Emergjencat Civile japin alarmin: Rrezikohemi nga përmbytjet

Vendi ynë pritet të përfshihet nga reshje të mëdha shiu, nis nga dita e nesërme (e enjte) e deri më 4 dhjetor (e hëna e javës së ardhshme). Emergjencat Civile paralajmërojnë qytetarët të marrin masa pasi mund të ketë përmbytje.

“Sipas Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit por edhe nga shërbimet meteorologjike që bashkëpunojnë me Emergjencat Civile, informohemi paraprakisht se moti në të gjithë territorin e vendit gjatë datave 30 Nëntor deri 4 Dhjetor 2017, do jetë drejt përkeqësimit dhe priten reshje shiu me intesitet mesatar deri dhe me intesitet të lartë, të cilat mund të krijojnë mundësinë e përmbytjeve”. Kështu deklarojnë Emergjencat Civile në një deklaratë për mediat.

Përgjatë këtyre diteve priten reshje shumë intensive, pothuajse në të gjithë territorin, por edhe jashtë kufijve shtetërore në basenin e lumit Vjosa. Ndërsa qytetete që rrezikohen nga përmbytjet janë Fieri dhe Vlora.

“Reshjet maksimale i kalojnë vlerat e 100 mm në 24 orë. Nga llogaritjet paraprake këto reshje priten të sjellin përmbytje në lumenjtë e mëdhenj, përveç vërshimeve të lumenjve të vegjël dhe përmbytjeve urbane në varësi të gjendjes së kanalizimeve në qytetet kryesore (Tiranë, Lezhë, Durrës, Korçë, Berat, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër).

Qarqet më të rrezikuara janë Fieri dhe Vlora. Ka mundësi të lartë për përmbytje në basenet e lumenjve Vjosa dhe Seman.

Gjithashtu edhe lumi Shkumbin mund të shfaqë përmbytje përgjatë fundit të ditës së premte. Efektet e rëndësishme të përmbytjeve në pjesët fushore të qarqeve Vlorë dhe Fier parashikohet se mund të ndodhin në pjesën e parë të ditës së Shtunë, 2 Dhjetor 2017.

Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve në qarqet (Gjirokastër, Berat, Elbasan) përmbytjet mund të ndodhin përgjatë ditës së Premte, 1 Dhjetor 2017.

Artikulli paraprakQumësht me Mjaltë – Baza e Jetës
Artikulli vijuesTrump merr vendimin drastik, së shpejti stafi i Shtëpisë së Bardhë nuk mund të përdorë më telefonat