Është kapur i shumëkërkuari Naser Kelmendi

Zëdhënësja e policisë së Kosovës, Sbrie Kamberi ka konfirmuar se Naser Kelmendi është arrestuar nga forcat e rendit, raportoi KTV. “Ai është arrestuar në orët e vona të mbrëmjes dhe i njëjti është dërguar në qendrën e mbajtjes”, ka thënë ajo.

Sarajevë, Prishtinë, Podgoricë, 6 maj – Raportohet për kapjen e shumë të kërkuarit nga policia e rajonit dhe ajo ndërkombëtare, Naser Kelmendit. Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, pa dhënë hollësi për vendin, kohën dhe rrethanat e arrestimit të tij.

Naser Kelmendi ndodhej në listën e të kërkuarve nga policia ndërkombëtare për një varg krimesh, mbi të gjitha i cilësuar si narko-bos i Ballkanit.

Pohohet se ai u arrestua mbrëmë në orën 20 e 30 minuta, në Prishtinë.

Edhe më heret ishte raportuar për arrestimin e tij nga Policia e Kosovës, por ndërkohë ishte njoftuar për arrestim të personit të gabuar.

Një gjykatë e Bosnjë e Hercegovinës në shtatorin e vitit të kaluar kishte lëshuar një flet-arrest ndërkombëtar për Naser Kelmendin dhe disa të dyshuarve të tjerë, pas aksionit “Kukulla” (Lutka). Ai akuzohet për vrasjen e Ramiz Delaliqit Qeles në Sarajevë më 2007 si dhe shumë krime të tjera.

Ai konsiderohet si një nga udhëheqësit e grupeve kriminale në Ballkan. Me këto cilësime ai ndodhet edhe në listën e zezë të Departamentit të Shtetit Amerikan.

Disa herë ka evituar arrestimet.

Mediumet kanë shkruar më herët se Kelmendi gjendet në arrest shtëpiak në vilën e tij në Dubai, ku hetuesit amerikanë e kontrollojnë lëvizjen e tij.

Naseri, djemtë e tij Elvisi, Liridoni dhe Besniki, dhe vëllai i tij Beçiri, thuhet se zotërojnë një numër të bizneseve në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë duke përfshirë hotele dhe një kompani kamionësh./kohaislame

Artikulli paraprakInvestitori shqiptaro-turk shantazhohet me 300 mijë euro në Pejë
Artikulli vijuesLibi: Ligj për zyrtarët të epokës së Gadafit