Në hyrje të kësaj kumtese, e shoh të udhës të jap konstatimin me të cilin pajtohen të gjithë studiuesit tanë se në kuadër të gamës së veprimtarisë botuese të literaturës islame, pa dyshim se përkthimi i Kur’anit zë vend të veçantë dhe ka një shtrirje kohore më se 100-vjeçare. Me përkthimin e Kur’anit gjuhës shqipe iu sigurua statusi i gjuhës me të cilën është arritur përndritja e Shpalljes Hyjnore, kurse popullit tonë i është dhuruar thesari më i shtrenjtë i njerëzimit që është fanar ndriçues për të gjithë popujt e botës, pa dallim ngjyre, race e bindjesh fetare.
1. Dilema e parë që më është sjellë në kokë qe sa vite ishte: kujt i takon merita për ta njohur si përkthyes të parë të Kur’anit në gjuhën shqipe? Përmendet emri i Ilo M. Qafëzezit[1] si përkthyes i parë i Kur’anit i mesit të viteve 20-të të shek. XX e nuk zihet në gojë Naim Bej Frashëri për përkthimin, ta quajmë selektiv, të një sërë ajetesh, me titull Thelb’ i Kur’anit[2] Logjikisht të dy këto përkthime, meqë nuk janë të plota, atëherë do të ishte më e arsyeshme që kjo çështje të shihet edhe në rrafshin kohor, dhe, pa mëdyshje, Naimi duhet të jetë përkthyes i parë i ajeteve të zgjedhura të Kur’anit dhe përderisa nuk zbulohet ndonjë përkthyes më i hershëm, Naimi duhet të mbajë flamurin e përkthyesit të parë në gjuhë shqipe.
1.1 Qafëzezi ka meritat e veta sepse, siç konstaton edhe studiuesi i mirënjohur Gazmend Shpuza, deshi të bëjë “ çështje të kulluar kombëtare” dhe të paraqesë prova të një koncepti të gjerë dhe përparimtar për bashkëjetesën dhe mirëkuptimin midis besimtarëve të feve të ndryshme në atdheun e përbashkët. Është i kuptueshëm edhe karakteri iluminist i tij. Por, kur bëhet fjalë për Kur’anin, çfarë meritash i takojnë një përkthyesi që merr guximin të përkthejë Kur’anin, ose cilin do libër të shenjtë, nga një gjuhë që s’ka as afërsinë më të vogël me gjuhën në të cilën është shpallur? Por tashmë janë të njohura reagimet për përkthimet e Kur’anit, ose çfarëdo vepre tjetër, jo drejtpërdrejtë nga origjinali arabisht, madje ato përkthime kanë dalë të dyshimta dhe jo qëllimmira[3].
1.2 Të kësaj kohe i kemi edhe përpjekjet e para në mënyrë të institucionalizuar, pak kohë pas themelimit të Komunitetit Musliman Shqiptar (1923), kur Hafiz Ali Korça më 1926 bëri hapat e para drejt përkthimit dhe komentimit të Kur’anit; Hafiz Ibrahim Dalliu për 15 vjet, në tri vëllime botoi Ajkën e kuptimeve të Kur’ani Kerimit, që njihet si përkthim më i plotë, krahasuar me përpjekjet e më hershme ose të mëvonshme, të pjesërishme, nga Abdulla Zemblaku (gjatë viteve 30-34) dhe nga Ferit Vokopola i cili ka bërë përkthimin e pjesëve të Kur’anit, të realizuara përmes frëngjishtes në gjuhën shqipe[4]. Por cilat kanë qenë indikacionet që e shtyrën Hafiz Ali Korçën, Hafiz Ibrahim Dalliun, Ali Asllanin, Ferit Vokopolën, Abdulla Zembllakun e ndonjë tjetër që t’i rreken një pune kaq të ndjeshme dhe me përgjegjësi karshi Zotit xh.sh. dhe të gjithë atyre që në Kur’an do të gjenin udhëzuesin e vërtetë të jetës. Para se të japim përgjigje, në lidhje me këtë, më duhet të paraqes një tezë që buron nga të dhënat që i hasim në faqet e Zanit të Naltë[5], të Kulturës Islame[6], të rev. Njeriu[7] etj. Në të vërtetë në këto revista mbushnin faqet të tëra me vaze e nasihate Imam Vehbi Dibra, Behxhet Shapati, Haki Sharofi etj. të cilët njihen njohës të thellë të tefsirit dhe që kanë merita të veçanta se në shkrimet e tyre citatet kur’anore i kanë dhënë, krahas përkthimit, edhe në origjinal, dhe ne drejtpërdrejt vihemi para përkthimeve të Kur’anit nga dora e këtyre muderrizëve të shquar. Dhe, aspak nuk duhet të na habisë nëse nesër a pasnesër dikush boton ndonjë punim ku do të përmblidhte vetëm përkthimet e ajeteve të cilido nga këta autorë që i përmenda, dhe besoj se do të ishin më meritor për përpjekjet e tyre në përkthimin e Kur’anit sesa përkthyesit që ne i përmendim si përkthyes të pjesë- pjesshëm të Kur’ani Kerimit.
Edhe pse është vështirë për të dhënë përgjigje të plotë se cilat ishin indikacionet që e shtynë Hafiz Ali Korçën dhe bashkëkohanikët e tij të bëjnë atë që mundën në përkthimin e Kur’anit, më duket se indikacionet do të jenë të njëjta me ato që i patën Mulla Sherifi, Hasan Efendiu, Profesor Fetiu (në shënimet e ardhshme këtij grupi gjithsesi do t’ia bashkëngjisim edhe Muharrem Bllakçorin e Sali Efendi Feratin) se mu këta kanë qenë njerëzit më të thirrur që t’i dalin zot një pune kaq me përgjegjësi dhe mos mbetet në dorë diletantësh. Dhe askush nuk ka të drejtë morale të thotë për asnjërin prej të apostrofuarve se pse u morën me përkthimin e Kur’anit. Jo, ata kryen një mision të shenjtë dhe mu puna e tyre ka bërë që ne sot të jemi në këtë sesion shkencor, në mos si studiues ne kemi pasur atë të drejtë morale të vijmë të themi dy-tri fjalë për atë që e dimë ne, nxënësit e dikurshëm të Medresesë Alaud-din, për profesorët tanë shpirtndritur, përkthyes të Kur’anit Famëlartë.
PËRKTHIMET E VITEVE TETËDHJETË
2. Historiku i përkthimeve të Kur’ani Kerimit në gjuhën shqipe, pa përkthimet e viteve të tetëdhjeta do të ishte i zbrazët. A thua, vallë, përkthimet brenda dhjetëvjetëshit të tetë të shek. të kaluar ishte shfrim i ndjenjës së hidhërimit a pezmit të akumuluar që nga fillimi i vrazhdësisë së pushtetit monist, apo ishin përpjekje për të korrigjuar ndonjë nismë të më hershme, por të ngelur në mes të rrugës? Sido që të ketë qenë e vërteta, unë do të përmendi me këtë rast vetëm një detal që nuk ka të bëjë me njerëz të proveniencës fetare, por të asaj laike. Ndoshta ishte refleksion i atmosferës politike që u krijua në vend. Hetohej njëfarë liberalizmi në shumë sfera të jetës, si në art, në kulturë, letërsi. Pa e tepruar do të përmendi vetëm një rast. Në fillim të viteve të tetëdhjeta kam dëgjuar në Prishtinë njerëz që shprehnin revoltë kundër Entit të Botimeve të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore se nuk futnin në plan botues përkthimin e Kur’anit, e në anën tjetër, autoritetet e këtij Enti ishin qepur pas letërsisë ruse duke botuar kolana të gjata të autorëve të kësaj letërsie. Në të vërtetë edhe nuk mund të pritej nga entet shtetërore që të botojnë literaturë fetare pasi ndihej njëlloj animoziteti edhe ndaj letërsisë artistike të botës arabe. Unë mbaj mend vetëm një vepër të Mahmud Tejmur-it që u botua në ato vite nga “Rilindja”[8]. Edhe përkundër pengesave të nduarnduarta, fatmirësisht u bënë hapat e para te ne në përkthimin e disa veprave me përmbajtje fetare, në fund të viteve 70-të e në fillim të viteve 80-të. Por kulmi i kësaj veprimtarie u arrit me punën kolosale të Hasan Efendi Nahit, Mulla Sherif Ahmetin dhe akad. Feti Mehdiut që i hynë kësaj pune me një ndjenjë të lartë përgjegjësie, të vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat do të ballafaqoheshin.[9]
2.1. Kur jemi te vitet e përkthimeve të Kur’ani Kerimit, madje edhe në vitet e shtatëdhjeta, në programet mësimore të Universitetit të Prishtinës ne mësonim për Kur’anin, qoftë si vepër letrare apo filozofike. Tash dua të besoj se i është dhënë vend shumë më tepër se atëherë. Por mua më habit fakti se në tekstet e shkollave të mesme edhe sot e kësaj dite figurojnë njësi mësimore për vepra që i takojnë mitologjive të popujve të ndryshëm, kurse për Kur’anin, me sa kam njohuri, nuk është menduar fare. Për këtë lëshim, Ministria e Arsimit duhet të parasheh që në programet aktuale të shkollave tona të mësohet më tepër për librat e shpallura, sesa për mitologjitë dhe trashëgiminë letrare të popujve të lashtë. Por edhe Bashkësia Islame, duhet ta aktualizojë një kërkesë të këtillë sepse është pjesë integrale e këtij sistemi arsimor. E shtrova këtë çështje sepse për çdo ditë e më tepër Kur’ani si libër i shenjtë zë vend meritor në programet mësimore të shumë vendeve evropiane, qoftë në tekstet shkollore të ciklit të mesëm apo universitar. Si shembull më të freskët mund të përmendi Gjermaninë dhe Zvicrën.
Kur të merret parasysh kjo që po ndodh me sistemin arsimor të shumë vendeve evropiane, a thua, vallë, nuk ka ardhur ende koha që Hermeneutika e Kur’anit ose Kur’anologjia të zërë vendin e merituar edhe në sistemin shkollor tonin? Sepse, postulatet kur’anore sa më afër rinisë shkollore që të jenë, aq më e ndritshme do të jetë edhe ardhmja e saj, që të mund të ecë shtigjeve të jetës ballëhapur dhe të jetë mbëltues i vlerave humane e universale të mbarë njerëzimit.
KY ËSHTË 30-VJETORI I KUR’ANIT TË PËRKTHYER
3. Meqë jemi në 30-vjetorin e përkthimit komplet të Kur’anit a.sh., besoj se është koha të shtrohen edhe disa çështje që deri më tash nuk janë zbërthyer sa duhet dhe në mënyrë analitike të jepen përgjigjet e duhura, që të del në shesh i gjithë ai përkushtim i figurave më të ngritura që njohim ne nga vitet e 80-ta. Pse u derdh i gjithë ai mund jo nga një individ por nga disa veta që i njohim ne. Ku qëndron arsyeja e këtij angazhimi? A pati mangësi? A mos qe proces pak i shpejtuar? Për të dhënë përgjigje më e drejtë më së pari duhet të konsultojmë ato pak shënime në parathëniet e përkthimeve përkatëse, ku fare pak janë të qëmtuara qëllimet e punës së tyre.
3.1. Sipas F. Mehdiut, në parathënien e përkthimit të parë, faqe 5, thuhet: “…përkthimi në cilën do gjuhë, pra edhe në gjuhën shqipe, është i pamundur ta përcjellë në mënyrë adekuate origjinalin” dhe se “Njësoj sikurse edhe përkthimet dhe komentimet në gjuhën e tjera, edhe ky në gjuhën shqipe, ka për qëllim ta plotësojë një zbrazëti të kamotshme, sepse jemi ndër popujt e vonuar që Kur’anin nuk e kishim të përkthyer në gjuhën tonë”.[10] Kurse në përkthimin e Hasan Efendiut, në mënyrë të tërthortë kuptojmë nga parathënia e Mulla Sadri Prestreshit, ku thuhet: “Edhe te ne, gjer tani janë bërë përpjekje për përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe, por duke shfrytëzuar përkthimet në gjuhët tjera” dhe se ”Ky përkthim është bërë nga origjinali arabisht dhe është rezultat i punës shumëvjeçare të përkthyesit”.[11] Në të gjitha botimet e Mulla Sherif Ahmetit nuk hasa ndonjë pasus që do të hidhte dritë për qëllimin e kësaj ndërmarrje aq me vlerë.[12]
3.2. Ne që kemi pasur fatin që përkthyesit tanë t’i njohim për së afërmi, kemi atë të drejtë të themi diç më tepër se kushdo tjetër. Hasan Efendiu e njihte arabishten edhe në rrafshin e leksikut të gjuhës arabe edhe në aspektin gramatikor, si student i Az’harit që ishte, por edhe kishte atë dhunti që ia kishte falur Zoti që pas vetes të lërë një xhevahir kaq të çmueshëm. Por edhe puna shumëvjeçare në mësimdhënie edhe më shumë ia pati mundësuar perfeksionimin e gjuhës së Kur’anit. Por, shqipen e ruante atë të vendlindjes. Letrarishten e sotme nuk pati rastin ta mësojë, por njerëzit që i ndihmuan ishin njohës të mirë edhe të gjuhës por edhe të botimit (tipografisë) të një vepre kapitale siç është Kur’ani.
3.3. Mulla Sherifi, nga përvoja e tij arsimore, shqipen e dinte por arabishten e dinte aq sa mund ta dijë një person që nuk ka pasur rast të studiojë në botën arabe (kjo nuk do të thotë se për çdo përkthyes të jetë kriter nxënia e arabishtes në ndonjërin nga shtetet arabe). Është dashur patjetër të mbështetet në përkthimet e boshnjakishtes, konkretisht ai zgjodhi metodologjinë e përkthimit dhe të komentimit të Çausheviqit.
3.4. Feti Mehdiu, mund të them se e ka njohur shqipen, normën e sotme letrare, ka studiuar orientalistikën, e ka njohur edhe boshnjakishten, mbase edhe turqishten, madje ka qenë për një kohë edhe në Kajro në specializim të gjuhës, para se t’i rrekej përkthimit të Kur’anit. Prapëseprapë strumbullar të përkthimit të tij është dashur ta ketë cilindo version të përkthimit boshnjakisht, dhe ai këtë e ka bërë: për nga ana metodologjike e punës është mbështetur në përkthimin e Besim Korkutit, madje nga ky përkthim ka marrë edhe parathënien e Fazlur Rrahmanit.
3.5. Secili nga emrat e përmendur ka pasur arsye shumë të fortë për punën që ka bërë. Është fakt i pamohueshëm se si këta profesorë dhe hoxhallarë tjerë, dikush më shumë e dikush më pak, ka pasur në dorë Ajkën e kuptimeve të Kur’ani Kerimit të Hafiz Ibrahim Dalliut ose përkthimin e Hafiz Ali Korçës, por më së tepërmi janë shërbyer me përkthimet boshnjakisht. Kjo nuk vlen për punën e Hasan Efendiut. Por nuk dua të besoj se qëllimi i tyre ka qenë të zëvendësohet përkthimi boshnjakisht me përkthim shqip. Para së gjithash, jam i bindur thellë se e kanë kuptuar si një punë sublime, të shenjtë, që fjala e All-llahut të thuhet ose të ketë “hijen e tij shqip”, siç e përdori dr. Feti Mehdiu në botimin e dytë, ose të bëhet “Ndërmjetësia për të shpjeguar fjalën e Zotit…për të kuptuar shpirtërisht dhe fizikisht mesazhin hyjnor, për të kapërcyer të gjitha kufizimet njerëzore, për të arritur standardet më të fundit të kulturës, shkencës dhe qytetërimit”, siç thuhet në fjalën e botuesit, të botimit të nëntë të përkthimit të Hasan Efendi Nahit.[13]
A ËSHTË ARRITUR QËLLIMI FINAL?
4. Por, për mua më me interes më duket të bisedohet a është arritur qëllimi final: a i është ofruar lexuesit shqiptar versioni më i përkryer. Ende jo[14]. Arsyet mund të dalin nga ajo që përmenda pak më lartë për përkthyesit e përmendur. Por, jemi të vetëdijshëm se edhe ata e kanë pasur të qartë se nuk do të jenë në gjendje të bëjnë një përkthim të përkryer. Por, gjithsesi, kanë shpresuar në mbështetjen e shokëve e dashamirëve, redaktorëve, lektorëve, recensentëve, që përkthimi i tyre të jetë sa më afër origjinalit. Këtu mund të shtoj një detal nga përvoja ime, që lidhet me përkthimin e Feti Mehdiut, edhe pse në atë kohë bëja hapat e para në redaktimit gjuhësor të ndonjë shkrimi. Kur prof. Fetiu ma dha materialin për të bërë lekturën, i thash vetes: po këtu paska punë për pesë vjet edhe atë duke afruar arabologë e albanologë të regjur, islamologë, mufessirë, kulturologë, orientalistë dhe njerëz të profileve të afërta që puna të del sa më e kompletuar. Kjo ndoshta ka mundur të bëhet, por si duket ka munguar guximi i disa studiuesve tanë, duke menduar se nuk janë të denjë për këtë punë dhe se është teren i panjohur për ta. Fatmirësisht ata që patën, para së gjithash, tabanin e shëndoshë fetar, edhe pse të pakët, pranuan që të japin ndihmesën e tyre, duke vënë në rrezik edhe pozitën e tyre shoqërore nëpër institucionet ku punonin. Sa për ilustrim lidhur me këtë po ju sjelli një ngjarje që më ka ndodhur mua: me rastin e 90-vjetorit të vdekjes së Naim Bej Frashërit, përgatita kumtesën “Elementet fetare në veprën e Naim Frashërit”[15]. Këtë material ua ofrova disa studiuesve tanë të afirmuar në Maqedoni, që të japin vlerësimin e tyre ose ndonjë vërejtje eventuale, meqë i njihja si njerëz me përvojë në fushën e historisë së letërsisë sonë. Të gjithë u deklaruan se nuk e kanë të njohur fare këtë brumë. Çdo koment do të ishte i tepërt.
PËRKTHIMI I KUR’ANIT KERIMIT NË RAFSHIN GJUHËSOR: MBI BAZA TË GJUHËS STANDARDE-PA ASNJË DILEMË, POR JO NË DËM TË ORIGJINALIT
5. Edhe pse nuk jemi të prirët që gjërat t’i japin në superlativ, duke dashur që të jemi të realtë në këto shqyrtime, duke dashur që të themi të vërtetën shkencore, edhe në qoftë e hidhur, por nuk mund të anashkalojmë një temë a dilemë që do të ishte më e dhimbshmja dhe që do të paraqiste anën tjetër të medaljes. Sado që të mundohem të paraqes në formën më të zbutur, prapëseprapë nuk mund të lejojmë pa reaguar mu ashtu si u reagua 100 e sa vjet më parë në punën e Jani Vretos, kur herri fjalët e huaja (orientalizmat) nga vepra e bejtexhinjve, dhe i zhveshi nga petku fetar dhe, siç dihet, studiuesit e të gjitha kohërave ia zunë për të madhe dhe gjithnjë e kritikuan. Edhe për përpjekjet e sotme për hir të ruajtjes së pastërtisë së normës standarde të gjuhës së sotme letrare shqipe nuk ka ndihmuar as sa një pikë drejt përkimit me origjinalin e tekstit kur’anor. E kundërta ka ndodhur. E them këtë sepse procesi i standardizimit të gjuhës letrare është proces i gjallë që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Do të thotë ende nuk ka përfunduar. Këtë e dëshmojnë edhe përfundimet nga mbledhja e Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, mbajtur në Tiranë më 16.04.2013 (të filluar më 2012, me rastin e 40-vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit), ku kërkohet që fjalët Zot, Perëndi, All-llah të shkruhen me shkronjë të madhe nistore, si dhe emrat e festave Bajrami, Pashkët, Krishtlindjet. Do të dëshiroja që mu Kur’ani, gjegjësisht përkthimi i Kur’anit të ishte A-ja dhe Zh-ja e përdorimit të drejtë të terminologjisë islame. Edhe pse kjo temë u trajtua në Sesionin shkencor të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Fakulteti i Studimeve Islame,[16] më 10 nëntor 2005,edhe sot e kësaj dite, pas dhjetë vitesh të plota, ende hasim në divergjenca të shumta pikë së pari rreth përdorimit të drejtë të fjalës Kur’an e të mos flasim edhe për një sërë fjalësh tjera të kësaj natyre. Të gjithë mund t’i kuptoj por shokët tanë që kanë mbaruar Medresenë ose Fakultetin e Studimeve Islame dhe në shkrimet e veta të përdorin fjalën Kur’an (Kuran) pa apostrof ose fjalët All-llah dhe Muhammed (kur është fjala për Pejgamberin tonë a.s.) pa teshdid, me të vërtetë për mua është e pakuptimtë.[17]
5.1. Dikur edhe profesorëve të mi, kur u thosha se nuk ka gjuhë në botë në të cilën kërkohej që fjalët Zot, Perëndi, Hyjni të shkruhen me shkronjë të vogël, më thoshin: ashtu e parasheh drejtshkrimi. E sot, këtu nëse ju them juve, kolegë të mi, se fjalët Kur’an, All-llah, Muhammed, etj. do të shkruhen me apostrof e teshdid, nuk e di çfarë përgjigjeje do të marr, por e di se kjo do të ndodhë. Me këtë rast unë vetëm do të paraqes disa të dhëna të shkurta, vetëm për fjalët All-llah, Muhammed dhe Kur’an, se si i kanë shkruar tre përkthyesit tanë. Në përkthimin e parë dhe të dytë të Feti Mehdiut këto fjalë shkruhen: All-llah, Kur’an dhe Muhammed, pra me teshdid dhe apostrof. Në botimin e parë, të vitit 1988, të Mulla Sherifit këto fjalë shkruhen: Kur’ani, Muhamedi, Allahu. Në botimin e Kajros(1992) shkruhen: Allahu, Kur’ani, Muhamedi. Në fusnotën e parë të këtij botimi(f. 27) jepet ky shënim: Origjinali i këtij emri në gjuhën arabe është All-llah. Kurse në botimin e Medines i kemi: Kur’ani, Muhammedi, All-llahu. Edhe Hasan Efendiu i përdor po në trajtën e posa shënuar: All-llahu, Kur’ani, Hazreti Muhammedi.
5.2. Do të kisha kërkuar që edhe nga ky sesion shkencor të formohet një grup punues dhe, në mos për të gjitha, bile për disa fjalë që i përdorim më shpesh të marrim një qëndrim të prerë dhe të përdoren konform gjuhës së Kur’anit, ose le të ndodh e kundërta: kushdo qoftë le të më sjell argumente të forta që edhe unë të pajtohem me ta e t’i përdorim të gjithë njësoj fjalët e terminologjisë islame ashtu sikur të duam t’ia bëjmë qejfin dikujt. Realisht në këtë sesion unë kam pritur që dikush do të merr të trajtojë mu këtë segment të rëndësishëm të përdorimit të drejtë të terminologjisë islame, qoftë në tekstet e përkthyera ose në ato origjinale, dhe të hiqen njëherë e përgjithmonë dilemat rreth përdorimit konsekuent të kësaj gjedhe të fjalëve të proveniencës islame.
SI PËRFUNDIM:
6. Edhe përkundër vërejtjeve që kanë pasur dhe që mund të kenë edhe sot, prapëseprapë të gjitha përkthimet e deritashme nuk janë nën nivelin e përkthimeve boshnjakisht, turqisht apo të ndonjë gjuhe tjetër. Dhe, thënë pak edhe me gjuhën e një diplomati dhe atdhetari të shquar të viteve të tridhjeta, kurrë nuk ka pasur nevojë të del dikush e të thotë: Hoxhallarë, merrni e përkthejeni Kur’anin nga arabishtja, sepse përkthimi nga anglishtja a ndonjë gjuhë tjetër nuk vlen as për pesë pare. Ky aluzion mund të kuptohet drejtë vetëm nga ata që e kanë të njohur historinë e përkthimeve të Rubaive në gjuhën shqipe, kur Rauf Fico i pat sugjeruar Hafiz Ali Korçës që të bëjë përkthimin e Rubaive nga origjinali persisht. Jo vetëm Rubaitë, por edhe pjesë nga Shahnameja e Firdusit si dhe librin Gjylistani Hafiz Aliu i ka përkthyer me insistimin e R. Ficos[18]. Vetëm e vetëm që t’i shmangen përkthimit të përkthimit.
6.1 Nuk do të ishte normale po qe se do të pranonim se me përkthimin e Kur’anit gjithçka është në rregull. Po qe se ka njerëz që mendojnë se çështja e përkthimeve të Kur’anit më mirë të mos preket sesa të konfrontohen njerëzit, me vend e pa vend, nuk mban, fare. Është e vërtetë se askush nuk do të dëshironte që Kur’ani të jetë, mos dhëntë Zoti, mollë sherri, shkak i zënkave ndërmjet njerëzve. Por, nga puna ime më se 30- vjeçare, që nga botimi i parë i përkthimit të Feti Mehdiut e deri më sot, shpesh më ndodh, gjatë redaktimit të ndonjë teksti me përmbajtje fetare, më bien në sy përkthime që detyrohem të them se kjo është e pamundshme të jetë ajet kur’anor dhe detyrohem të krahasoj më shumë përkthime ose të kërkoj ndihmë nga shokët e punës që e njohin edhe arabishten edhe tefsirin, dhe t’i jap kuptimin e qëlluar. E përmenda këtë fakt me bindje të thellë se edhe të gjithë lektorët, redaktorët, recensentët tanë përballen me të njëjtin problem.
Është fakt se me çështjen e përkthimit të Kur’anit janë marrë dijetarët më eminentë të proveniencës islame, dhe të gjithë kanë dhënë mendimet e veta lidhur me të. Duke i analizuar pohimet e tyre, mund të konstatojmë se përkthyesit e të gjitha kohërave nuk kanë qenë kategorik që mos përkthehet Kur’ani, por janë pajtuar ky thesar hyjnor t’iu ofrohet popujve të mbarë botës. Dhe së fundi duhet të pajtohemi me këto dy konstatime që mund t’i përdorim si moto. E para e Imam Vehbi Dibrës, që del nga deklarata e tij me rastin e botimit të disa pjesëve të Kur’anit në turqisht dhe shqip. Ai thotë: “Si kur qi dihet Kur-ani asht fjala e madhnueshme e krijuesit të Gjithsis, prandaj lypset me u përkthye madhnisht e nuk asht punë qi mbarohet me pendën e meftshme të mend shkurtënve”. Kurse për përkthimet me gabime thotë: “ me këndue ksi soj librash se gabimet qi duken sheshit në përkthimet e përmendura mund t’u ngatrrojn besimin e prandaj i porosisim qi të mos u napin randsië dhe mos t’i këndojnë fare[19]. Ndërsa maksima tjetër është e Enes Katiqit, ku thotë: “Kur’ani nuk ka mundësi të përkthehet, por ai pa tjetër duhet përkthyer”[20].
Mr. Elez ISMAILI
Profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Medresenë “Isa Beu”- Shkup.
________________________
[1] Sipas studiuesit tonë të njohur Gazmend Shpuza, përkthimi i Ilo M. Qafëzezit është i pari përkthim i Kur’anit në gjuhën shqipe nga një bashkatdhetar ortodoks. Është përkthim i pjesshëm i mbështetur në përkthimin anglisht të bërë nga George Sale. http://kuranifisnik.net/kuranifisnik/Artikuj/default.asp?NrArtikull=273
[2] Thelb i Kur’anit, pjesë përbërëse e veprës Mësime në botimin e kompletit të veprave të Naimit, si në Tiranë po ashtu edhe në Prishtinë, nuk përmendet fare. Botimin e parë të kësaj vepre e ka bërë vetë Naimi në Bukuresht më 1894. Studimin më të plotë të këtij kontributi e ka bërë dr. Mahmud Hysa. Më gjerësisht shih studimin me titull Naim Frashëri si përkthyes i një varianti të Kur’anit të këtij autori në veprën Alamiada shqiptare II Logos-A, Shkup 2000, fq.39-79.
[3] Për përkthimin e I.M. Qafëzezit do të mjaftonte edhe reagimi i Imam Vehbi Dibrës në Zanin e Naltë, nr.12 të vitit 1924, f. 384 që është i njëjtë me reagimin e ulemave boshnjakë rreth përkthimit të Lubibratiqit. Sipas Enes Kariqit, vepra e cituar në fusnotën nr. 13.
[4] Gazmend Shpuza, punimi i cituar.
[5] Zani i Naltë, organ i Komunitetit Musliman Shqiptar, Tiranë 1924.
[6] Kultura Islame, Komuniteti Musliman shqiptar, E përmuajshme Fetare, Filozofike, Morale e Shoqnore, Tiranë.
[7] Njeriu, Revistë e përmuajshme shpirtnore kulturore, Tiranë 1942.
[8] Mahmud Tejmur, Haxhi Çelebiu, “Rilindja”, Prishtinë 1968. Përkthyer nga Hasan Kaleshi.
[9] Në këtë kontekst do të mjaftonin disa pasuse nga kumtesa ime ose e referuesve tjerë nga punimet e sesionit shkencor kushtuar Hasan Efendisë, ku bëhet fjalë për peripecitë e tij me rastin e botimit të përkthimit të Kur’anit në Zagreb, nga Shtëpia Botuese “Ognjen Prica”. Shih: Muderriz Hasan ef. Nahi, Jeta dhe vepra (1905-1991) Botoi Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Prishtinë 2012.
[10] Kur’ani, E përktheu Feti Mehdiu, botues: Kryesia e Bashkësisë Islame, Prishtinë 1985
[11] Kur’ani i Madhëruar, e përktheu nga arabishtja Prof. Hasan I. Nahi, Prishtinë 1988.
[12] Kur’an-i, Përkthim me Komentim. Përktheu dhe komentoi H. Sherif Ahmeti, Botues: Kryesia e Bashkësisë Islame, Prishtinë 1988.
[13] Kur’ani i Madhërishëm në gjuhën shqipe, Përktheu nga gjuha arabe Prof. Hasan I. Nahi. Botues: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, Tiranë 2012.
[14] Shprehja “Ende jo”, mund të shkaktojë reagime. Për atë, duke dashur që dikush mos e keqinterpretojë këtë konstatim timin, ose të japë kualifikime superiore, qoftë për përkthimet që i kemi marrë në shqyrtim, apo edhe për përkthimet e tjera, në gjuhë të ndryshme, unë do të sugjeroja studimin i Enes Kariqit, ku ai jep të dhëna të hollësishme mbi përkthimet e Kur’anit duke filluar me përkthimin e Fatihasë nga muslimani i parë persian (gjysma e parë e shek. VII) e deri te përkthyesi i fundit në gj. boshnjake, Besim Korkut. Po ashtu edhe punimi i prof.. Nexhat Ibrahimit na ofron të dhëna të mjaftueshme për historikun e përkthimit të Kur’anit në përgjithësi dhe te shqiptarët, në veçanti. Për më shumë shih: http://kuranifisnik.net/kuranifisnik/Artikuj/default.asp?NrArtikull=275.
Për ne ka rëndësi të vëmë një paralele ndërmjet përkthimit të Lubobratiqit dhe të I.M. Qafëzezit. Sepse duke e njohur sa më për së afërmi punën e Lubobratiqit, do të kuptojmë, edhe qëllimin e Qafëzezit. Në veprën e tij Tefsir-hyrje në shkencën e tefsirit, botim i Bosanska knjiga, Sarajevo 1995, faqe 264 në kapitullin mbi përkthimet e Kur’anit që nga Miqo Lubobratiqi deri te Besim Korkuti, autori na jep profilin e vërtetë të përkthyesit Lubobratiq i cili e ka përkthyer Kur’anin nga rusishtja, kurse në rusisht nga frëngjishtja edhe atë për t’i pajtuar Sërbët “me muhamedanët e kombësisë sërbe”. Ai njihej si udhëheqës i kryengritësve hercegovas dhe person që proklamonte “bashkëpunimin vëllazëror të serbëve dhe muslimanëve boshnjakë” dhe ky gjest i Lubobratiçit nga ana e ulemave të kohës u trajtua si hap antiislam par exellence.
[15] Elez Ismaili, Elementet fetare në veprën e Naim Frashërit, revista JEHONA, Shkup, nr.1/ 1991, fq.62-70.
[16] Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës- Fakulteti i Studimeve Islame, Terminologjia Islame, Prishtinë 2006.
[17] Lidhur me këtë çështje, i kam shfletuar edhe disa përkthime në gjuhë të ndryshme të botës. Kam hetuar se gjithnjë e më tepër shihet tendenca e përdorimit të këtyre fjalëve, sa më afër gjuhës së Kur’anit, ashtu si u propozua nga shumica e referuesve në Sesionin shkencor, të shënuar fusnotën 14.
[18] Dr. Shyqyri Hysi, Rauf Fico- shtetar dhe diplomat i shquar (monografi), Tiranë 2007. Në faqen 231 të kësaj monografie shkruan se parathënien e Rubaive e shkroi shoku i studimeve, Rauf Fico. Mes tjerash thuhet: “Hafiz Ali Korça, që e njihte mirë persishten, me nxitjen dhe të Rauf Ficos bëri përkthimin të kësaj vepre madhështore persiane.” Ndërsa, pak më poshtë, jepet ky pasus nga parathënia e Ficos: “Unë prej Aliut kam marrë edhe disa mësime persisht. Nuk besoj që të ndodhet ndonjë njeri në Shqipëri që ta zotërojë persishten kaq mirë sa ky. Ai librin “Gjylistani”, ashtu edhe disa pjesë nga Shahnameja e Firdusit i ka përkthyer me shtytjen time”. E dhashë këtë shembull vetëm e vetëm që t’ua bëjë me dije studiuesve tanë se edhe sot gjenden mecenë të vërtetë që mundohen që e vërteta shkencore të del në sipërfaqe. Këto të dhëna që u përmendën si dhe faktin se Ali Asllani ka bërë përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe m’i ka konfirmuar qysh më 1991, Bardhyl Fico, i biri i Rauf Ficos.
[19] Deklaratë e Krye Muftiut, Zani i Naltë, nr.12, Shtatur 1924, f. 384.
[20] Enes Kariq, vep. e cit.
(Islampress)