“Dukagjini 2”, asgjësohen 20 mijë rrënjë kanabis në ditën e parë

Në foto – Forca të policisë në Dukagjin, në përpjekje për të asgjësuar parcelat me kanabis që janë mbjellë për të dytin vit me radhë

Parcelat – E zbuluara kanë nga 40 deri në 200 bimë kanabis të gjatësisë nga 60 deri ne 240 centimetra të larta

Aksioni – Policia bëri 28 grupe në zonën e Dukagjinit, ku mendohet se në total gjenden mbi 200 parcela me kanabis

Për të dytin vit me radhë, policia ka organizuar një operacion për asgjësimin e parcelave të mbjella me kanabis sativa në zonën e Dukagjinit. Më shumë se 450 forca policore, si dhe 70 automjete, nisën paraditen e djeshme operacionin, ku në ditën e parë u përqendrua në fshatrat Ndreaj, Brashtë, Pylaj, Bob, Vuksanaj dhe Breg Lumi. Operacioni u drejtua për disa orë nga drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ndërsa mësohet se efektivët e policisë kishin në duar harta të zonave ku ishte mbjellë lëndë narkotike, pas kontrollit ajror disa ditë më parë. Mësohet se operacioni do të vijojë disa ditë, ndërsa do të asgjësohen parcelat e evidentuara nga fotografimi ajror, të cilat edhe këtë vit, kanë qenë të shumta. Mësohet se në ditën e parë të operacionit janë asgjësuar rreth 20 mijë rrënjë kanabis.

“Dukagjini 2”

Policia e Shtetit pohon se, në bazë të përllogaritjes së të dhënave të siguruara nga fotografimi ajror, në zonë mund të ketë rreth 100 mijë rrënjë kanabis sativa. Për t’i asgjësuar janë angazhuar 450 punonjës policie, si dhe dhjetëra automjete. “Në bazë të planit të hartuar, operacioni do të zgjasë disa ditë dhe në drejtimin e tij janë vënë që tani drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit. Forcat policore i përkasin repartit special RENEA, forcave të ndërhyrjes së shpejtë, si edhe pothuajse pjesa më e madhe e strukturës policore të Qarkut të Shkodrës”, pohojnë burimet nga Policia e Shtetit. Në mesditë, policia raportoi se u shkatërruan rreth 65 parcela me mbi 6 mijë e 600 rrënjë kanabis sativa. Por, me kalimin e orëve dhe pa ndërhyrje nga faktorë të tjerë, raportimi i pasdites së vonë shkoi në 147 parcela të shkatërruara me rreth 20 mijë bimë narkotike. Nga të dhënat e para të policisë, mësohet se parcelat e zbuluara kanë nga 40 deri në 200 bimë kanabis të gjatësisë nga 60 deri në 240 centimetra të larta. Forcat policore janë shpërndarë në 28 grupe në fshatrat Vuksanaj, Breg Lumi, Shoshë e Brashtë, ku mendohet se në total gjenden mbi 200 parcela me kanabis, të cilat janë fotografuar më parë nga ajri. Operacionin e drejtoi edhe Haki Çako, ndërsa në terren ndodhen drejtori i Forcave Lëvizëse Operacionale, drejtori i Krimeve dhe drejtori i Policisë së Shkodrës.

Hetimet e policisë

Efektivët e forcave speciale, por edhe ata të Policisë së Shkodrës, krahas asgjësimit të rrënjëve të kanabisit, kanë fotografuar me qëllim dokumentimin e të gjitha parcelave. Por ajo që po konstatohet nga terreni është se parcelat janë pa pronar dhe mbjelljet janë bërë në tokë shtetërore. Në pamundësi për të gjetur pronarin e tokës, policia do e ketë të pamundur për të gjetur kultivuesit e kanabisit, ndërsa thotë se ka marrë disa informacione për grupet që veprojnë në këto zona.

Mësohet se, krahas Lazaratit që kultivonte kanabis, edhe zona e Dukagjinit prej vitesh ka qenë në hartën e zonave problematike. Një operacion i ngjashëm u zhvillua në këtë zonë një vit më parë, madje pati përplasje mes kultivuesve dhe forcave të policisë. Një helikopter i ushtrisë u qëllua nga disa persona duke rrezikuar jetët e pilotëve, ndërsa pas këtij rasti, policia vazhdoi operacionin duke asgjësuar mbi 100 mijë rrënjë kanabis.

Policia

Aksioni antikanabis në zonat më problematike

Prej disa javësh, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një operacion të gjerë për asgjësimin e bimëve të kanabisit të mbjella në vend. Operacioni nisi në fillim të muajit gusht, ku policia kishte përgatitur një plan të detajuar masash. Mësohet se efektivët e policisë në të gjitha komisariatet e vendit kanë ndërmarrë kontrolle në zonat ku sipas informacioneve ishin kultivuar bimë. Informacionet janë marrë nga fotografimi i vendit nga ajri, ku një avion i policisë italiane ka ndihmuar palën shqiptare për të evidentuar parcelat me hashash. Burimet zyrtare nga Policia e Shtetit pohojnë se numri i bimëve të asgjësuara deri tani është ndoshta sa një vit më parë, kur dhe u ndërhy në Lazarat dhe Dukagjin apo në disa vende të tjera. Policia thotë se ka hasur në një fenomen të ri të kultivimit të kanabisit, i cili bëhet në parcela të vogla, madje në disa raste edhe në serra. Kultivim me shumicë ka pasur në rrethinat e rretheve Gjirokastër, Tepelenë, Vlorë, Shkodër apo Malësisë së Madhe. Policia thotë se, megjithëse janë asgjësuar mijëra bimë narkotike, arrestimet janë të pakta, duke parë edhe se mbjellja bëhet kryesisht në tokat djerrë.

Artikulli paraprakOzil synon Topin e Artë
Artikulli vijuesKreu veprime të turpshme me një 8-vjeçar, arrestohet 37-vjeçari