Dorëhiqet Bedri Hamza

Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Financave. Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”, sipas të cilave, ekzekutivi i vendit tashmë e ka miratuar dorëheqjen e tij.

“Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka dhënë dorëheqje nga pozita. Gjatë kësaj jave pritet ta bëj publik këtë vendim. Edhe Qeveria e ka pranuar dorëheqjen e ministrit”, ka potencuar burimi.
Sipas këtij burimi, pas dorëheqjes nga posti i rëndësishëm në kuadër të Qeverisë, për Bedri Hamzën janë në dispozicion dy pozita të larta institucionale. Ai pritet në emërohet përfaqësues i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar në Uashington, ose guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), të cilën pozitë aktualisht është duke e ushtruar Gani Gërguri.
“Pas miratimit të buxhetit 2013 nga Kuvendi i Kosovës, Bedri Hamza e ka kryer punën kryesore që i takon në krye të Ministrisë së Financave, prandaj, ka qenë i lirë të ofroj dorëheqje”, ka sqaruar burimi.
Megjithatë, burimet e “Zërit” nuk kanë mundur të përmendin arsyet e vërteta të dorëheqjes së Bedri Hamzës nga njëra prej pozitave më të rëndësishme në kuadër të Qeverisë së Kosovës.
Gazeta gjatë ditës së diel disa herë ka tentuar ta kontaktoj ministrin Bedri Hamza nëpërmjet telefonit të tij, mirëpo një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur, pasi që ai muaj më parë kishte bërë të ditur se ka hequr dorë nga mbajtja e telefonit personal.
Para se të zgjidhet ministër i Financave, Bedri Hamza, ka qenë zëvendësministër i Financave, në kohën kur në krye të kësaj Ministrie ishte Ahmet Shala./Ind/kohaislame

Artikulli paraprakForumi i Të Rinjve Muslimanë përgëzon Ramush Haradinaj
Artikulli vijuesMubarak shkon në rigjykim