Emiri i Katarit: Vuajtjet e popullit sirian po zgjasin shumë

Emiri i shtetit të Katarit, shejh Hamed bin Halifa, ia ka faturuar Këshillit të Sigurimit dhe Ligës Arabe përgjegjësinë për ndërprerjen e dhunës në Siri, ndërkohë që u ka bërë thirrje palestinezëve ti japin fund konflikteve të brendshme. Ai theksoi se nuk është e drejta e Izraelit të përcaktojë cilat toka ka të drejtë ti pushtojë e cila jo.

Ai hodhi poshtë zërat që thuhen lart e poshtë për vendin e tij mbi agjendat politike, ekonomike dhe sociale në Siri apo në çdo vend tjetër. Ai tha se Katari ka qëndruar përkrah popujve të persekutuar sa herë që janë ekspozuar ndaj dhunës dhe shtypjes së pamëshirshme. Ai tha se Katari ka një vizion dhe media arabe të pavarur e cila mbulon ngjarjet me objektivitet.
Emiri tha se çështja palestineze është çështje arabe edhe pse duket sikur është harruar aktualisht për shkak të zhvillimeve të fundit tek popujt arabë. Ai tha sa Palestina ka qenë dhe është në zemrat e popujve arabë, të cilët janë të revoltuar nga qeveritë e tyre për shkak të injorimit të çështjes palestineze.
Ai shtoi:”Qeveria izraelite është dritëshkurtër, pasi orvatet të shfrytëzojë gjendjen aktuale në favor të ndërtimit të kolonive të reja. Është shumë e rrezikshme ajo që Netanjahu ka propozuar, sipas të cilit Bregu Perëndimor duhet të mos konsiderohet më si territor i pushtuar, por si territor që i përket shtetit të Izraelit. E ardhmja e popujve nuk përcaktohet me vendime izraelite.”
Emiri tha se të gjitha kolonitë izraelite të ndërtuara janë të paligjshme, gjë e cila vlen edhe ato të ndërtuara në Kuds (Jeruzalem), Golan dhe Mezari Sheba.
Ai u bëri thirrje palestinezëve të hedhin pas shpine konfliktet mes tyre, pasi këtë përçarje nuk e kupton askush tashmë përse vazhdon dhe nuk kapërcehet. Ai vlerësoi rolin e Egjiptit në thyerjen e bllokadës ndaj Rripit të Gazzës, duke u bërë thirrje arabëve të kontribuojnë për rindërtimin dhe normalizimin e jetës atje. /A.online/kohaislame

Artikulli paraprakUshtari amerikan akuzohet për masakër
Artikulli vijuesObama rizgjidhet President i SHBA-së