Dr. Shefqet Krasniqi: Sheriati tingëllon shijshëm në zemrat dhe mendjet, ndalon korrupsionin dhe keqpërdorimet

Hoxhë Dr. Shefqet Krasniqi thotë se institucionet nuk do të lejojnë që në Kosovë të instalohet Sheriati, por është ngazëllyer nga një propozim i Ministrit Gjerman të Drejtësisë që pjesë të ligjit islamik të përfshihen në legjislacionin e këtij shteti. Dr. Krasniqi thotë se Sheriati është i ëmbël si bakllavaja – ndalon korrupsionin dhe keqpërdorimet. Në një intervistë për Express, hoxha ka komentuar edhe rreth deklaratave të islamofobes Alma Lama.

Imami Dr. Shefqet Krasniqi thotë se nuk merret me njerëz që kanë probleme me identitetin, sidomos me ata që, sipas tij, nuk e dinë se kush janë dhe çka duan.

Kështu flet ai kur pyetet rreth një deklarate që ka bërë deputetja e LDK’së Alma Lama.

Veç një ditë pasi kjo deputete tha se do të jepte dorëheqje nga LDK, nëse kjo parti përkrah agjenda islamike, imami Krasniqi ka reaguar ndaj saj. Thotë se asaj i ka humbur “Kibla”.

“Nuk merrem me njerëz të cilët nuk e dinë kush janë e çka janë, dhe në fakt, nuk dinë se çka po donë. Njerëz të cilëve u ka humbur orientimi dhe u është përzier “busulla” herë andej e herë këndej, njerëz të cilët donë të bëjnë emër përmes islamofobisë”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për Express.

Ai madje i sugjeron Lamës dhe deputetëve, që të lexojnë më shumë për të drejtat e njeriut dhe liritë e garantuara të manifestimit të besimit fetar, e jo të japin deklarata të lloj-llojshme.

“Le të marrin mësim nga Austria, Belgjika, Norvegjia e kohëve të fundit edhe Gjermania se si i kanë integruar komunitet muslimane në shoqëritë e tyre dhe si i kanë rregulluar marrëdhëniet fe-shtet, përfshirë këtu edhe fenë islame dhe çështjet juridike të sheriatit në Europë”, ka thënë ai

Krasniqi ka komentuar edhe rreth një kërkese të Ministrit të Drejtësisë në Gjermani, i cili kërkoi që në pjesë të ligjit gjerman të futet edhe ligji i Sheriatit.

“Kërkesa e tij, dëshmon se njerëzit nuk flasin nga mllefi, urrejtja e paragjykimet, por flasin nga arsyeja e shëndoshë, logjika, njohja e rrethanave dhe realiteti që po shfaqet përditë e më shumë në shoqëritë perëndimore”.

Kjo pasi vlerëson se Islami është fe gjithëpërfshirëse e të gjitha lëmenjve të jetës, sheriati-ligjet dhe normat e të cilës janë të vlefshme për të gjitha kohët dhe vendet.

“Ndaj jo vetëm në Gjermani, aktualisht, por edhe në Angli më herët është diskutuar mbi mundësitë e përfshirjes se një pjesë juridike të sheriatit në legjislaturën angleze, veçanërisht normat dhe aktet që kanë të bëjnë me të drejtën civile”, është shprehur Krasniqi.

Derisa thotë se do të ishte mirë që deputetët e Kuvendit të Kosovës të ndjekin shembullin e Gjermanisë. Pavarësisht se imami Krasniqi vlerëson se Qeveria dhe Presidenca frikësohen nga vet emri i Islamit.

“Ata frikësohen nga vet emri i Islamit edhe pse shumica i përkasin vet kësaj feje por nuk dinë thuajse asgjë në lidhje me të. Ata, çuditërisht madje edhe ato, flasin me urrejtje për një copë leckë mbi kokë, pra shaminë, ani pse që të gjithë janë tundur dhe edukuar nga dora e nënave që kanë pasur të mbuluar kokën e tyre në një formë ose tjetër”, sqaron Krasniqi.

“A thua do të mbledhin mend ndonjëherë këta tanët, a do të ndihen të turpëruar për atë çfarë kanë thënë apo do të vazhdojnë edhe më tej të jetojnë me idetë komuniste të shekullit të kaluar!?”

Duke u nisur nga kjo, imami Krasniqi nuk pret kurrë që deputetët e Kosovës të propozojnë ndonjëherë që Sheriati të përmendet në Kuvend.

“Këta deputet që sheriatin dhe fenë nuk e njohin për vete si mund të presim që ata të përkrahin një gjë të tillë për popullin”

Pavarësisht se thotë që nëse do të futej ligji i Sheriatit në ligje të Kosovës, korrupsioni dhe keqpërdorimet e tjera do të zhdukeshin. Pasi sipas tij, ky ligj mysliman i kundërshton rreptë këto fenomene. “Unë besoj se përmes sheriatit do të bëhej ndryshim i rrënjësishëm dhe këta njerëz nuk janë të gatshme as për ndryshim minimal.

E mendon se nëse Ligji i Sheriatit do të futej në Kosovë, sistemi juridik këtu do të mund të përfitonte shumë më shumë sesa sistemi juridik gjerman.

“Kjo për shkak se përqindja e myslimanëve në Gjermani është shumë më e vogël sesa e atyre në Kosovë dhe për shkak se edhe ashtu gjykimi apo marrëveshjet jashtë gjyqësore, siç njihet në fushën juridike, në vendin tonë shpesh bëhen në bazë të sistemit normativ të sheriatit, pra pleqësitë e ndryshme kur arbitër janë vet hoxhallarët”.

Prandaj thotë se çka do që të praktikohej nga sheriati do të ishte e ëmbël, ngase sheriati tingëllon shijshëm në zemrat dhe mendjet e besimtarëve ndaj shpeshherë vetë emri dhe imazhi do të ofronte zgjidhje pa përdorur ekzekutivin. “Pra, me një shembull të thjeshtë do të thosha se nëse para vetes ke një tepsi bakllavë, cilëndo pjesë që do të fillosh të hash nuk do të të bënte keq pasi që e tëra është e mirë”.

Artikulli paraprakArrestohen djemtë e tre ministrave turq, nën akuzat për mitmarrje
Artikulli vijuesRaketat ruse frikësojnë Europën