Emigrantët/ Rama trembet nga reagimi grek: S’i mbyllim kufijtë

Një deklaratë e Edi Ramës se Shqipëria nuk do t’i hapë kufijtë për emigrantët e Lindjes së Mesme që janë në Greqi, shkaktoi reagimin e fortë të mediave greke. Disa prej tyre i kujtuan se nuk duhet të harrojë kohën kur Greqia u hapi dyert shqiptarëve.

Edi Rama, i kritikuar shpesh për deficencë të theksuar në diplomaci, nuk kishte dëgjuar as deklartën e Ministres së tij të Integrimit, Klajda Gjoshës, e cila po atë ditë, (të enjten) kishte thënë se Shqipëria nuk do të pengojë kalimin e refugjatëve për në BE.

I gjendur përballë një lumi kritikash nga mediat fqinje, Edi Rama është detyruar të zmbrapset.

Ai ka nxjerrë Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushatin për ta zbutur qëndrimin e tij, të cilin e tha me plot siguri edhe kur në “Top Story” i’u bë e ditur se nga Ministrja e Integrimit ishte dhënë tjetër version.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, i pyetur se si do ta interpretonte ai deklaratën e Ramës se “Shqipëria nuk ka ndërmend të hapë kufijtë”, Bushati u shpreh: “Shqipëria as do t’i hapë dhe as do t’i mbyllë kufijtë për refugjatët. Shqipëria do t’i qëndrojë besnike vlerave europiane, angazhimeve të ndërmarra në këtë kuadër që tetorin e vitit të kaluar”.

Vitin e shkuar ishte po vetë kryeministri Rama, i cili pati deklaruar se vala e emigrantëve mund të kalonte nga Shqipëria, me afrimin e dimrit dhe Shqipëria do të duhej të ishte e gatshme, nëse i kërkohej, për t’i pritur emigrantët.

Nga qeveria u pranua edhe se po përgatiteshin disa kampe në Gjirokastër. Është e pakuptueshme deklarata e Ramës për të mos i hapur kufijtë.

Por nxitimi për ta zbutur qëndrimin me anë të ministrit Bushati, pas reagimit grek, e tregon atë sa të pakujdesshëm në diskursin publik aq edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Artikulli paraprakIvanov: Maqedonia është aleati më i afërt i Greqisë
Artikulli vijuesSonte, nata e çmimeve “Oscars”, mes tyre edhe “Shok”