Erdogan për CNN: Po të qëndroja edhe 15 minuta në Marmaris ose do të isha vrarë ose rrëmbyer

Presidenti i Republikës së Turqisë në një intervistë për CNN International foli për ngjarjet në lidhje me tentimin e grusht shtetit të mbështetësve të organizatës terroriste FETO të infiltruar në radhët e Forcave të Armatosura të Turqisë më 15 korrik.

Ai rikujtoi se atë ditë ndodhej për pushime në Marmaris, në momentet kur kishte filluar tentimi i grusht shtetit.

“Nëse do të qëndroja edhe 15 minuta në Marmaris, do të isha ose i vrarë ose i rrëmbyer”, tha Erdogan.

Ai theksoi se kishte ftuar qytetarët e Turqisë që të dalin në rrugë dhe të parandalojnë tentimin e puçit.

“U bëra thirrje qytetarëve që menjëherë të dalin në rrugë. Reagimet e para ishin se qytetarët masovikisht dolën në rrugë”, tha Erdogan në fillim të bisedës.

Presidenti turk vuri në dukje se në asnjë moment gjatë asaj nate nuk kishte menduar se nuk mund të jetë president i Turqisë.

“Për asnjë moment nuk kam menduar. Unë qartë thash se vendi u sulmua dhe se presidenti ende është në detyrë”, tha Erdogan.

Ai shtoi se organizata terroriste FETO gjatë kësaj përpjekje të puçit ka pësuar goditjen më të madhe.

“Organizata terroriste FETO ka marrë goditjen më të madhe pasi që ata tashmë janë ekspozuar. Ata përdorën armët kundër popullit që është blerë me para nga populli i Turqisë”, tha Erdogan.

Ai theksoi se nga administrata amerikane gojarisht ka kërkuar ekstradimin e Fetullah Gulenit.

“SHBA-të nuk duhet të mbajnë një terrorist të tillë. Në qoftë se ne e dërgojmë kërkesën, atëherë ju duhet ta ekstradoni”, tha presidenti turk, duke vënë në dukje se në një ose dy ditët e ardhshme edhe zyrtarisht do të kërkohet ekstradimi i Gulenit. Nëse SHBA-të nuk i përgjigjen pozitivisht kërkesës, Turqia kurrë nuk do të ekstradojë ndonjë që SHBA-të kërkojnë nga Turqia.

Në fund të bisedës, ai tha se populli i Turqisë kërkon kthimin e dënimit me vdekje, pas ngjarjes së fundit.

“Qytetarët kërkojnë kthimin e dënimit me vdekje. Njerëzit kanë humbur të afërmit, fqinjët dhe fëmijët. Qytetarët mendojnë se këta terroristë, duhet të vriten. Nëse Parlamenti i Turqisë sjell vendimin e dënimit me vdekje, unë do të konfirmojë atë”, tha Erdogan./AA

AddThis Sharing Buttons

84

Artikulli paraprak‘Për Lëvizjen BESA prioritet është shtetformësia edhe shqiptare e këtij shteti’
Artikulli vijuesPËR ERDOGANOFOBINË E SHQIPTARËVE