Katër biseda të reja telefonike të Adem Grabovcit që sjell Insajderi në pjesën e XX-të të Dosjes së Shefave, zbulojnë servilizmin e një doktori për t’i shërbyer shefit kurdo dhe në çdo kohë. Bisedat dëshmojnë ndikimin e Grabovcit edhe në shëndetësi, e institucione tjera. Ai, zgjedh njerëzit e vetë për ta mundur Ilir Tolajn, një ish-sekretar të Ministrisë së Shëndetësisë. Grabovci thoshte se puna ka hyrë me inati dhe duhet të kryhet bindshëm.
Një doktor i ishte betuar Adem Grabovcit, që do t’i kryente të gjitha obligimet që ia ngarkonte ai.
Doktori, i paidentifikuar ishte caktuar nga Grabovci si kryesues i një komisioni për zgjedhjen e një zyrtari të lartë shtetëror.
Grabovci, kërkonte që njeriu i tij të fitonte bindshëm sepse siç thoshte ai, “puna është me inati me Ilir Tolajn”.
Në një bisedë telefonike mes Grabovcit dhe këtij doktori, dëshmohet se ai kishte qenë edhe në komisione tjera. Por, në një rast, ministri e kishte hequr për shkak të konfliktit.
Kësaj radhe, zotohej se nëse Grabovci e vendoste në krye të komisionit, atëherë do të kryente punë. Ky doktor, kishte kërkuar që pos Ilhami Gashit, ta kishte në komision edhe Arben Çitakun, i cili aktualisht është sekretar në Ministrinë e Ambientit.
Ndërkohë, anëtarë tjerë ishin caktuar Isuf Dedushaj dhe Ramush Beiqi. Me Dedushajn nuk kishin asnjë problem, derisa për Beiqin garantonte ky doktor se do ta bindte të mos dilte kundër.
Në një bisedë tjetër në mes të Grabovcit dhe Ilhami Gashit, flasin për sistemimin e Ganimete Rifajt.
Grabovci, e porosit Gashin , ish-sekretar i Ministrisë së Punëve të Brendshme që vendosej në krye të shumë komisioneve, që ta ketë parasysh Ganimete Rifaj. Për këtë do të bisedonin detaljisht kur të takoheshin, pas një takimi që do ta kryente Grabovci me Ambasadën Amerikane.
Gjatë bisedave telefonike, Grabovci i garantonte një personi që do të sistemohej në një institucion, por jo në pozitën që donte kandidati. Arsyeja pse nuk mund të ndodhte kjo, ishte mungesa e certifikimit për kontabilitet. Megjithatë, Grabovci e garantonte se do të sistemohej po në atë institucion.
Në fillim të bisedës së parë, doktori i tregon Grabovcit se po e shikonte Shaip Mujën në një debat me Rexhep Selimin. Doktori i thoshte se Muja e kishte qitë prej sistemi, Selimin. Grabovci, i tregon doktorit se ia kishte dhënë disa dokumente Mujës për këtë debat.
Ata, kalojnë drejtë në temën e krijimit të komisionit. Biseda zbulon se bëhej fjalë për një institucion që kishte të bënte me shëndetësi.
“A ki drejtë…, me kanë prapë aty ku…, ku je kanë”, interesohet Grabovci, teksa doktori i thotë se me dashtë ministri e vendos.
“Paj, vallahin, me dashtë, me dashtë, ai ministri m’qet, se kit herën e dytë, osht anulu me vendim tinaj, për shkak t’konflikti edhe… Edhe personat, konfliktuoz, a din n’qit rastin e dytë, kur kem, u ka… A din kishe, jon kanë Iliri edhe ai Nazi”, thotë doktori.
“Po…, e tash unë e kom lujt ni rol shumë amortizues aty, a din shumë konstruktiv… Ai, me dasht për hir t’përvojes, e t’konstruktivitetit, e sene, munet mem qit aty”, shpjegon doktori.
“Atëherë, po dufka me shku ti… Ilhamia… Edhe njo tjetër, kon ta kish marr menja”, e pyet Grabobvci. Doktori e kërkon Arben Çitakun.
“Atëherë ti e din edhe… ti mu bo kryesues… Për… përderisa, përderisa, ka propozu, Isufin, Dedushin… Atëherë, ki drejt edhe ti”, shton shefi.
“Po se Isufin, e kom pas edhe dy herë tjera… Kom drejt lirisht, se unë jom ka…, unë jon kanë në konsultime konstruktive që e kom amortizua, atë fërkim aty…, a pe din”, e pyet doktori, shefin.
“U bo pra atëherë, pot… Po, po…, për atë arsye, qashtu po ja bajmë”, shton Grabobci.
“Jo valla, bonum shlirë, se unë pa e kry se la”, zotohet doktori.
Grabovci i tregon për Ramush Beiqin që ishte caktuar nga dikush tjetër. Kërkonte që të bindej që edhe ai të mos votonte ndryshe nga doktori, Ilhami Gashi e Arben Çitaku.
“Po, Ramush Beiqi oshtë kardiolog, pediatër… Njihna me Ramushin, muj me kthye pozitiv, Ramushin”, thotë doktori.
“Munesh me kthy a? Bravo”, e lavdëron Grabovci.
“Muj me kthy, po besoj që muj, 99 për qind, muj”, garanton doktori. E, Grabovci i thotë se ka hy puna me inat, me Ilirin.
“Ti e din tashti, aty ka hi puna mo me inati, me Ilirin… Aty din me çdo kusht… duhet, duhet bindshëm, bindshëm me ec”, i thotë Grabovci.
“Unë, jom n’shërbim, t’asaj pune pa problem”, rikonfirmon doktori.
Insajderi sjell katër biseda të reja në pjesën e XX-të të Dosjes së Shefave.