Efendi Rexhepi: “Zani i Naltë” hartë arkeologjike e fjalës së shkruar

Në fillim të kësaj jave, në Tiranë, u mbajt një konferencë kushtuar revistës së parë islame në gjuhën shqipe, ZANI I NALTË 1923-1939, ku me kumtesat e veta u prezantuan intelektualë dhe teologë nga trevat tona etnike. Nga Maqedonia ka ligjëruar Myftiu i Tetovës, Dr. Qani Nesimi

Këto ditë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, organizoi konferencën shkencore “Zani i Naltë, një shekull në shërbim të dijes”, në të cilën morën pjesë udhëheqës të komuniteteve fetare islame të trevave tona etnike, udhëheqës të institucioneve të ndryshme, intelektualë të shumtë. Me këtë rast, gjatë fjalës së vet, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skënder Bruçaj u shpreh se edhe pse ka kaluar gati një shekull nga themelimi i vet, artikujt e revistës “Zani i Naltë” mbeten sa aktualë, aq edhe edukues dhe me mjaft vlera kulturore e arsimore, duke u bërë kështu një tribunë e trashëgimisë intelektuale te shqiptarët.
“Zani i Naltë është revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman, ajo ka një rëndësi shumë të veçantë për vetë faktin se ka shërbyer për vite me radhë si një tribunë e mendimit islam. Intelektualët myslimanë të asaj kohe kanë paraqitur edhe receta ndaj problemeve sociale. Është një dëshmi e qartë që tregon qartazi se shqiptarët e kanë kuptuar ashtu siç duhet Islamin dhe e kanë jetuar atë. Unë shpresoj që revista “Zani i Naltë” të vazhdojë me misionin e saj dhe t’i shërbejë shoqërisë shqiptare në promovimin e vlerave të Islamit dhe atyre universale.”, tha kreu Bruçaj.
Ndërsa Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, tha se revista “Zani i Naltë” është një vlerë për komunitetin dhe se veprat e mira nuk harrohen sepse ato flasin me zë të lartë.
“Zani i Naltë është një vlerë për komunitetin, gjuhën shqipe dhe një prej themeleve të mendimit shqiptar. Ajo lindi një shekull më parë dhe rikthehet e plotë. Edhe sot ne vazhdojmë të flasim për tolerancën fetare, dhe e kemi pasur jo vetëm të provuar në komunitetet tona,  në shembuj jete nga më të ndryshmet, por edhe të përpunuar e të shprehur qartazi në mendimin më të përparuar të elitave të gati një shekulli më parë.”, tha më tej znj. Kumbaro.
Në fjalën e vet përshëndetëse, Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, vuri në spikamë rolin e kësaj reviste të parë fetare islame në gjuhën shqipe si dhe nënvizoi peshën e saj të paçmueshme që e ka sot.
“Jemi mbledhur sot që, përmes një konference shkencore, në fakt, të promovojmë një vepër gjigante, shumë të rëndësishme, një kapital shpirtëror të përfshirë në jë komplet me emrin ZANI I NALTË 1923-1939. Ata të cilët tashmë e kanë pasur nëpër duar dhe e kanë shfletuar këtë kolonë, me të drejtë vlerësojnë se tani para vetes kemi  një hartë arkeologjike të fjalës së shkruar dhe se tani ngelë puna e lëvrimit, e studimit dhe e nxjerrjes në sipërfaqe jo vetëm teksturën e një kohë por edhe tërë atë mendim teologjik të të parëve tanë të cilët, në periudhën pospavarësisë, u përkushtuan që fenë islame ta interpretojnë dhe ta kultivojnë edhe në gjuhën tonë të bukur shqipe, “ ka theksuar efendi Rexhepi, për të vazhduar më tej: ”Së këndejmi, po ashtu, këtë kolonë, si një segment të publicistikës shqiptare, unë e konsideroj edhe si një jehonë të fuqishme që ngacmon koshiencën tonë në kryerjen e misionit teologjik duke mos devijuar asnjë milimetër nga vlerat shpirtërore që mbështeten në traditën tonë dhe në kalitjen autoktone të këtyre vlerave.
Thonë që, fjalët e shkruara paraqesin gjurmët e shpirtit. Fjala e shkruar është profili i një kohe e cila risillet në kujtesë sa herë që ta lexoshë atë fjalë të shkruar. Përmbledhja e fjalëve të shkruara nëpër të gjitha ato numra të organit të Komunitetit Mysliman  Shqiptar, ZANIT TË NALTË, në fakt shpreh përkushtimin tonë për t’ju dhënë vlerave nacionale dimensione institucionale! Sot ne, para vetes kemi një arkiv shpirtëror me peshën e një institucioni nacional. Para vetes kemi një epokë e cila mbanë vulën e të parëve tanë, vulën e pishtarëve të islamit autokton; kemi epokën përplot ngjarje, përpjekje, sakrifica e kontribute për të cilat ia vlenë të organizojmë debate, konferenca e takime me qëllim të ndriçimit të kësaj epoke si dhe të personaliteteve që e bënë atë epokë.
Kjo konferencë shkencore ka pikërisht këtë synim, të shpalosë kohën kur ndodhi Zani i Naltë dhe të ndriçojë mendimtarë shqiptarë si dhe pikëpamjet e tyre teologjike mbi çështje të ndryshme që i përkasin besimit tonë”, ka thënë Kryetari i BFI-së H. Sulejman ef. Rexhepi, për të përfunduar me një përshëndetje edhe për bartësit e këtij projekti gjigant për historiografinë tonë.
“Dua që me gjithë shpirt t’i përshëndes orgtanizatorët e kësaj konference shkencore që na nderon të gjithëve. Por, pa dyshim, një falënderim të veçantë e shumë të përzemërt edhe të gjithë atyreve që fillimisht e nisën si ide dhe pastaj, arkiv më arkiv, bibliotekë më bibliotekë, ship më ship, rendën duke i tubuar eksemplarët e ZANIT TË LARTË, i skenuan, i sistemuan dhe i bënë komplet të cilat pastaj do të gjenerojnë konferenca e debate të ndryshme.
Dritë u pastë shpirti të gjithë atyreve që na e lanë këtë trashëgimi shpirtërore”, ka përfunduar me fjalën e vet përshëndetëse, Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi.
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, Kryegjyshi i Bektashinjve Edmond Brahimaj si dhe Rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, të cilët vlerësuan rolin e pazëvendësueshëm të revistës “Zani i Naltë” në fomësimin e vetëdijes kulturore, kombëtare dhe asaj fetare.
Pas përshëndetjeve konferenca ka vijuar me dy seancat shkencore ku studiues të shquar kanë nxjerrë në pah rolin dhe vlerat mbarëkombëtare të kësaj reviste.
Revista “Zani i Naltë”, është organi i parë zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, themeluar më 1923, e cila prej tetorit të vitit 2012 ka filluar ribotimin si një revistë e cila përmban artikuj të mirëfilltë shkencorë në fushat e shkencave të ndryshme islame dhe sociale.

Artikulli paraprakVIDEO – Rregullat e marketingut thonë se ajo qka shahet humbë, por Islami JO
Artikulli vijuesPër 24 orë janë lëshuar 234 vërtetime për migrantë