Fatmir Limaj, i akuzuar për shtatë vepra kriminale

Deputeti Fatmir Limaj thoshte se mezi po e pret ditën kur do t’i ngrihet aktakuza për korrupsion, për të zbuluar “montimet kundër tij”. Kjo ditë i ka ardhur të premten.

Prokurori i EULEX-it, Johanes Picker, ka ngritur aktakuzë kundër tij për disa vepra të rënda penale, duke përfshirë krimin e organizuar që ka të bëjë me punën e tij si ministër i Transportit dhe i Telekomunikacionit. Në aktakuzë për vepra të ndryshme ngarkohen edhe vëllezërit e tij, Demir e Florim Limaj, ish-shefi i kabinetit të Limajt, Endrit Shala, shefi i prokurimit në MTPT, Nexhat Krasniqi, punëtori i teknologjisë informative në këtë ministri, Gani Zukaj, dhe pronari i kompanisë për ndërtimin e rrugëve, Florim Zuka, nga Gjilani.

Dëmi që besohet se i është shkaktuar shtetit si pasojë e veprimeve të tyre kriminale është mbi 2 milionë euro. Tre tenderë për ndërtim rrugësh besohet se janë dhënë në mënyrë kriminale dhe janë përfituar në këtë mënyrë nga Florim Zuka dhe ndërmarrja e tij “Tali”.

Ai është njëri ndër financuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, nënkryetar i së cilës është Fatmir Limaj. Limaj po dyshohet se me veprimet e tij në bashkëpunim me vëllezërit ka shpërlarë edhe para. Shuma e këtyre parave dyshohet se është mbi një milion euro. /koha/kohaislame

Artikulli paraprakVizita e kryeministrit egjiptian ndahet me dhembje
Artikulli vijues"Izraeli nuk ka për të fituar asgjë nga kjo që po bën"