-Serveri i pasiguruar në shtëpinë e Hillary Clinton përmbante dhjetëra email-e të cilat klasifikohen si “top secret” dhe kjo është hera e parë që deklarohet publikisht se ato ishin të klasifikuara.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby, deklaroi se dokumentet nuk ishin të klasifikuara në kohën kur ishin dërguar.
Mesazhet më pas janë klasifikuar si “top secret” pasi përmbanin të dhëna që mund të shkaktonin një dëm “jashtëzakonisht të rëndë” në aspektin e sigurisë kombëtare në rast se do të zbuloheshin.
Zyrtarët e intelegjencës i thanë “Associated Press” se serveri përmbante edhe projekte të tilla si “sulme me dronë” apo “përgjimet qeveritare”. Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse Clinton ka dërguar apo ka pranuar email-e me përmbajtje “top secret”.
Kirby deklaroi se mesazhet e klasifikuara si “top secret” nuk kanë asnjë mundësi që të publikohen, madje as te redaktuara.
Përdorimi i një email-i personal nga ana e Hillary Clinton në kohën sa ishte Sekretare e Shtetit është bërë një çështje në SHBA, sidomos në fushatë. Shumë rivalë e kanë akuzuar se e ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare.