Familja skamnore nga Fushë-Kosova bëhet me shtëpi të re falë vullnetit të qytetarëve (Video)

Deri më tani kanë jetuar në kushte të mjerueshme. Xhevahire Faqi e cila ka probleme psikike dhe fizike dhe katër vajzat e saj nga komuniteti ashkali në komunën e Fushë-Kosovës kanë jetuar për 4 vite me qira në këtë shtëpi e cila nuk plotëson as kushtet minimale për jetesë. Shpenzimet e qirasë i ka mbuluar komuna. Kjo familje jeton vetëm me një pension invalidor. Bashkëshorti i Xhevahires ka vdekur një vit më parë dhe kjo e bënë shumë të vështirë jetën e katër vajzave të saj, të cilat kanë barrën kryesore për mbajtjen e familjes dhe kujdesin ndaj nënës së tyre, raporton Click Channel.

Por ato sot po mbledhin edhe ato gjëra të pakëta që i kanë pasi do të zhvendosen në shtëpinë e re me kushte moderne, e cila u është ndërtuar falë vullnetit të mirë të qytetarëve.

Njëra nga vajzat e kësaj familje, me lotë në sy falënderon të gjithë ata që ndihmuan në ndërtimin e shtëpisë së tyre të re.

Ndërtimi i shtëpisë është mundësuar falë bashkëpunimit të Shoqatës humanitare “Rahmeti”, organizatës joqeveritare “Health For All” , komunës së Fushë Kosovës dhe qytetarëve

Avni Kadrolli, kryetar i shoqatës humanitare “Rahmeti”, falënderon të gjithë donarët që kontribouan në këtë rast, raporton Click Channel.

 

Ndërsa drejtuesi i Organizatës joqeveritare “Health For All” Muharrem Asllani, shpjegon ecurinë e bashkëpunimit që qoi në ndërtimin e shtëpisë.

Asllani thotë se kjo është një qasje e re sa i përket marrjes së iniciativës për ndihmë, derisa ka falëderuar edhe bizneset, ogranizatat dhe qytetarët që kanë kontribouar.

Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Fushë-Kosovë Mimoza Kolshi, njoftoi se komuna ka ndarë 2 mijë euro për ndërtimin e kësaj shtëpie, derisa kanë paguar  për katër vite qiranë e shtëpisë në të cilën kanë jetuar deri më tash familja Faqi.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në këtë komunë Abaz Xhigoli, tha se janë duke kërkuar një person i cili do të merrte përgjegjësinë për përkujdesjen e kësaj familjeje, pasi të gjithë fëmijët e zonjës Faqi janë nën moshën 18-vjeçare.

Ndërsa përfaqësuesi i komunitetit ashkali në Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës Qerim Gara, ka shprehur falënderime për të gjithë ata që kanë ndihmuar në ndërtimin e kësaj shtëpie, veçanarisht kryetarin e shoqatës “Rahmeti”.

Kësaj familje i është siguruar edhe uji për pije./Click Channel/

https://www.youtube.com/watch?v=GlU-EfyZ_u4

Artikulli paraprakUNICEF thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të dhunës në Halep
Artikulli vijuesMbi 60 kosovarë kanë humbur jetën në vendet e punës