Edukojmë musliman apo qyqarë (poltron)?

ALIJA IZETBEGOVIQ
 
Këtë artikull e mendoj si një diskutim të shkurtër me prindërit dhe pedagogët fetarë.
 
Kohët e fundit takova një mikun tim të ngusht, për ndryshe një musliman i mirë dhe një entuziast, i cili shkruante një artikull mbi edukimin e rinisë muslimane. E lexova artikullin, i cili akoma nuk ishte i përfunduar, por idetë kryesore të të cilit tashmë ishin paraqitur. Duke insistuar mbi edukimin në frymën fetare, miku im i fton prindërit që të kultivojnë te fëmijët virtytet e mirësisë, sjelljës së mirë, modestisë, mosshquarjes, mëshirës, faljës, pajtimit me fatin, durimit, etj. Në mënyrë të veçantë i paralajmëron edukatorët që t’i ruajnë fëmijët nga rruga, nga filmat me kauboj dhe kriminalistik, shtypi i padobishëm, nga disa lojëra sportive që nxisin agresivitetin dhe frymën garuese, etj. Mirëpo, fjala më e shpesht në artikullin e mikut tim ishte: dëgjueshmëria. Në shtëpi fëmija duhet t’u bindet prindërve, në mekteb hoxhës, në shkollë mësuesit, në rrugë kujdestarit të rendit, e nesër në punë drejtorit, shefit, eprorit.
 
     Për ta ilustruar “idealin” e vet, autori tregon për një fëmijë që largohet nga çdo gjë e keqe, që asnjëherë nuk rrahet në rrugë, nuk shikon filma kaubojsh (në vend të tyre ndjek orët e pianos në shkollën e muzikës), nuk luan futboll, nuk mban flokë të gjata, nuk shkon me vajza (“e kur të vijë koha” prindërit do ta martojnë). Ai kurr nuk bërtet, zëri i tij askund nuk dëgjohet (“sikur të mos ishte i gjallë), ai, çdokund falenderon dhe kërkon falje. Autori këtë nuk e thotë, por ne mund të vazhdojmë: atë e mashtrojnë, ai hesht. I bien shputë – ai nuk e kthen, veç argumenton se ajo nuk është mirë. Me një fjalë, ai është prej atyre “që nuk e shkel as bubrrecin”.
 
     Duke e lexuar këtë artikull, e kuptova plotësisht domethënien e atij proverbit që thotë se rruga për në ferr është e shtruar me pllaka qëllimesh të mira. Dhe jo vetëm kaq: mendoj se kam arrtiur të kuptoj, të paktën, një nga shkaqet e prapambetjës sonë të shekujve të fundit: edukimi i gabuar i njerëzve.
 
Në të vërtetë, ne, tanimë më shekuj e edukojme gabimisht rininë tonë si pasojë e të të moskuptuarit të mendimit burimor islam. Derisa armiku, i arsimuar dhe i pamëhirshëm, nënshtronte një nga një vendet muslimane, ne i mësonim të rinjt tanë që të jenë të mirë, që “mos t’ia mendojnë të keqën as mizës”, që të pajtohen me fatin, që të jenë të dëgjuedhëm, që t’i nënshtrohen çdo pushteti, sepse, “çdo pushtet është nga Zoti”.
 
     Kjo filozofi e nevritshme e nënshtueshmërisë, origjinën e vërtetë të së cilës nuk e di, por, me siguri nuk buron nga islami, kryen dy funksione që plotësohen mjerisht në mënyrë të përkryer; nga njëra anë, ajo të gjallët i bën të vdekur, ndërsa nga ana tjetër duke vënë në dukje ideale të gabuara në emër të fesë, ajo mbledh rreth islamit ata që kanë vdekur, para se të fillonin të jetojnë. Nga krijesat normale njerëzore, ajo krijon njerëz jo të sigurtë, të ndjekur nga ndjenja e gjynahit dhe e fajit dhe kështu bëhet në të njëjtën kohë shumë atraktive për ato krijesa të dështuara që ikin nga realiteti dhe kërkojnë strehë në pasivitet dhe ngushëllim.
 
     Vetëm në këtë mënyrë mund të sqarohet fakti që edhe në periudhën e sotme të zgjimit, pikërisht bartësit e menimit islam, ose ata që e quajnë veten ashtu, në çdo konfrontim e humbasin betejën rregullisht. Të ngatërruar me këtë filozofi ndalesash e dilemash, këta njerëz, përndryshe me moral të lartë, tregohen inferiorë dhe të paaftë në konfliktet me kundërshtarët më pak të ndershëm, më pak të kulturuar, prandaj edhe të vendosur e të panjerëzishëm, që dinë çfarë duan dhe të cilët nuk zgjedhin mjete që t’i arrijnë qëllimet e veta.
 
     A ka gjë më normale se popujt muslimanë të udhëhiqeshin nga njerëz të edukuar në islam dhe të frymëzuar me mendime islame? Por, ata nuk arrijnë ta bëjnë këtë nga një arsye e thjeshtë: janë edukuar jo të udhëheqin, por të jenë të udhëhequr.
 
     A ka gjë më të natyrshme që pikërsht muslimanët në vendet e tyre të ishin bartësit e kryengritjës kundër pushtetit të huaj, ideve të huaja dhe dhunës së huaj politike e ekonomike? Por ata këtë nuk mundta bëjne, përsëri nga arsyeja e njëjtë themelore: nuk i kanë mësuar ta ngrejnë zërin, veç se të nënshtrohen.
 
     Kemi edukuar (apo kemi mbledhur), pra jo muslimanë, por poltronë (qyqarë), gati shërbëtorë.
 
     Në një botë që është përplotë me të këqija, robëri e padrejtësi, t’u prediksoh të rinjve të shtëmëngën, të jenë të qetë, të bindur – a nuk është kjo bashkëpjesmarrje në robërimin dhe shtypjen e popullit tënd?
 
     Psikologjia për të cilën po flasim, ka më shumë aspekte. Njëri nga ta është gjithmonë tregimi i përsëritur mbi të kaluarën. Të riut tanë nuk i flasin çfarë duhet të jetë islami, veç çfarë ka qenë dikur. Ai di për Alhambrën dhe pushtimet e hershme, për qytetin nga “Një mijë e një netë”, për bibliotekat në Samerkand dhe Kordovë. Shpirti i tij, vazhdimisht i kthehet së kaluarës dhe ai fillon të jetojë me të. Natyrisht, e kaluarja është e rëndësishme. Por, sot është më e dobishme të riparosh kulmin e vjetër të xhamisë së thjeshtë në lagjën tënde, se sa të dish të numrosh të gjitha xhamitë e bukura që i ndërtuan paraardhësit tanë të lashtë. Si duket do të duhej t’ia futnim flakën tërë asaj historie të lavdishme, nëse ajo bëhet strehë e zhvillimit dhe të të jetuarit nga kujtimet. Do të ishte më mirë të rrënoheshin të gjitha ato permëndore të shkëlqyera, nëse ajo është kusht që më në fund të kuptojmë se nuk mund të jetohet nga e kaluarja dhe se duhet edhe ne të bëjmë diçka.
 
     Është paradoksale që kjo pedagogji fatale e nënshtrimit dhe moskundërshtimit, të predikohet në emër të Kur’anit, ku parimi i luftës dhe rezistencës është përmendur, të paktën në pesdhjetë vende. Si kod ligjor Kur’ani e ka hequr nënshtrimin. Në vend të nënshtrimit ndaj shumë autoriteteve të rrejshëm, Kur’ani vendosi një nënshtrim të vetëm – nënshtrimin ndaj Zotit. Por, në këtë nështrim ndaj Zotit, Kur’ani ndërtoi lirinë e njeriut, çlirimin e tij nga të gjitha nënshtrimet dhe friksimet tjera.
 
     Ç’mund t’i këshillojmë, pra, prindërit dhe pedagogët tanë?
 
     Para se gjithash, mund t’i porosisim që mos t’i presin forcat në krijesën e re. Më parë le t’i formojnë dhe le t’i orientojnë. Eunuku i tyre nuk është musliman, as që ka ndonjë mënyrë që njeriu i vdekur “të kthehet” në islam. Që të edukojnë muslimanë, le të edukojnë njerëz, dhe atë në mënyrë sa më të plotë dhe sa më komplete. Le t’u flasin atyre më shumë mbi krenarinë, se sa mbi modestinë, më shumë mbi trimërinë se sa mbi nënshtrimin, më shumë mbi drejtësinë se sa mbi mëshirën. Le të ngrejnë një gjeneratë dinjitoze, që do të dijë se nuk duhet të kërkohet leja e askujt për të jetuar dhe për të qenë ai që është.
 
     Sepse ta mbajmë në mend: progresi i islamit – sikurse edhe çdo progres tjetër, mbi të gjitha – nuk do të vijë nga njerëz të qetë e të nënshtruar, por nga trimat dhe kryengritësit.
 
 
 
Marr nga: Preporod, islamske informativne novine, izbor tekstova 1970-2000
 
Përktheu: Muhidin Ahmeti
 
 
Artikulli paraprakA bëjnë punë vërtet “superushqimet” kundër kancerit?
Artikulli vijuesSi ta shfrytëzojmë kohën qe na tepron?