Disa prej xhamive të Malit të Zi që dokumentohen në dosjet e arkivit shtetëror të Stambollit

0
302

Po ti hedhim një vështrim katalogëve të arkivit shtetëror të Stambollit do të vërejmë lloje nga më të ndryshme regjistrash dhe dosjesh, duke filluar nga ato të pronave, vakfëve, zyrtarëve të lartë të shtetit etj. e deri tek dosjet e ndryshme të xhamive gjatë periudhës otomane. Por, kësaj radhe ne do të ndalemi vetëm në disa prej xhamive të Malit të Zi që ruhen në dosjet e arkivit shtetëror të Stambollit.

Deri më tani punimet e bëra në lidhje me xhamitë e Malit të Zi janë për tu numëruar me gishtat, si brenda shtetit ashtu edhe jashtë tij,dhe në asnjërin prej tyre nuk janë përdorur dokumente në osmanishte nga arkivi shtetëror i Stambollit. Për këtë shkak e pamë të arsyeshme shkrimin e një artikulli të tillë.
Duke shfletuar dosjet në këtë arkiv, vërejmë se një pjesë e mirë e këtyre xhamive nuk kanë arritur ta ruajnë ekzistencën e vet deri në ditët e sotme. Disa prej tyre janë prishur vetvetiu si shkak i mospranisë së myslimanëve në ato troje, kurse disa të tjera me pretekstin se nuk janë në vendin e duhur ose ngritjen e ndërtesave dhe parqeve të ndryshme në vend të tyre.
Në dosjet e mëposhtme nganjëherë flitet për rikonstruksionet, emërtimet e nëpunësve të rinj, apo ndërtimin e tyre nga fillimi etj. dhe për këtë data e ndërtimit të ndonjërës prej këtyre xhamive mund të jetë më e hershme se vet dokumentet në fjalë. Edhe pse ndonjëra prej dokumenteve bën fjalë në mënyrë indirekte për këto xhami, përsëri ato kanë rendësi të veçantë sepse tregojnë të paktën për ekzistencën e këtyre xhamive më parë.

Xhamia e Ibrahim Pashës në kazanë e Ulqinit (Ülgün):

Dokumenti që bën fjalë për këtë xhami është i përkthyer nga departamenti i përkthimit pranë Portës së Lartë në vitin 1890. Kjo xhami është ndërtuar nga Pashai i Shkodrës Ibrahimi nga i cili merr edhe emrin. Me këtë rast ai i dhuroi xhamisë të ardhurat e katër magazinave që gjendeshin në pazarin e Shkodrës më qëllim shpenzimin e nevojave. Por, nga ky moment nëpunësit e vakëfit ia vononin të ardhurat që vinin nga këto magazina xhamisë së Ibrahim Pashës. Për këtë imamit të xhamisë i është dashur disa herë të shkonte në Shkodër për zgjidhjen e këtij problemi. Gjithashtu është bërë kërkesë edhe me shkrim autoriteteve të asaj kohe për vazhdimin si më parë. Dokumenti edhe pse bën fjalë për magazinat që ishin vënë në dispozicion të xhamisë, përsëri ka rëndësi të madhe sepse na tregon për ekzistencën më parë të xhamisë së Ibrahim Pashës në Ulqin.

Xhamia e Sulltan Selimit në kalanë e Ulqinit (Ülgün):

Dokumenti i parë që bën fjalë për këtë xhami është ai i vitit 1104/1692. Më pas vijnë ato të viteve 1106/1695, 1109/1697, 1110/1698, 1118/1706 etj. Pothuajse në të gjitha këto dokumente bëhet fjalë për emërimin e imamëve, predikuesve, myezinëve, pastruesve të xhamisë etj. Gjithashtu në këto dokumente bëhet fjalë edhe për emërimin e mësuesve të rinj në shkollën fillore pranë kësaj xhamie. Një dokument i vitit 1189/1775 bën fjalë për ardhjen e rrogave të nëpunësve të xhamisë, ku predikuesi i kësaj xhamie kishte vdekur dhe për këtë është kërkuar që rroga e tij t`i jepej një personi të quajtur Mehmet.

Xhamia e Ali Pashë Gucisë (Gosine):

Dokumenti që bën fjalë për këtë xhami i përket vitit 1316/1901. Në këtë dosje gjendet një telegram i dërguar nga valiu i Kosovës Hafiz Mehmeti. Ndërsa tjetri është shkruar pranë Divan-i Humajunit nga sadrazami. Dokumenti bën fjalë për rënien e një zjarri gabimisht natën e premte në kasabanë e Gucisë. Si pasojë e këtij zjarri janë djegur dyqind e tetë dyqane, tre hane, njëmbëdhjetë kafene, gjashtë shtëpi, xhamia e Ali Pashës dhe një xhami tjetër se bashku me telegrafhanen. Në këtë dokument kërkohet që të bëhet kompensimi nga shteti si shkak i dëmeve të shkaktuara nga zjarri. Nga ky dokument vërtetohet se ekzistojnë dy xhami; xhamia e Ali Pashës dhe një tjetër që dokumenti nuk e emërton.

Xhamia Fethije në Bijelo Pole (Akova):

Ky dokument i përket vitit 1316/1901 dhe është i shkurtër. Në këtë dokument nuk flitet për xhaminë, vetëm bëhet fjalë për emërimin e një hatibi, predikuesi të ri në këtë xhami, me urdhër të udhëheqësit drejtuar organeve kompetente që caktonin nëpunësit e xhamive.

Xhami në Plevlë (Taşlıca):

Kjo dosje që bën fjalë për këtë xhami i përket vitit 1290/1874 dhe ka vetëm një faqe. Këtu bëhet fjalë për riparimin e xhamisë, mektebit/shkollës dhe ujë- sjellësit në Plevlë që në atë kohë administrohej nga sanxhaku i Novi Pazarit/Yeni Pazar. Shpenzimet për riparimin e këtyre janë paraqitur para vakfi humajunit dhe është menduar që të jenë rreth shtatëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind e katërmbëdhjetë grosh.

Një xhami në Gollobovcë (Golobovçe):

Kjo dosje i përket vitit 1290/1873 dhe numëron tetë faqe. Në këtë dokument tregohet për vënien e zjarrit nga ana e disa personave të panjohur një xhamie të lagjes Beraz të Gollobovcit që i përkiste kazasë së Podgoricës. Si shkak i kësaj të nesërmen mbrëma po nga disa persona të panjohur ishte vënë zjarr kishës së asaj lagje. Në këto dokumente thuhet se janë vënë në dyshim gjashtë persona të besimit islam dhe tetë të atij krishterë dhe për këtë është vendosur që të dërgohen në Shkodër për tu marrë në pyetje. Nuk kemi për qëllim të zgjatemi në shpjegimin e kësaj ndodhie, por ajo çka na intereson neve tani dëshmon për ndodhjen e një xhamie në Beraz të Gollobovcit, por dokumentet në fjalë nuk e emërojnë me ndonjë emër.

Dy xhami në kazanë e Tuzit (Tuz)

Dokumenti i parë që bën fjalë për njërën nga xhamitë i përket vitit 1309/1891 dhe ka një faqe të shkruar me llojin e shkrimit rika. Në këtë dosje bëhet fjalë për urdhrin e dërguar për ndërtimin e një xhamie dhe pazarin, por në qendër të kajmakamit nuk kishte më tepër se pesëdhjetë shtëpi. Si shkak i kësaj është kërkuar që kjo xhami të mos ndërtohej përkohësisht, por në vend të saj të rikonstruktohet një xhami tjetër për ushtarët dhe popullsinë myslimane të Tuzit me rrethinë. Sipas kësaj sipërfaqja e xhamisë duhej të zgjerohej dhe t’i ndërtohej një minare prej druri. Kurse dokumenti tjetër i përket një viti më vonë gjithsej ka tre faqe dhe bën fjalë për rindërtimin e disa mektebeve në kazatë e Shkodrës, Lezhës, Tuzit si dhe disa fshatra të Malësisë dhe Mirditës. Shpenzimet për rikonstruktimin e këtyre shkollave ishin menduar të qenë njëzet e shtatëmijë e nëntëqind grosh. Kurse rroga mujore e mësuesve ishte njëqind e njëzet e pesë grosh. Në këtë dosje tregohet edhe për rëndësinë dhe ndërtimin e mënjë- hershëm të dhjetë xhamive në vendet që kemi përmendur më sipër, njëra prej të cilave edhe në kazanë e Tuzit.

Xhamia e Sulltan Fatih Mehmedit në kalanë e Podgoricës (Podgoriçe):

Dokumentet që flasin për këtë xhami u përkasin viteve 1131/1718, 1173/1759. Gjithashtu ekziston edhe një regjistër ku jepen emrat e punonjësve dhe pensionistëve të vakëfit të Sulltan Mehmedit në Podgoricë dhe disa vendeve të tjera. Dokumenti i vitit 1759 bën fjalë për mosdhënien e hakut të punës punëtorëve që kishin riparuar vakfin e kësaj xhamie dhe urën e Sulltan Muradit.

Xhamia në lagjen Garud të Kasabasë së Nikshiqit (Nikşik):

Kjo dosje i përket vitit 1280/1863 h. dhe ka vetëm një faqe. Në të thuhet se xhamia ka mbetur e shkretë që para dymbëdhjetë vjetësh dhe si shkak i kësaj personat si Bekir Jusufi, Mujo Ali Aga etj. që shfrytëzonin të ardhurat e dyqaneve të vakëfit të xhamisë ishin detyruar të jepnin të holla për rikonstruksionin e kësaj xhamie.

Ndërtimi i një xhamie në Mojkovac (Moykovaç):

Ky dokument i përket vitit 1326/1908 dhe në të bëhet fjalë për ndërtimin e një xhamie dhe medreseje në nahijen e Mojkovacit. Arsyeja ishte se në atë vend nuk kishte as shkollë, as xhami, kur dihej se 9/10-ta e popullsisë së vendit i përkiste besimit islam, ndërsa malazezët që jetonin në anën tjetër të lumit Tara posedonin një kishë dhe shkollë të madhe që ishte ndërtuar para disa viteve. Gjithashtu thuhet se për ndërtimin e saj janë të mjaftueshëm njëzetmijë kurush. Kërkesa për ndërtimin e kësaj xhamie i është dërguar ministrisë së punëve të brendshme si nga autoritetet e Mojkovacit, ashtu edhe nga valiu i Kosovës.

Xhamia e Sulltan Mehmedit në Kalanë e Kollashinit (Kolaşin):

Ky fond i përket vitit 1119/1707 dhe ka një faqe. Në të bëhet fjalë për kërkesën që bëjnë shërbëtorët e kësaj xhamie për rinovimin e vërtetimit të punës me rastin e ardhjes në pushtet të sulltanit.
Sipas një dokumenti tjetër të dërguar ministrisë së punëve të jashtme nga Cetina thuhet se shërbëtorët e xhamive të Nikshiqit (Nikşik), Shpuzit (İşpuzi) dhe Kolashinit (Kolaşin) nuk posedonin asnjë vërtetim pune nga ana e shtetit. Ky dokument i përket vitit 1887, është i përkthyer nga zyra e përkthimit dhe numëron dy faqe.
Në këtë arkiv gjenden edhe dosje të tjera që bëjnë fjalë për ekzistencën e disa xhamive në kalanë e Tivarit (Bar) si ajo e Sulltan Selimit (1102/1690; 1187/1764); Sulltan Muradit (1122/1710: 1211/1796), në Ulqin (Ülgün) xhamia e Fatih Mehmedit (1173/1759) Plevles (Taşlica) si ajo e Gazi Hysejnit (1320/1904); Berane (1319/1901) ku tregohet për imamin e kësaj kasabaje Jusuf Efendiun, si dhe vendet e tjera që sot i përkasin Republikës së Malit të Zi.

Marrë nga arkivi shtetëror i Stambollit:

Fondi: İ..MF.. Gömlek: 1 Dosya; 1310/M-3; Fondi: HR.TO 49/5; Fondi: İ..HUS: 66/1316/ Ra/093; Fondi: İ.TAL. 255/1319-Ca-O35; Fondi: İ..DH.. 1265/99437; Fondi: TR.TO. 47/53; Fondi: İ..DH.. 710/49673; Fondi: C.EV.. 590/29780; Fondi: C.EV.. 94/4667; Fondi: Y.A.HUS. 388/29; Fondi: Y..MTV 312/136; Fondi: A.MKT.MHM. 461/23; Fondi: C..EV.. 272/13876; Fondi: TŞR.BNM. 7/90; Fondi: C.EV.. 137/11802

Ali Bardhi