DW: Koment: Islamistë të mirë dhe të këqinj?

Qendrimi ndaj presidentit egjiptian Mursi, tregon se sa serioze janë premtimet e Perëndimit, për të mbështetur lëvizjet demokratike në botën arabe, mendon Rainer Sollich.

Marrëveshje për tregti armësh me Arabinë Saudite por distancim me Iranin dhe grupet kaq të ndryshme militante si Hamasi apo Hizbollahu: kush hedh një vështrim të shpejtë në politikën perëndimore për Lindjen e Afërt, i krijohet shpejt përshtypja se bëhet dallim sa është e mundur mes islamistëve “të moderuar” dhe “radikalë”, pra atyre në një fare mase “të mirë” dhe “të këqinjve”. Kjo përshtypje nuk është e gabuar. Vetëm se për këtë dallim nuk përdoren në mënyrë konsekuente as standarde të demokracisë dhe as kritere të të drejtave të njeriut. Dallimi bëhet shumë më tepër mes islamistëve që në përgjithësi marrin parasysh interesat perëndimore dhe atyre, që i injorojnë apo luftojnë këto interesa. Kështu edhe në kohën pas “Pranverës Arabe” vlen ajo që nga njerëzit në rajon shihet si moral i dyfishtë: Perëndimi përmend vlerat demokratike dhe i mbron ato madje në mënyrë ofensive, por në rast dyshimi vlerësohen megjithatë më lart stabiliteti dhe interesat gjeostrategjike. Arabia Saudite me interpretimin e saj strikt të shariatit dhe shkeljet e kartave perendimore te të drejtave të njeriut është një shembull eklatant i kësaj politike. Po Egjipti?

Mursi përfshin në llogaritë e tij atë që do Perëndimi
Mohamed Mursi, presidenti i parë i dalë nga zgjedhje të lira në Egjipt, i njeh parametrat perëndimorë dhe i merr ato parasysh në llogaritë e tij. Më parë, si aktivist i Vëllazërisë Myslimane, ai i shante publikisht hebrenjtë si “gjakpirës”. Sot, si kryetar shteti, nuk ndryshon seriozisht diçka në marrëveshjen për paqe me Izraelin, megjithë retorikën antisioniste. Aq më pak do të guxonte ai t’i jepte fund në mënyrë të panevojshme partneritetit me SHBA-në, falë të cilit në arkat e ushtrisë egjiptiane rrjedhin çdo vit më shumë se 1 miliard dollarë amerikanë. Mursi e di që Egjiptit i duhen ato para. Dhe ai di gjithashtu se në kohën e turbullt të tranzicionit, që prej rrëzimit të regjimit të Mubarakut, në Perëndim është i fortë tundimi të shohë edhe tek Mursi një islamist “të moderuar”, pra një partner “të vështirë” por në fund të fundit të pranueshëm. Gjithsesi ai u zgjodh në mënyrë demokratike. Dhe një dalje e Egjiptit nga aleanca pro-perëndimore apo një destabilizim i plotë i vendit, sipas këndvështrimit perëndimor do të ishte një katastrofë.

Shenja për një krizë të rëndë ka mjaft. Egjipti që prej revolucionit ndodhet në një spirale rënieje ekonomike. Mjete magjike apo receta të sigurta kundër saj nuk ka, as në radhët e kundërshtarëve të Mursit. Por Presidenti nuk po arrin që në këtë gjendje të vështirë të ketë të paktën unitet. Përkundrazi, stili i tij autokratik ka sjellë një polarizim dhe ndarje të rrezikshme të vendit. Kundër vullnetit të një pakice të konsiderueshme ai kaloi një kushtetutë që për shumë egjiptianë ka karakter shumë të fortë fetar. Mursi po e çon përpara islamizimin e institucioneve shtetërore të gjithë shoqërisë. Organizatat për të drejtat e njeriut ankohen se represionet nën Mursin janë edhe më të dhunshme se në regjimin e Hosni Mubarakut.

Reagim i zbehtë i Perëndimit

Kritika e shteteve perëndimore ndaj gjithë këtyre zhvillimeve është e përmbajtur. Edhe kur preken interesat vetjake, si në rastin e gjykimeve për punonjësit e fondacioneve të huaja, reagimet janë të zbehta. Shumë qytetarë egjiptianë megjithatë nuk pranojnë të tolerojnë më tej stilin politik të Mursit: në njëvjetorin e marrjes së postit të presidentit nga Mursi, janë planifikuar demonstrime masive, një fushatë nënshkrimesh ka madje si objektiv rrëzimin e tij. Mursi nga ana tjetër nxit mbështetësit e tij për antimitingje. Kështu vendi kërcënon sërish të përjetojë një shkallëzim të rrezikshëm dhune. Tashmë janë shënuar viktimat e para. Dhe ushtria e merr aq seriozisht rrezikun sa ka kërcënuar në formë thuajse të hapur të ndërhyjë.
Nëse islamisti Mursi në krahasim rajonal duhet vlerësuar si “i moderuar” apo “radikal”, kjo mbetet të shihet. Ai nuk luan me letra të hapura. E qartë është megjithatë se Mursi e ka të vështirë të menaxhojë postin e kryetarit të shtetit. Në fjalimin e tij të fundit të mërkurën në mbrëmje (26.6.2013) ai i cilësoi kundërshtarët e tij si reaksionarë dhe armiq të Egjiptit. Pasojat do të ishin katastrofale, nëse tek egjiptianët me orientim demokratik, do të forcohej tani përshtypja se Perëndimi po i lë në baltë sot, ashtu si dikur nën regjimin e Mubarakut./Deutsche Welle

*Artikulli paraqet qendrimet e redaksise se DW dhe asesi domosdoshmerisht edhe qendrimet e kohaislame.com

Artikulli paraprakSulmohet shtëpia e Nazim Bllacës
Artikulli vijuesRinia kosovare – potencial i heshtur