Ezani e këmbanat s’bëjnë zhurmë si klubet e natës

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka dhënë kritika për Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma, i cili ezanin dhe kambanat i konsideron si zhurmë.

Agani në intervistën dhënë “Epokës së re” ka thënë se është e padrejtë dhe joparimore që ezani dhe kambanat të krahasohen me zhurmën e klubeve të natës. “Mendoj se çfarëdo asocimi i ezanit të xhamive ose i kambanave të kishave me zhurmën është plotësisht joadekuat, i papranueshëm dhe në kundërshtim me vlerat e kulturës sonë qytetare dhe kombëtare”, ka deklaruar Agani.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës nuk janë duke treguar ndjeshmëri ndaj feve. Sipas tij, institucionet janë duke tentuar t’i zbehin vlerat ndërfetare që ka Kosova duke nxitur debate përçarëse në shoqëri.
Në këtë kontekst, Agani ka thënë se PD-ja do të vazhdojë të jetë gardiane në mbrojtjen e vlerave kombëtare, fetare dhe euroatlantike të qytetarëve të Kosovës.
Ai ka paralajmëruar se deputetët e PD-së në Kuvendin e Kosovës do të insistojnë që gjatë leximit të dytë ky emërtim për ezanin të hiqet nga Projektligji për mbrojtjen nga zhurma. “Në këtë drejtim nuk ka asnjë dilemë. Deputetët e Partisë së Drejtësisë në Kuvendin e Kosovës, të cilët kanë mbështetjen edhe të dhjetëra deputetëve të tjerë, do të angazhohen që kurrsesi mos të ndodhë që ezani apo kambanat të klasifikohen si zhurmë”, është shprehur Agani./kohaislame

Artikulli paraprakFirma shqiptare rrënoi ndërtesën më të lartë në Evropë
Artikulli vijuesPijnë alkool, dy fëmijë në gjendje kome në spital