Rinia kosovare – potencial i heshtur

Rinia kosovare vazhdimisht nga autoritete zyrtare vlerësohet si potencial i rëndësishëm për zhvillimin demokratik të vendit, por ekspertë të ekonomisë konsiderojnë se kjo kategori mund të jetë faktor i prishjes së paqes dhe zhvillimit ekonomik.

Sipas tyre, kjo mund të ndodhë për shkak të shkallës së lartë të papunësisë dhe mungesës së perspektivës, madje, edhe pas përfundimit të studimeve.

Në Kosovë, sipas shifrave zyrtare, llogaritet se mbi 60 për qind e popullsisë e moshës 15- 24 vjeç, është e papunë.

Çështja e papunësisë te të rinjtë për Evropën Juglindore përmendet edhe në raportin e fundit të Bankës Botërore, ku thuhet se mesatarja e papunësisë në rajon për vitin e kaluar, ishte 22.8 për qind, dyfish më e lartë se në vendet e Bashkimit Evropian ku papunësia te të rinjtë llogaritet të jetë 11.2 për qind.

Ndërsa, kur flitet për Kosovën në këtë raport, edhe pse nuk publikohet ndonjë shifër, por citohet se në disa vende me papunësi të lartë rinore, siç është Kosova, rritja e numrit të të rinjve ushtron presion mbi punësimin dhe të ardhurat.

Në anën tjetër, udhëheqësi i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, Ibrahim Rexhepi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se ngecja e zhvillimit ekonomik, mungesa e investimeve, cilësia jo e duhur si në universitete publike, ashtu edhe në ato private janë arsye e shkallës së lartë të papunësisë në vend.

Kjo situatë ngarkohet edhe më tepër nga vetë struktura demografike, sipas Rexhepit, ku thotë se 70 për qind paraqitet si fuqi e aftë për punë, ndërsa mbi 25 mijë të rinj hyjnë çdo vit në tregun e punës.

Ndërkaq, ky treg absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

“Unë pajtohem me atë se kjo strukturë demografike është potencial i zhvillimit, por në rrethanat e tashme është potencial i papërdorshëm, potencial i heshtur, potencial i cili vazhdimisht është në rritje të tensionimit dhe si potencial i mundshëm për të ikur nga vendi”.

“Kështu që është shumë normale, që kjo gjeneratë, e cila duhet të fillojë ndërtimin e jetës, karrierës, nëse nuk gjen zgjidhje këtu , jo vetëm që të kërkojë ikje nga këtu, por ndoshta të kërkojë forma të zgjidhjes përmes rebelimit apo përmes shqetësimeve dhe protestave të ndryshme”, shprehet Rexhepi.

Ndërkaq, Agron Demi, nga Instituti “GAP”, vlerëson se papunësia te të rinjtë po ndodh për shkak të ligjeve ekzistuese në fuqi, ku në çdo konkurs për një vend të lirë të pune, kërkohet të kenë përvojë pune.

Edhe Demi, si shqetësim në këtë fushë, paraqet institucionet e larta të arsimit, që sipas tij, shkathtësitë që marrin në këto institucione, nuk janë konkurrent në treg.

“Automatikisht, ata në konkurse në institucionet publike apo privat diskualifikohen qoftë për të marrë pjesë në intervista për shkak të se nuk plotësojnë kushtet që kërkohet për përvojë punë”, thekson Demi.

E,Ibrahim Rexhepi nuk mendon konsideron se zgjidhja e punësimit për të rinj do të përmirësohet por vetëm sa do të vështirësohet.

“Problemi do të rritet edhe më shumë, pasi nuk ka ndonjë koncepte ose orientim të qartë për hapjen e vendeve të reja të punës. Pos investimeve në projekte, të cilat kanë më tepër për qëllim rregullimin e ambientit sesa hapjen e vendeve të reja të punës”, vlerëson Rexhepi.

Kosova është një nga vendet me popullsi të re jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë. Për këtë, shumë kosovarë të rinj, mundohen t’i “shpëtojnë” situatës ndërmjet migracionit në shtetet perëndimore, disa shumicën e kohës e kalojnë në kafene ose me aktivitete tjera.

Ndërsa, një përqindje e të rinjve futen në partitë politike, jo nga besimi, por vetëm për të siguruar një vend pune./rel

Artikulli paraprakDW: Koment: Islamistë të mirë dhe të këqinj?
Artikulli vijuesRinia kosovare – potencial i heshtur