Droga pushton adoleshentët në Shqipëri

Shoqërisë sonë i shkaktohet një dëm prej afro 1,3 miliardë dollarë në vit nga veprimtaria e krimit të organizuar.
Sipas studimit “Vlerësimi i riskut të krimit të organizuar”, i kryer me mbështetjen e Fondacionit “Shoqëria e hapur për Shqipërinë”, në vendin toneë krimi vijon të sofistikohet. Në fushën e drogës, e cila zë 42 për qind të problematikës, trafikantët kanë krijuar lidhje me tregun kriminal jashtë vendit.
Raportohet se, për drogat e forta rrjetet ndërkombëtare përdorin rrugën ballkanike e për pasojë edhe Shqipërinë, për të tranzituar ngarkesat, pa lënë jashtë vëmendjes edhe përpjekjet për të instaluar laboratorë në Shqipëri.
Studimi nënvizon se, ende nuk ka statistika zyrtare se sa është numri i përdoruesve të kanabisit, që shikohet si hapi i parë drejt drogave të forta. Raporti shikon me shqetësim edhe përdorimin e ekstazisë nga moshat e vogla.
“Mendoj që pjesës së ekzastisë i duhet kushtuar rëndësi, sepse nga kërkimet tona nuk gjetëm një politikë të fokusuar në këtë drejtim”, thotë studiuesi Fabjan Zhilla.
Duke treguar portretin e krimit të organizuar, në raport thuhet se, gjobëvënia po përdoret edhe nga vetë bizneset, që duke u lidhur me grupet kriminale përdorin shantazh ndaj konkurrentëve. Gjithashtu, edhe tek vrasjet e porositura, raporti thekson, se shikohet një bashkëpunim me vrasësit me pagesë, që nga ana e tyre po rekrutojnë adoleshentë.
“Pas vitit 2011, vrasjet me pagesë janë sofistikuar dhe po na shfaqen tiparet e para të vrasësve profesionistë”, theksoi Zhilla.
Për ta bërë më të qartë panoramën, drejtori ekzekutiv i Fondacionit ‘Soros’, Andi Dobrushi e ilustroi situatën e kriminalitetit të ngjashme me filmin “Kumbari”, ndërkohë që shtoi se “nuk mund të luftohet krimi pa e njohur atë”.
“Përsa i përket krimit të organizuar, përpara se të ndërtojmë strategjinë e luftës kundër tij, më parë duhet ta njohim atë në të gjithë karakteristikat e tij”, theksoi Dobrushi.
E ndërsa sugjerohet që beteja të nisë duke luftuar korrupsionin brenda agjencive ligjzbatuese, Silda Anagnosti, drejtoresha e kabinetit të Ministrisë së Brendshme, kërkon më shumë punë edhe nga organet e tjera.
“Janë pasuritë e pajustifikuara ato, që nëse do të hetohen me kujdes, do të çojnë te kokat e krimit të organizuar. Theksoj nevojën, që jo vetëm policia të bëjë punën e vet, por edhe Prokuroria dhe Gjykata ta ndjekin me të njëjtin hap”, theksoi Anagnosti.
Por Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, e konsideron më komplekse betejën ndaj krimit të organizuar, e cila për momentin i ka futur institucionet në një rreth vicioz.
“Këtij rrethi vicioz i duhet gjetur zgjidhja, duhet të dalim prej tij. Organet e zbatimit të ligjit t’i kemi sa më të pavarura. Edhe zelli i madh i politikës të mos tregohet duke i udhëhequr këto organe se si të zbatojnë ligjit, t’i mësojnë ato si të zbatojnë ligjin, por duke i lënë të pavarur për të zbatuar ligjin dhe për të hetuar edhe ata vetë”, tha Didi. / Top Channel/
Artikulli paraprakJahjaga dekreton ligjin kundër pjesëmarrjes në luftërat e huaja
Artikulli vijuesDaçiq: U dakorduam, Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të jetë OJQ