Egjipt: A do të lirohet Mubarak?

Një gjykatë egjiptiane do të vendosë së shpejti nëse ish-presidenti i vendit, Hosni Mubarak, do të lirohet nga burgu ku qëndron që prej vitit 2012.

Mubarak, njeriu që drejtoi në mënyrë autoritare vendin me 84 milionë banorë për 32 vjet, u dënua me burgim të përjetshëm vitin e shkuar, për rolin e patur në vrasjet e ndodhura gjatë protestave popullore ndaj regjimit të tij, në janar-shkurt 2011.

Si rrjedhojë e përplasjes së protestuesve me policinë dhe ushtrinë, të paktën 860 persona humbën jetën.

Megjithatë,  dënimi i mëparshëm është pezulluar, e 84-vjeçari pret të përballet me një proces të ri për rolin e tij në ato vrasje.

Pavarësisht se zyrtarisht duhet të konsiderohet i pafajshëm, prokuroria ka rekomanduar arrestin e tij me burg, duke nënvizuar se Mubarak është duke u ndjekur edhe për akuza të tjera.

Avokatët mbrojtës, nga ana e tyre kanë adresuar një ankesë në gjykatë, duke argumentuar se ish-presidenti ka kaluar kohën maksimale të lejuar me ligj, të mbajtjes i burgosur.

Në këto kushte, sipas korrespondentëve të mediave ndërkombëtare në Kajro, ekzistojnë shanse reale që Mubarak të lihet i lirë, pavarësisht trazirave shoqërore që mund të ngjallë ky veprim.

Përveç dyshimit për urdhërimin e vrasjeve, Mubarak është duke u hetuar edhe për evazion fiskal e përvetësim të paligjshëm të fondeve publike./tch/kohaislame

Artikulli paraprakSi do të duket Volkswagen Scirocco i ri?
Artikulli vijuesAsus sjell Android tabletin për 150 euro