteve të rënda, korrupsionit. Për këtë, sipas Transparecy International, Kosova është në vendin e 11-të, ndërmjet Etiopisë dhe Tanzanisë. Për më tpër – thotë raporti – qytetarët druajnë që elitat e vendit janë të përfshira në tregtinë e armëve dhe të drogës.
Në disa provinca të vendit furnizimi i rrymës bëhet me orar. Kjo sipas Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar nuk i josh ndërmarrjet për investime. Kushtet e jetesës së qytetarëve janë të këqija. Prodhimi i Brendshëm Bruto është 2’600 euro, sa i Mongolisë. Askund në Europë nuk ka më shumë të papunë – ajo shkon nga 45 deri në 80 për qind. Eksporte nuk ka, përveç metalit të vjetër të nxjerrë nga hekurishtet e automjeteve të vjetëruara. Lulëzon vetëm puna në të zezë me 30 deri 40 për qind. Të rinjtë shesin cigare në rrugë.
Pastaj vjen gjendja politike. Herë pas herë plasin konfliktet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Pika më e nxehtë e tij është Mitrovica, një qytet me 100’000 banorë në veriun e dominuar nga serbët – njërin ndër vendet e fundit të ndara në Europë. Në mes paqëruajtësit e Natos. Këto tensione e ngufasin zhvillimin e Kosovës.
Por, problemet nuk do të zgjidheshin edhe sikur Kosova një ditë ta nxirrte bujarinë e natyrës në shesh. Reportazhi kujton zhvillimet e dhunshme në vende të tjera me pasuri natyrore si nafta, gazi, apo ari. «Toka e tyre është e pasur, populli i tyre i varfër». Dy ekonomistë amerikanë, Jeffrey Sachs dhe Andrew Warner, e kanë gjetur një korrelacion në këtë mes: Rezervat nuk janë vetëm një bekim, ato mund të shëndrrohen në një mallkim. «Nëma e burimeve», quhet fenomeni. Qeveritë që iu bie diçka e tillë në prehër bëhen indiferente. Ato nuk investojnë më në shkolla, rrugë, spitale. Nuk çajnë kokën për ajrin e ndotur apo lumenjtë e helmuar. Nuk kujdesen për drejtësi, rend a transparencë. Në marrëveshjet për lëndën e parë ata kujdesen që të fitojë vetëm klani i tyre. Nepotizmi dhe dhuna e përcaktojnë përditshmërinë. Në shtetet të cilat jetojnë nga pasuritë nëntokësore gjasat e një lufte qytetare janë 23 për qind, transmeton reportazhi. Në vendet me mungesë të këtyre burimeve ky rrezik është një gjysmë përqind.
Përse duhet të jetë krativ dhe produktiv një vend që korr pa mbjellë? – pyet autori i artikullit Stefan Beutelsbacher. Përse duhen kushte për investitorët, apo investime në sektorë përreth? Aty ku perandoria e tokës mban thesare, ekonomia ritet ngadalë, sepse mungon nxitja për zhvillim. Këto vende vuajnë nga luhatjet e çmimeve në tregjet botërore. Kjo situatë kërkon planifikim të mirë, por qeveritë i josh vetëm jeta në kohën e tashme. Dhe ato jetojnë mirë – në kurriz të ekonomisë së keqe. Ky fenomen për herë të parë është vrojtuar në Holandë, kur në brigjet e saj më 1959 papritur u gjet gaz. Eksporti solli miliarda, kurse shteti vujati nga paraja si nga një infeksion. Prandaj ekonomistët e kishin quajtur atë «Sëmundja holandeze».
Në botë janë gjithë ato vende që dergjen nga mallkimi i burimeve: Nigeria, Kongo, Çadi, Gabuni, Venezuela, Birma, Rusia. Kosova mund të zgjedhë një rrugë tjetër nga regjimet që kanë humbur në qerthullin e burimeve. Për shembull duke i investuar miliardat e mëvonshme të lëndës së parë në infrastrukturë dhe shkkollim, e transmeton autori profesorin e Oxfordit. Duhet forcuar institucionet dhe prerë korrupsionin. Qeveria do të duhej të ngrinte fonde të mineraleve për të mos iu ekspozuar humorit të tregjeve botërore. Ideja është që vendi të pajiset për një të ardhme pa qymyr. Sepse, dhe kjo është e vërteta më e thjeshtë për burimet: Një ditë ato do të harxhohen. ks