“E jona” Presidente

Ilir SHAQIRI

Ka vite që politika dhe media në Kosovë kanë braktisur rregullin e punëve shoqërore, kanë braktisur të ndikojnë në raportin midis shfaqjes dhe qenësisë së gjërave në dobi të mirëqenies dhe emancipimit shoqëror; kanë braktisur rolin e faktorit ndikues në formimin e bindjeve, qëndrimeve dhe besimeve të publikut. Marrëdhënia midis politikës dhe medias pasqyron paradigma të ngjashme për funksionimin e secilës veç e veç, por edhe marrëdhënien ndërvepruese që ka thërrmuar funksionin real të tyre, ku, si pasojë kanë shkaktuar rrëmujë e kaos në shoqërinë tonë.

Ka vite që kjo bashkëjetesë tulatët në shtratin tulipan të politikës, bashkë me liliputët e gjembave të mëndafshta të mediave, duke tulosur mirëqenien e grupit ndërveprues.

Liliputët asnjëherë nuk kanë qenë tullabërës të mirë, aq më pak gurgdhendës të mirë dhe fare e kurrë murbërës të mirë, domethënë as punëmirë as fjalëmirë, por gjithmonë mbjellsherrs të pasionuar! Të tillët sot janë qiraxhinj të nënsqetullave të politikës ditore, fatkeqësisht, nënsqetullorë të elitave politike që harrojnë se janë të përkohshëm. Mendjeshkreta e tyre, mendjeveria e tyre është përmbajtja tullumbace, që mund të ofrojë vetëm tullumbë sheqerkripur në shtratin e përkohshëm të politikës.

“E jona” Presidente, paraqitja e juaj e përnatshme në televizor papërmbajtje, duke u përpjekur të mbash mengene nga kredhësit-mëngës është bërë të jetë jetëmjegulluar shoqëria jonë. Paraqitja e juaj në ekran, gjuhëza juaj lingë, portreti juaj që na vjen sikur duke na pyetur: çka u bë, çka po bëhet, nuk është faqebardhësia e popullit tonë shpirtbardhë?!

Padituria, interesi apo “detyra jote” merr në mbrojtje kontaminuesit e ambientit kosovar, kredhësit veshgjatë, krundehedhësit faqe-mendër të cilët gatuajnë përditshëm e përnatshëm gënjeshtra, shantazhe, fyerje e pështyrje ndaj të vërtetës, ndaj njerëzve të devotshëm të këtij vendi. Në mos janë likurishtat tu dhe të politikës “madhore” të institucioneve kosovare, të kujt janë ata? Në mos janë të “dijshmit” tu apo të atyre në kryekuvendime, të kujt janë ata? Në mos janë lilthit tu apo të atyre në kryeqeverisje, të kujt janë ata? Populli ka sy “e jona” Presidente, përderisa ju i keni humbur ata.

Të gjithë kemi pritur të mësosh, të mësosh atë që të ka ardhur papritur, që të ka ardhur “si hutit n’zgur” kur thotë populli, por ke zgjedhur të dëgjosh e të transmetosh me lingë. Likurishtat tuaj të kanë bërë likardha, t’i kanë fshirë nga mësimi përshkrimet e të diturve që personifikojnë portretet dhe të bëmat e veshgjatëve:

… “Hej, mbaj dorën se pastaj ta hedh përdhe samarin,

ti përpara pse ma nxirr gomarin?

E nga të vete s’di fare unë i ngrati,

kur rrugën ma ka zënë veshgjati.

…Kështu e ka kjo botë e mjerë e marrë,

Përpara nxjerrin veç gomarë”.

Dritëro Agolli

Jo vetëm sjellja juaj e padenjë për të mbrojtur një kredhës veshgjatë, por edhe shumë veprime e sjellje pushtetore, joetike, kanë bërë që shqiptarët ta humbin cilësorin e popullit rrënjëthellë. Keni zgjedhur t’iu thoni atyre “nuk është zgjidhje ikja”, pa ditur t’ju thoni as më të voglën zgjidhje, as më të voglën shpresë për ta. Mirëmbajtja e ambalazhit, përkujdesja e tepruar estetike me përmbajtje tullumbace nuk është shkëlqimi i gjinisë së bukur në Kosovë. Të bukurën e fisnikëron përmbajtja.

Ju dhe rrethi juaj politik shpërfilli tejskajshëm vlerat, ndjenjat dhe dëshirat e popullit, shpërfilli tejskajshëm atë që mbetët piramida e dëshmisë së kohërave – historia, kultura dhe vlerat e përhershme. Ju dhe kasta e juaj politike (shumë përkrahëse për t’u bërë Presidente), i afruat ata të korruptuarit moralisht, të korruptuarit mendërisht; i betë këshilltarë servilë, i betë deputetë me brirë, i yshtët për të pështyrë e për të përlyer gjithçka.

Jo “e jona” Presidente nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë kështu. Kontaminimin rreth jush nuk keni të drejtë ta bartni në televizionin publik, në emisione të errëta thashethemesh. Mosdija e përshtatjes në një mënyrë tjetër, konfirmon përshtatjen e përsosur në kushtet ekzistenciale që gëzon “normalitetin” për ty dhe ata. Populli ka sy “e jona” Presidente. Pozicioni që mban të detyron t’i veshë kufij vetës.

Ju duhet ta dini “e jona” Presidente, jeni e obliguar ta dini se: lilthit tuaj tepër komunikues e kontaminues të zhdërvjellë, ata që thjeshtë për nevojë komunikimi, tregojnë gjëra të sajuara, gjysmë të vërteta e gënjeshtra, janë karakteri histerik i tyre, një theksim i sjelljes normale fillimisht, por që ndërlikohet e ngatërrohet rrugës nga e vërteta.

Nuk ke të drejtë ta përkëdhelesh publikisht të korruptuarin mendërisht që “kryqëzon” me eufori e vetëkënaqësi të ajkosur, pandalshëm, përditshëm e përnatshëm të vërtetat dhe të vërtetët.

Ju dhe kredhësit tuaj vazhdoni të ndani të njëjtin ambient social me norma ndërmarrëse të bashkëveprimit, që ushtrojnë karriera të mun
dshme të mikluara (atë që thonë ata bëni ju dhe atë që gënjejnë ata vulosni ju). Gazetaria nuk duhet të jetë gënjeshtër ashtu siç fyerja nuk mund të jetë gazetari. Mësoni liliputët t’i marrin patin Guliverit.

Standardet e qytetërimit shtetëror nuk ruhen nga provokatorë, jocivilizues dhe ofendues. Ata kanë një rrugë tjetër argëtimi të vetvetes “e jona” Dell-Presidente.

Artikulli paraprakRasti “Grupi i Drenicës” drejt përfundimit
Artikulli vijues4. I tha Lamtumirë 3 Euroshit!