Everest, 17 trupa të pajetë dhe 21 të plagosur. Gjithsej 1 mijë alpinistë në kampin bazë

17 trupa të pajetë janë nxjerrë nga kamp bazë në malin Everest, ku qindra alpinistë janë bllokuar pas tërmetit që tronditi Nepalin të shtunën, i cili shkaktoi orteqe në malin më të lartë në botë, për më tepër në periudhën më të ngarkuar me turistë, bëri të ditur një zyrtar. 
 
Të plagosurit e parë u transportuan me helikopter gjatë mëngjesit të së dielës, njoftoi një alpinist rumun, Alex Gavan, duke shkruar në rrjetin social Tëitter, i ndodhur në kampin bazë. “Ata që ishin plagosur më rëndë janë evakuuar me helikopter, – shtoi ai. – Duke u kujdesur për njerëzit në nevojë, edhe pse na flihet shumë gjumë”, vijonte mesazhi i tij.
 
22 alpinistë janë transportuar në një lartësi më të ulët, nga ku 18 prej tyre do të evakuohen për në Katmandu me anë të helikopterëve ushtarakë të ngritur nga aeroporti i kryeqytetit të Nepalit gjatë mëngjesit, pas largimit të reve të dendura në qiell.
 
Orteqet kanë qenë të shumta dhe të mëdha në Everest, duke “varrosur” një pjesë të mirë të kampit bazë, ndërkohë që shumë alpinistë u mblodhën pranë rrugës kryesore përpara se të nisnin ngjitjen, në periudhën më të gjallërueshme, por për fat të keq u goditën nga incidenti më vdekjeprurës i ndodhur në këtë mal.
 
Një alpinist amerikan, John Reiter, tha se dhjetëra persona kanë pësuar plagë serioze, shumica e të cilëve në kokë. 17 trupa janë rikuperuar pas mbulimit të kampit nga orteku, sipas presidentit të Shoqatës së Alpinistëve të Nepalit, Ang Tshering Sherpa, i cili foli për “Reuters”. 21 të tjerë janë plagosur. Njëri prej viktimave mësohet të jetë Dan Fredinburg, një inxhinier i kompanisë “Google” nga Kalifornia, për shkak të plagëve të marra në kokë gjatë ortekut.
 
Zyrtarë të Ministrisë së Turizmit përllogarisin se të paktën 1000 alpinistë, përfshi 400 të huaj, kanë qenë në kampin bazë të Everestit në pritje për t’u ngjitur në momentin kur goditi tërmeti. Ndërkaq, në kampet 1 dhe 2, mbi kampin bazë, 100 instruktorë ngjitjeje kanë shpëtuar, por nuk munden të zbresin poshtë, për shkak të shkatërrimit të rrugëve./Top Channel 
Artikulli paraprakSHBA, Obama bie pre e “hacker”-ave rusë
Artikulli vijuesBie drastikisht numri i azilkërkuesve kosovarë në Gjermani