Erdogan: Lufta kundër ISIS-it është kthyer në teatër, në lojë tragjike

Presidenti turk, Rexhep Tajjip Erdogan, ka shfrytëzuar ceremoninë përkujtimore të 742-vjetorit të vdekjes së Mevlana Xhelaleddin Rumiut, mistikut të njohur, për të folur mbi luftën në Siri, për tragjedinë e popullit sirian, e për t’iu përgjigjur tërthorazi retorikës së ashpër antiturke të Rusisë që vijon prej javësh.

Duke folur në përkujtimoren Sheb-i Arus, Erdogani tha se mijëra muslimanë të pafajshëm janë vrarë me pretekstin e luftës kundër ISIS-it.

Ai e ka patur tërësisht me Rusinë kur ka deklaruar se, “Një vend e shënjestron ISIS-in në vetëm 10 për qind të sulmeve të veta ajrore, ndërsa në 90 për qind të tyre vë në shenjë turkmenët e muslimanët e tjerë që janë kundër regjimit sirian.”

“Ju lutem, tani askush të mos e gënjejë tjetrin!”

Ai e ka përshkruar si një tragjikomedi luftën kundër ISIS-it, si një pretekst për luftën për pushtet. “Lufta për pushtet në Siri, e bërë nën pretekstin e luftës kundër ISIS-it, është kthyer në një lojë tragjike, në një teatër.”

“Çdokush po luan, çdokush po përpiqet të marrë një rol, ama njerëzit që vdesin janë të vërtetë. Bebet, fëmijët, gratë e pleqtë që po vdesin janë të vërtetë. Shtëpitë, shkollat, vendet e adhurimit dhe objektet historike të shkatërruara janë të vërteta!”

“Bombat po hidhen për llogari krejt të tjera. Por në vendin ku shpërthejnë këto bomba ka gjak të derdhur, ka jetë të rrënuara!”

Artikulli paraprakZëvendëskryeministri izraelit jep dorëheqje pas akuzave për ngacmim seksual të grave
Artikulli vijuesTurqia vendosë bazën e parë ushtarake në Katar