Dhjetëra portale, gazeta dhe faqe informative interneti në gjuhën shqipe në Kosovë dhanë gati njëkohësisht paraditen e datës 6 korrik një lajm që mbante një titull mjaft alarmues, “Sulmohen katolikët në Llapushnik, u digjet prona”. Ky lajm e kishte origjinën tek gazeta Express, redaksia e së cilës pas disa orësh ia ndërroi titullin artikullit në, “Digjet një pronë katolike në Llapushnik – shkaqet ende të paqarta”; veçse shkrimi ishte përhapur tashmë gjithandej në internet në formën e mëparshme. Vetëm nëpërmjet faqes së Express-it ky artikull u shpërnda nga gati 3000 persona, dhe është lexuar nga mijëra të tjerë, që do të thotë se me dhjetëra mijëra njerëz janë ndarë atë ditë nga ky artikull me ndjenjën fillestare që të jepte titulli i tij, e që asocionte në një masivitet rrahjesh, dhunimesh, djegiesh e mbase edhe vrasjesh, të nëntëmbëdhjetë banorëve katolikë të Llapushnikut. Në brendi të artikullit, përveç titullit spekulativ për sulm masiv ndaj një komuniteti fetar në Llapushnik, flitej për një shtëpi të djegur në këtë fshat, por luhej edhe me pohimin se kinse banorët e Llapushnikut janë të mendimit se ky “sulm” ka konotacion fetar, duke aluduar për autorësi myslimane, meqenëse përmendej reagimi i para disa ditëve i banorëve myslimanë të fshatit ndaj ndërtimit të kishës katolike. Përveç Express-it dhe disa portaleve të tjera që njihen për shkrime të ndryshme rozë të përziera shpesh herë me gjysmë të vërteta ose të pavërteta, edhe media të cilat e mbajnë veten si të përgjegjshme, si, për shembull, Koha, e bartën të njëjtin lajm, me mesazhin e njëjtë të nënkuptueshëm se myslimanët sulmuan katolikët në Llapushnik.
Në vitet e tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta, shtypi serb në Kosovë, Serbi e ish-Jugosllavi ka qenë përplot me tituj si ky i mësipërmi, “Shqiptarët djegin shtëpinë e serbit në Kosovë”, “Shqiptarët tentojnë të dhunojnë një të mitur serbe në Kosovë”, “Shqiptarët vjedhin pronat serbe në Kosovë”, “Shqiptarët rrahin fëmijët serbë në Kosovë”. Shumë nga këto krime të aluduara ose nuk kanë pasur të bëjnë aspak me përkatësinë etnike, ose kanë qenë të shpikura, ose e kanë pasur paralelen shumë herë më të madhe tek shqiptarët! Ky ka qenë prelud i një lufte, i arsyetimit të shumë krimeve dhe i shfajësimit të arsyes kryesore mbrapa luftës dhe dhunës në Kosovë! Këto shkrime dhe ky satanizim i shqiptarëve, edhe në mos pastë qenë shkaktari kryesor i luftës, ka qenë mbajtësi kryesor në jetë i pushtetit të dhunës ndaj shqiptarëve, ka qenë shtysa kryesore prapa urrejtjes ndaj shqiptarëve. Shumë mjete informative në Kosovë bëjnë pikërisht të njëjtën gjë sot, sepse ky nuk është rasti i parë që shtypi dhe mediat kosovare veprojnë me diletantizëm në trajtimin e temave fetare. Vetëm disa ditë përpara këtij lajmi, Koha Ditore (këtu prapë duhet potencuar se nga shumë konsiderohet si gazeta më e vetëpërgjegjshme në Kosovë), pas bastisjes nga policia të disa organizatave joqeveritare të financuara kryesisht nga Irani, pati shpërndarë lajmin se “këto organizata kanë financuar hoxhallarë selefitë të linjës shiite”. Selefizmi dhe shiizmi, dy rrymat antagoniste të myslimanëve sot, të cilat janë preteksti i shumë përplasjeve dhe konflikteve në Lindjen e Mesme, janë bërë bashkë në mënyrën më të çuditshme tek Koha Ditore. Kjo është njësoj sikur të pohosh se organizatat bamirëse evropiane kanë financuar priftërinj katolikë të linjës mormone! Kjo për ta bërë të ditur diletantizmin për ata që kanë disa njohuri elementare për fenë dhe sociologjinë. Radio Televizioni Publik transmetonte para disa muajve deklarata të “ekspertëve” të fesë, sipas të cilëve “vehabistët e kanë të lejuar homoseksualizmin dhe alkoolin në kohë lufte”; novacione këto që nuk mund të gjenden në asnjë burim teologjik apo trajtesë fetare a sociologjike, publike apo sekrete, që e shtjellon selefizmin. Si për kortezi, të njëjtët ekspertë dhe media e trajtojnë gjerë e gjatë në shkrime të tjera të tyre, e në mënyrë inkriminuese, fenomenin e vrasjes së homoseksualëve nga “vehabistët” e ISIS-it.
Në këtë mënyrë, diskursi diletantesk i trajtimit të fesë kalon në racizëm të qëllimshëm dhe krijon imazhin e “tjetrit të keq”, i cili duhet të luftohet dhe të urrehet, i cili ka disa emra dhe fjalë kyçe, që mjaftojnë të përmenden, qoftë edhe në mënyrë tërësisht të pakoordinuar dhe të pasaktë, për të arritur efektin e dëshiruar negativ tek masat. Këta emra janë kryesisht të ndërlidhur me komunitetin fetar në shumicë në Kosovë, me myslimanët, apo me grupe më të vogla brenda tyre. “ISIS”, “sallafizmi”, “vehabizmi”, “shi’at”, “perqja”, “xhihadi”, “talibanët”, “flliqtanat”, “arabët”, “trefurtalëshat”,”mjekroshat”, etj., janë disa nga termat më të lakuar në konotacionin e myslimanëve në Kosovë; e jo vetëm selefitë brenda tyre, ndërsa ky term është përdorur gjithmonë në përpjesëtim të zhdrejtë, negativ. Kjo mënyrë diletanteske e trajtimit të fesë, para së gjithash e myslimanëve, nuk është veçanti kosovare në diskursin publik, e më së pari mediatik. Shtypi perëndimor, por edhe ai lindor, është i stërmbushur me raste të tilla. Si shembulli më i spikatur merret agjencia informative FOX News e SHBA-ve, e cila ka prodhuar disa nga titujt më klasikë të demonizimit të tjetrit, duke përdorur hiperbolizime, të pavërteta, gjysmë të vërteta të përziera me komente dëshirore, apo të pavërteta të qëllimshme. Për shembull, disa nga këta tituj apo teza janë, “Jo çdo mysliman është terrorist, por secili terrorist është mysliman”, “Secili terrorist në tokën amerikane ka qenë mysliman”, “Eshtë e pamundur ta praktikosh Islamin e njëmendtë në SHBA, sepse nuk mund ta rrahësh gruan tënde”. Për orientalizimet e tilla është i parëndësishëm fakti se statistikat shtetërore tregojnë se shifrat e dhunës nga grupe të tjera, siç janë të djathtët, të krishterët, antiabortuesit, etj., janë dhjetëra herë më të larta sesa sulmet e kryera me prapavijë myslimane. Edhe pse në termat e Eduard Saidit kjo nëpërkëmbje e qëllimshme e një komuniteti është gdhendur përjetësisht në konceptin e ‘orientalizimit’ të lindorit nga ana e Perëndimit, megjithatë, edhe vende të caktuara të Lindjes, shpeshherë me shumicë myslimane, shquhen me “orientalizimin” e “lindorit” të vet, qoftë në jetën publike, politike, e sidomos në atë mediatike. Këta “lindorë” të Lindjes janë po ashtu çuditërisht shpeshherë grupe të myslimanëve që margjinalizohen ose për qëllime politike, klanore, sektare, o për qëllime thjesht fetare.
Ky diletantizëm mediatik dhe publik karshi fesë, respektivisht karshi një komuniteti të caktuar fetar, është mbartur në Kosovë në mënyrën më të keqe të mundshme. Ky trajtim përjashtues nuk është i rastësishëm në diskursin publik në Kosovë, dhe është e qartë se ai prodhon racizma të njëjtë sikundër ka prodhuar alarmimi i medias për “çifutërinë globale” gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo për “rrezikun e negrove” në Amerikën e dikurshme të aparteidit. Racizmat e tilla shkaktojnë gati automatikisht elektrizim të shoqërisë, luftë të padrejtë midis klasave të ndryshme fetare e sociale; dhe pothuajse gjithmonë kjo çon në dhunë të përmasave të ndryshme, që e shmang shoqërinë prej problemeve të njëmendta.
Këtu nuk duhet lënë pa u përmendur fakti se, edhe pse myslimanët si komunitet janë për momentin “tjetri i keq” i medias dhe i jetës publike, edhe ata vetë, posaçërisht klerikë të caktuar të tyre, janë po ashtu ideatorë të një orientalizmi tjetër, të krij
imit të një “të keqi” tjetër të imagjinuar në shoqëri. Gjatë viteve të fundit, në një mori rastesh është orientalizuar “shiiti i keq”, si vrasës me biletë teologjike i myslimanëve sunnitë, pa marrë parasysh faktin se nuk ekziston asnjë klauzolë në teologjinë shiite apo alevite që e përligj vrasjen e ndokujt, e aq më pak të sunnitëve. Gjithashtu është manipuluar padrejtësisht me vetëvrasjet dhe Dëshmitarët e Jehovait, apo me vdekjen e supozuar në tualet të një lideri fetar të një denominacioni tjetër.
imit të një “të keqi” tjetër të imagjinuar në shoqëri. Gjatë viteve të fundit, në një mori rastesh është orientalizuar “shiiti i keq”, si vrasës me biletë teologjike i myslimanëve sunnitë, pa marrë parasysh faktin se nuk ekziston asnjë klauzolë në teologjinë shiite apo alevite që e përligj vrasjen e ndokujt, e aq më pak të sunnitëve. Gjithashtu është manipuluar padrejtësisht me vetëvrasjet dhe Dëshmitarët e Jehovait, apo me vdekjen e supozuar në tualet të një lideri fetar të një denominacioni tjetër.
Racizmi dhe orientalizmi i tillë ndaj tjetrit është ngulitur thellë sot në shoqërinë njerëzore. Si shembull i faktit se ai shpesh vepron në mënyrë të pavetëdijshme është një deklaratë e senatorit Eliot Engëll gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë. Sipas tij, “Kosova është një shtet që mund t’i tregojë botës se nuk ka nevojë të frikësohet nga shumica myslimane.” Një deklarim i tillë është skajshmërisht racist, pa marrë parasysh se është thënë me qëllim të mirë. Kjo nënkupton se është krijuar koncepti i ushqyer nga media se nga myslimanët duhet patur frikë; dhe senatori i bindet këtij koncepti, qoftë edhe në drejtimin e kundërt. Dikush do të duhej ta përkujtonte z. Engëll në këtë rast se krijimi i frikave nga komunitetet është thelbi i racizmit që e ka ushqyer me shekuj të tërë makinën e hegjemonisë ndaj “tjetrit të keq”. Komunitetet si tërësi nuk duhet përdorur as edhe për t’i larguar frikat! Në qoftë se do të operonim me terma të njëjta filozofikë sipas këtij pohimi të Eliot Engëllit, do të duhej të pyetemi se a ka nevojë bota afrikane të frikësohet nga shumica e bardhë e disa kontinenteve, duke pasur parasysh se historitë kolonializuese e skllavëruese janë “copyright”-i i të bardhëve, se a duhet të frikësohemi nga shumica amerikane apo e krishterë pas dhjetëra luftërave e krimeve të kryera shekullin e fundit nga persona brenda tyre, se a duhet të ketë frikë bota nga shumica e krishterë apo e bardhë e ndonjë shteti për shkak të frymës kukluksklaniste që ende vret zezakë, se a duhet të ketë frikë bota nga shumica e krishterë apo e bardhë për faktin se bomba e vetme atomike e përdorur ndonjëherë vjen nga ta? Kjo logjikë është e mërzitshme dhe e rrezikshme.
Lajmi rreth sulmit ndaj katolikëve të Llapushnikut doli të jetë i pavërtetë. Policia gjatë ditës njoftoi se djegia e shtëpisë ndodhi si rezultat i problemeve me instalimin elektrik. Disa mjete informimi i redaktuan lajmet e tyre raciste rreth kësaj ngjarjeje, për të larguar njollën mbi komunitetin mysliman të Llapushnikut dhe për të pasqyruar shkaktarin e vërtetë të djegies së shtëpisë (p.sh., Koha në tërësi e ka ndryshuar lajmin), kurse tek shumica e mediave online lajmi i vjetër ka ngelur ashtu siç ka qenë, ndërsa lajmi i ri ose është sjellë në margjina të lajmeve të parëndësishme, ose nuk është transmetuar fare. Veçse efekti racist i të ushqyerit të një konflikti fetar është shkaktuar në mënyrën si e kanë projektuar më së miri ideatorët fillestarë të lajmit. Eshtë arritur edhe efekti i demonizimit të një komuniteti të tërë. Cili ishte rezultati konkret i këtij lajmi? Me mijëra komente në internet që reflektojnë bindje të krijuar nga lajmi e që thërrasin për “luftë kundër talebanëve të Llapushnikut”, për pushkatim të “turqve dhe klerikëve fetarë”. Një koment tjetër krijon një narracion thellësisht orientalist dhe urrejtjenxitës kur flet për “terroristët myslimanë” (është fjala për shqiptarët e besimit islam), të cilët, sipas komentuesit, pas luftës kanë groposur varrezat katolike dhe eshtrat e të vrarëve ua kanë hedhur qenve! Ajo që bie në sy është se shumica e komenteve që flasin për “turkun apo arabin terrorist”, për “pushkatim dhe varje”, e për “talebanët e Llapushnikut”, etj., janë të shkruara nga persona me nomenklaturë katolike, edhe pse jo gjithherë. Kjo dëshmon se shoqëria kosovare është elektrizuar dukshëm nga pikëpamja fetare prej lajmeve të tilla.
Racizmi, dikur biologjik, e tash social, është përcjellës i ngushtë i historisë së njerëzimit, dhe gjithmonë ka prodhuar episodet më të këqija të historisë së deritanishme. Një nga sistemet më të hershme, të njohura dhe të detajuara mirë, të klasifikimit biologjik racist vjen nga kolonia franceze Shën Dominguez, ku sistemi i tillë përmbante mbi 150 shkallë të “zezakërisë”, dhe vetëm ata që vërtetonin se ishin “puro të bardhë” i kishin të garantuara të gjitha të drejtat. Ky racizëm biologjik vetëm sa është kthyer në ditët tona në një sajesë sociale, por nuk është zhdukur aspak. Në rastin e Kosovës, ka prodhuar fobi dhe frikë nga “myslimani i keq”, nga “vehabisti”, nga “myslimania me shami”, nga “arabi”, nga “lindori”, apo nga kushdo tjetër që është “tjetër”. Ky sistem i racizmit është i rrezikshëm, sepse tenton që në mënyrë sistemike të manipulojë me lirinë e tjetrit për t’u dukur, menduar apo besuar ndryshe. Ky racizëm social ngulitet në kokë, vepron në mënyrë edhe të pandërgjegjshme, ngelet aktiv për gjenerata të tëra, qoftë edhe pavetëdijshmërisht, në qoftë se nuk trajtohet me kohë. Sa më parë që të trajtohet ligjërisht, penalisht, por edhe moralisht, aq më mirë për shoqërinë! Sa më shumë vonesë që të ketë në trajtimin e tij, aq më të paimagjinueshme do të jenë pasojat e tij në një të ardhme të afërt!
Halil Ibrahimi – Profesor në FSHMN