EULEX transferon pajisje përgjuese për “peshqit e mëdhenj” nga Prishtina në Tiranë

Një autokolonë e “çuditshme” ka udhëtuar para dy ditësh nga Prishtina në Tiranë, duke sjellë në selinë e ambasadës që drejton Romana Vlahutin, pajisje ultramoderne elektronike.

Bëhet fjalë për tërë arsenalin logjistik që EULEX-i i Kosovës ka përdorur gjithë këto vite dhe me mbylljen e misionit po i devijon në Tiranë.

Nuk janë thjesht disa kompjutera apo servera, por një ngarkesë e madhe që është marrë nga një kapanon gjigand në Prishtinë dhe me disa kamionë ka udhëtuar për në Tiranë.

BE nuk bën të ditur detajet e furnizimit të ri, i cili është marrë në dorëzim vetë nga ambasadorja e BE-së në Tiranë Vllahutin në prezencën e shefes së EULEX-it, Alexandra Papadopoulou.

Në një njoftim të shkurtër BE-ja bën të ditur se janë pajisje IT dhe logjistike, por sasia e madhe e ngarkesës të bën të kuptosh se janë si shumë material për një ambasadë.

EULEX në Kosovë ka qenë një shtet real, me polici, prokurori dhe gjykata. Që do të thotë që pajisjet e përdorura nga misioni i zbatimit të ligjeve kanë qenë më të fundit dhe me funksione të gjera, ku hyn përgjimi dhe regjistrimi.

Dalja në mediat kosovare në gjithë këto viteve i paketave përgjuese telefonike ndërmjet njerëzve më të rëndësishëm të vendit, është dëshmi e kësaj fuqie logjistike që ka patur misioni i BE-së në Kosovë.

I gjithë ky arsenal ka mbërritur në Tiranë dhe ende nuk dihet se ku do të instalohet.

Burime brenda ambasadës së BE-së në Tiranë bëjnë të ditur se pajisjet do të jenë pjesë e ndihmës që Brukseli do të japë për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorinë Speciale që do të krijohen muajin e ardhshëm.

Duket se pas nisjes së vettingut në ditët e para të muajit shkurt, Vlahutin do të bëjë ndarjen e pajisjeve për agjencitë e reja ligjzbatuese.

Megjithatë, një pjesë e këtyre pajisjeve do të përdoren edhe nga stafi i delegacionit të Bashkimit Europian, i cili do të rrisë kontigjentin e tij.

Ky kontigjent do të jetë pjesë mbështetëse e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili përveç kompetencës së sitës për gjyqtarët aktualë dhe emërimin e të rinjve, do të monitorojë në mënyrë permanente sistemin e ri të drejtësisë.

Dhe tek monitorimi, përgjimi është një nga elementët më kryesor.

Prej dy vjetësh tesheshi.com ka bërë të ditur se BE do të sjellë në Tiranë një “EULEX” të ri, i cili do të jetë një fuqi ekzekutive në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të lartë.

Fakti i transferimit në Tiranë të të gjithë fuqisë logjistike të EULEX-it të Kosovës, është një dëshmi e qartë se ky plan i Brukselit po zbatohet pikë për pikë.

Në Tiranë, këto ditë po flitet edhe për njeriun që do ta drejtojë “EULEX-in shqiptar”, një përfaqësues i qeverisë gjermane.

Deri tani po qarkullon gjithnjë e më shumë emri i Reinhard Deville. /tesheshi.

Artikulli paraprakEkskluzive: NISMA ndryshon emrin
Artikulli vijuesKur Ismail Kadare e quante “babë” diktatorin fashist, Stalin