E ndërtuar në shekullin XV, Xhamia e Çarshisë njihet si më e vjetra në kryeqytet.
Kjo xhami ndryshe njihet si ajo e gurit, pasi e tërë minarja e saj është e ndërtuar me gurë, raporton “038” i KTV-së.
E vendosur në qendër të qytetit, konsiderohet si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore.
Duke dashur të ruhen gjurmët e së kaluarës, në vitin 2011, filloi restaurimi i saj, por prej atëherë xhamia ka këtë pamje.
Kjo po u pengon më së shumti qytetarëve. Restaurimin e Xhamisë e sheh si të domosdoshëm edhe Bashkësia Islame e Kosovës.
Komuna e Prishtinës që e financoi restaurimin e saj kohë më parë pati deklaruar se shkak që punimet ngecën ishin mosmarrëveshjet me punëkryerësin, që është Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve.
Drejtori aktual i këtij instituti, Alban Bakija, ka thënë se nuk mund të flasë për këtë pasi nuk ishte në këtë post në kohën kur filloi projekti.
E drejtori i atëhershëm, Agim Gërguri, ka deklaruar se stagnimi i punëve ka ndodhur për shkak të ndërrimit të pushteteve.
Pa dhënë ndonjë sqarim, Komuna e Prishtinës thotë se mosmarrëveshjet kanë qenë çështje të mëhershme.
Drejtoresha e Kulturës ka treguar se tashmë është formuar komisioni, i cili do të bëjë vlerësimin e gjendjes së Xhamisë, që në bazë të tij, do të vazhdojë edhe jetësimi i projektit.