Edhe sa do të përfundojë restaurimi i Xhamisë së Çarshisë?

Një pjesë e investimeve kapitale të Komunës së Prishtinës janë bërë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Së fundi është duke u renovuar Xhamia e Çarshisë e cila do të përfundoj në pranverë të këtij viti.

Zyrtarë komunalë thonë me këtë do t’i jepet një pamje e veçantë pjesës e cila konsiderohet si një pjesë turistike dhe muzeale e kryeqytetit. Qytetarët thonë se ruajtja e trashëgimisë pasqyron kulturën e një shteti.
 Xhamia e Çarshisë, siç njihet është një ndër të parat në Kosovë ka një peshë të madhe të trashëgimisë së vendit. Drejtoresha e kulturës, Vlora Dumoshi tha për Radio Kosovën se Komuna e Prishtinës me renovimin dhe investimin që po bëhet në këtë pjesë të qytetit, synon që të kthej dhe të ruaj trashëgimin dhe identitetin e lashtë që kanë këto objekte.
“Tash Xhamia ka një pamje ndryshe, d.m.th që po kthehet në identitetin e saj, ajo s’ka përfunduar ende por ka një pamje që zbukuron edhe këtë pjesë të rëndësishme të kryeqytetit. Ne presim që në pranverë të vendoset edhe pjesa përfundimtare, do të vendosen kupolat të cilat do ta pasurojnë këtë Xhami”, tha Dumoshi.
Dumoshi theksoi se në këtë pjesë të qytetit gjenden objektet më të lashta të Prishtinës. Sipas saj, kjo do të jetë referencë turistike për vizitorët.
“Po mundohemi që këto pika nga Xhamia e Çarshisë, Muzeu i Kosovës, duke përfshirë Hamamin, Sahat Kullën, Shkolla “Sami Frashëri”, të jenë pika referuese për turistët që vinë në Prishtinë, është një oazë e cila i takon pjesës së trashëgimisë”, tha ajo.
Për qytetarët ruajtja e trashëgimisë ka një rëndësi të veçantë. Për renovimin e xhamisë së çarshisë, komuna ka investuar 540 mijë euro./Ind/kohaislame

Artikulli paraprakEfektet psikologjike në mungesë të njohurive fetare
Artikulli vijuesErdoan:Memeci që hesht përpara drejtësisë është djalli