Fetah Efendiu, shembulli i një atdhetari

Qerim LITA 

Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së brigadave komuniste jugosllave e shqiptare në mbarë viset shqiptare, padyshim se përbën ndër humbjet më të mëdha dhe më të dhimbshme që përjetoi kombi shqiptar gjatë shekullit XX-të. Në emër të “vëllazërim bashkimit”, parullë e njohur komuniste, këta forca burgosën, vranë, torturuan dhjetëra mira shqiptarë kudo që ata shtriheshin, vetëm e vetëm se nuk e mbështetën ideologjinë e tyre. Kësaj fushate të egër që u zbatua në atë kohë mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare, iu kundërvu inteligjenca e atëhershme shqiptare, si mësues, ulematë, përkatësisht paria myslimane shqiptare, kleri katolik shqiptar etj. Ndër ta duhet veçuar edhe Feta Rauf Isakun nga Shkupi, i njohur në opinionin e gjerë shqiptar si Feta Efendiu. Mbështetur në dokumentacionin arkivor, shohim se Feta Efendiu lindi në vitin 1910 në Shkup. Ai ishte ndër nxënësit e parë në medresenë e myderrizit të mirënjohur Ataullah ef. Kurtishi “Medah” në Shkup, e cila u hap në vitin 1923. Pasi e kreu me sukses të dalluar këtë shkollë, nga viti 1935 – 1938 vazhdoi shkollimin e lartë në po atë medrese, duke u specializuar në gjuhën arabe dhe osmane. Më vonë, përkatësisht në vitin 1938, emërohet zëvendës-ligjërues i Ataullah Hoxhës, detyrë që e mbajti deri në kapitullimin e Mbretërisë jugosllave. Krahas veprimtarisë fetare, Feta Efendiu dha një kontribut të çmueshëm edhe për çështjen kombëtare, veçmas kjo gjatë periudhës kohore 1943-1947. Me kapitullimin e Italisë fashiste, Feta Efendiu emërohet anëtar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me seli në Tiranë. Në këtë detyrë qëndroi plot një vjet, me ç’rast ai u njoftua me shumë veprimtar dhe udhëheqës politik shqiptar: Xhafer Devën, Mehdi Frashërin, Tahir Kolxhinin etj. Në tetor të vitit 1944, Feta Efendiu së bashku me Hamit Krujën, Sait Hoxhën, Emin Beun, Rashid Beun, Muhamed Shaban Pashën, në Shkup themelojnë komitetin “Lidhja II e Prizrenit”. Burimet sekrete jugosllave bëjnë të ditur, se detyra kryesore e Feta Efendiut në komitet, ishte lidhja dhe bashkëpunimi i ngushtë me Sul Hotlën. Për këtë qëllim, ai dërgoi në shtabin e Sulës, dy bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë Xhemail Efendiun dhe Ferat Hoxhën. Vendosja e forcave komuniste jugosllave në këto vise, edhe pse i dëshpëruar, ai asnjëherë nuk i humbi shpresat për krijimin e Shqipërisë Etnike, e cila sipas tij do të realizohej me ndihmën e demokracisë anglo-amerikane. Duke e pas parasysh autoritetin e madh që gëzonte te popullsia e gjerë shqiptare, në vitin 1947 organet e UDB-së së atëhershme jugosllave hartuan planin për burgosjen e tij. Ja se çfarë thuhej në të: “Feta Raufi është anëtar i Ulema Mexhlisit (organi kryesor udhëheqës dhe mbikëqyrës i jetës së përgjithshme fetarë, fetar-arsimor dhe kulturor të myslimanëve). Meqenëse zëvendëson reis-ul ulemanë (kreun suprem të myslimanëve në RFPJ) ky trup përbëhet prej shtatë anëtarëve, udhëheqës më të lartë fetar (të gjithë janë me disponim armiqësor ndaj rregullimit) për momentin është organi më i lartë për myslimanët në territorin e Maqedonisë. Të gjithë anëtarët e Ulema Mexhlisit juridikisht janë tërësisht të barabartë, mirëpo faktikisht, veçmas në rast të çështjeve kontestuese, pranohet mendimi i anëtarëve më të aftë (njëri ndër ta është Feta Raufi). Përveç kësaj, Feta Raufi është edhe myderriz (profesor i shkencave të larta islame edhe atë njëri ndër më të përgatiturit, për çka edhe e ka trashëguar Ataullah Hoxhën. Titulli myderriz i takon në tërësi, sepse i posedon të gjitha kualifikimet për atë titull dhe duhet ndarë nga myderrizët tjerë, të cilët mbajnë atë titull, sepse është bërë traditë që të gjithë ligjëruesit në shkollat e larta fetare të emërtohen si myderriz, edhe pse për nga kualifikimi janë shumë prapa tij. Në popull gëzon autoritet, më së shumti si personalitet fetar, mirëpo posedon autoritet edhe në pikëpamjet politike si trashëgimtar i Ata – hoxhës. Mirëpo, duhet të kemi parasysh, se disiplina tek besimtarët mysliman nuk është aq e fortë, si te fetë tjera, kështu që largimi i Feta Efendiut nuk do të paraqitej si ngjarje që do të kishte ndonjë jehonë më të madhe, përveç në Shkup dhe në ato vise ku ndikimi i partisë së Ata-hoxhës është më i madh”. Si rrjedhojë e këtij plani, në vitin 1947 arrestuan Feta Efendiu së bashku me bashkëveprimtarët e tij më të ngushtë: Xhemal ef Xhemailin, Ferat ef. Ibrahimin, Memet ef. Memetin, Riza Xheladinin dhe Menduh Qazimin. Në procesin gjyqësor që u zhvillua në dhjetor të vitit 1947, Feta Efendiu si i akuzuari i parë dënohet me shtatë vjet burg të rëndë, të cilin e vuajti deri në fund.  Nisur nga fakti, se për veprimtarinë e tij kombëtare deri më tash nuk është shkruar asnjë fjali, e pamë të arsyeshme që përmes gazetës “KOHA”, ti publikojmë katër dokumente, përkatësisht, raporte të UDB-së së atëhershme jugosllave, ku në mënyrë të qartë përshkruhet qëndrimi dhe aktiviteti i tij kombëtar gjatë viteve 1945-1946.

Dok 1.
“RAPORT nga bashkëpunëtori “X”
“Reaksionarët shqiptarë në Shkup, si edhe reaksioni i përgjithshëm kanë marrë një grusht të rëndë me RF të Jugosllavisë e veçmas kjo në Maqedoni. Një grup i reaksionarëve në Shkup, në krye me Ataullah Hoxhën pas zgjedhjeve është pasivizuar në tërësi apo thënë më mirë është në habi totale. Para zgjedhjeve përpiqeshin dhe ishin shumë aktiv, sepse gjithnjë ishin në kontakt me popullin. Për këtë veçmas dalloheshin Feta Raufi dhe Mehmet Sadiku që të dy nxënës dhe zbatues të politikës së Ataullah Hoxhës. Pas zgjedhjeve pata dy herë takime me Feta Raufin nxënësin e Ata Hoxhës edhe atë në dyqanin e tij. Takimin e parë e pata më 21 nëntor dhe bisedën e zhvilluam në përgjithësi për çka mund të konkludohet se Feta Raufi dhe grupi reaksionar shqiptar përreth Ata Hoxhës janë të pakënaqur në përgjithësi me regjimin e tanishëm qoftë politik po ashtu edhe në administratë. Takimi i dytë u zhvillua më 24 nëntor 1945 pas dite saktësisht në ora 4 e 30 minuta. Tema e bisedës ishte përsëri politike dhe me rastin e takimit të dytë u vërtetova se Ata Hoxha dhe grupi i tij janë të pakënaqur me rregullimin e tanishëm. Ngeli sërish të shihemi dhe ti vazhdojmë bisedimet. Gjatë ndarjes Feta Raufi në mënyrë të qartë më tha edhe atë duke ma përkujtuar se kjo duhet të ngelë vetëm midis ne të dyve: Duhet në mënyrë shumë serioze të organizohemi dhe të punojmë kundër kësaj gjendje të rëndë që gjendet kombi shqiptar me as çfarë të drejtash. Puna jonë shtoi Feta Raufi duhet të je
të tepër sekrete dhe e mençur, e sa i përket pushtetit do t’i fusim disa anëtarë tanë në pushtet me qëllim të kamuflimit. E pyeta se a mund unë të njoftohem me mënyrën e punës suaj “Efendiu” mu përgjigj: se je i vetmi intelektual që të besojmë, mirëpo nuk të kemi sprovuar në punën tonë prandaj edhe nuk mund ta dish mënyrën e punës sonë, mirëpo për momentin kënaqu edhe me kaq. Këto ishin fjalët e fundit të Feta Raufit dhe më ftoi sërish në bisedime kur të dëshiroj”.


Dok. 2
“RAPORT i bashkëpunëtorit “X”, më 23 prill 1946
“Më 20 prill 1946 udhëtova për në Ferizaj dhe atje vizitova të gjitha zyrat dhe e kuptova se çfarë politike udhëhiqet. Shqiptarët për politikën shqiptare, malaziasit për kral Petrin dhe asnjë nuk e dëgjova të flet për regjimin tonë dhe cilindo që ta pyesësh shprehet: kështu nuk mund të ngelë vetëm nëse vjen ndonjë komision 95 deri 100% janë kundër këtij regjimi, ndërsa shqiptarët frikohen shumë që nëse partia e Drazhës e merr pushtetin në duart e veta sepse këtu (në Kosovë-Q.L.) 95% udhëheqin politikën e Drazhës, besoj se çdo nëpunës është drazhistë vetëm OZNA nuk është sepse OZNA për këto gjëra nuk dinë asgjë. Atje isha dy ditë dhe gjithçka kuptova se çfarë organizate ekzistojnë atje. Politika shqiptare është shumë e shtrirë dhe mban lidhje me Shkupin, Ferizajn, Prizrenin dhe Shkodrën. Më 19 të këtij muaji shkova në shkollën tonë shqiptare (Liria – Shkup -Q.L.) dhe u shpreha: shokë unë dëshiroj të shkoj në Ferizaj dhe Azem Marana më tha nëse ka mundësi të ti jap disa raporte ti dërgosh në Ferizaj te kryetari (Abdullah Musliu – kryetar i rrethit të Ferizajt, mik i ngushtë i Azem Maranës dhe njëri ndër krerët më besnik të NDSH-së – Q.L.) dhe më pyeti se a frikohem për çka unë iu përgjigja se unë nga kjo politikë nuk frikohem prandaj çfarë të duash shkruaj dikujt sepse as që do tu shkoj ndërmend pushtetarëve se çfarë punoj unë dhe ai më tha që ti tregoj kryetarit të Ferizajt që gjithçka çka ka për të dërguar le të mi japë mua që ti sjell në Shkup. Unë e dërgova letrën te kryetari. Në zyrën e tij ishin edhe dy shokë të cilët bisedonin në mënyrë të fshehtë. E pyeta korrierin se a mund të hy te kryetari. Korrieri e njoftoi kryetarin se ka ardhur hoxha nga Shkupi dhe se ka ti dorëzoj një letër për çka kryetari u përgjigj pozitivisht. Kur hyra në zyrën e tij dhe kur i tregova se ka të fala nga Azem Marana dhe ia dorëzova letrën menjëherë u tha, atyre shokëve që ishin në zyre te ai, se ka punë me këtë /për mua/ shok dhe nuk më pranoi në zyre por shkuam drejtë në kafiteri dhe unë e nxora letrën dhe ia dhashë. Ai menjëherë e lexoi letrën dhe më tha: “unë nuk të besoj mirëpo pasi të beson Azemi edhe unë këtë do ta respektoj dhe do të bashkëpunojmë. Frikohem shumë sepse këtu është tepër rrezik sepse do t’i kundërvihemi politikës turke, sepse pushteti më shumë u ndihmon shkollave turke sepse e kanë të qartë se Turqia nuk kërkon asgjë nga këto vise. Ne shumë lehtë do ta njollosim politikën turke vetëm se të jemi më vigjilent në shkolla dhe ti grumbullojmë ulematë në lëvizjen tonë sepse do të vijë koha kur vetëm ata do të pyeten. Në letër thuhej se si në Shqipëri ka shumë trazira dhe se do të rrënohet politika e tanishme dhe çfarë duhet të punojmë ne dhe në të shkruhej edhe diçka por nuk arrita ta kuptoj, sepse ishte e shifruar. Kërkova nga kryetari të më jep nëse ka diçka për ta dërguar në Shkup dhe ai mu përgjigj se për momentin nuk ka asgjë të gatshme dhe se vetë ai pas 3 – 4 ditësh do të vij në Shkup dhe më paralajmëroi që për këtë të mos flet me asnjë sepse menjëherë do të dënohem me vdekje pushkatim (nga organizata e NDSH-së -Q.L.) dhe shtoi: “sepse unë tash më 4 vite jam partizan dhe tash jam kthye sepse e kam parë se nuk ka drejtësi”. Bisedova edhe me një ballistë dhe e pyeta se a mban lidhje apo vetë ata punojnë dhe ai mu përgjigj: po kemi lidhje me Shkupin dhe tha se një kryetar u ka thënë se për 4 ditë nga Shqipëria do të arrij direktiva se si të punojnë”. Nga biseda me hafëz Kasamin kuptova se Ataullah Hoxha ka urdhëruar që partia e tij të futet sa më shumë në organet e pushtetit me qëllim të maskimit të politikës së saj reaksionare”.

Dok 3.
“RAPORT i bashkëpunëtorit “X”, më 17 maj 1946.
“Më 17 maj 1946, pata një bisedë të gjatë me Feta Raufin, nxënësin e Ata Hoxhës. I njëjti lidhur me Triesten dhe Krahinën e Julit dhe lidhur me mitingjet që po mbahen ndër të tjerave më tha: Habitem me Jugosllavinë se si gjërat i sheh në mënyrë aq fëmijërore. Ata mendojnë se me telegrame dhe mitingje ta marrin Triesten. Jugosllavët ishin atje dhe përse e lëshuan Triesten kur ata atje janë të fortë siç po paraqiten dhe nuk janë të vetëdijshëm se asnjë nga kombet nuk e kanë pas veti. Kundër regjimit të tanishëm veçmas janë serbët dhe kroatët. Ne shqiptarëve, tha Feta Raufi, na kanë për shkak se frikohemi se përndryshe askush nuk i donë. Maqedonasit 95% janë kundër. Këta do të shkatërrohen, për këtë aspak nuk dyshoj. Për këtë së shpejti do të bindesh edhe ti. Në vazhdim më tha se ndonjë amerikan ka mbajt fjalim kundër Sovjetikëve, Rusisë dhe ka thënë se ne nuk mund të lejojmë që Rusia të punoj ashtu siç dëshiron ajo. Po kështu mendon edhe Anglia. Ata sërish do ta ringjallin Gjermaninë siç e ringjallën Francën. Për ne myslimanët do të jetë shkëlqyeshëm dhe për këtë mos dysho as pak. Në çka mbështeteni, e pyeta Feta Rauf efendinë? Mendoj dhe dëshmoj në atë se ne sot jashtë kemi njerëz tanë duke ma përmendur Xhaferr Devën, Mehdi Frashërin etj. Nga ku ju ata i njihni? I njoh shumë mirë dhe jam i bindur se janë shqiptar të mirë dhe besimtar dhe ata sot në mënyrë aktive punojnë për Shqipërinë. Me ta kam bashkëpunuar gjatë kohës së okupacionit, përderisa kam qenë në Shqipëri. Atje isha thuajse një vit të tërë dhe i njoh në mënyrë të shkëlqyeshme. Ku ata sot gjenden? Ata gjenden në Itali dhe jemi të informuar tha Feta Raufi, se punojnë në mënyrë shumë aktive për Kosovën dhe në përgjithësi për çështje të mira kombëtare. Përndryshe së shpejti do ta shohësh edhe ti se çfarë do të ndodh, kur anglo-amerikanët do të futen në Ballkan e deri atëherë duhet të durojmë e nënkuptohet edhe të punojmë atë që është e mundur. Shu
më vështir shkon, mirëpo megjithatë do të qëndrojmë, sepse jemi të sigurt se nuk do të zgjasë shumë, përfundoi Feta Raufi”.


Dok. 4
“RAPORT i bashkëpunëtorit “X”, dërguar më 14 qershor 1946
 “Më 14 qershor 1946 pata takim me Feta Raufin, i cili më tha si më poshtë: Marrëveshje midis sovjetikëve dhe anglo-amerikanëve nuk mund të arrihet, sepse anglo-amerikanët nuk do të lejojnë të bolshevizohet Evropa, e krahas kësaj nuk do të lejohet sundimi i sllavëve ndaj popujve tjerë në Evropë e veçmas në Ballkan, sepse tash më është formuar blloku sllav. Ai bllok nuk është asgjë tjetër veçse imperializëm i sllavëve por në mënyrë dhe formë tjetër. A thua ne Feta, nuk duhet të jemi në anën e sovjetikëve, sepse mendoj se vetëm falë sovjetikëve sot e gëzojmë lirinë? Po tha, liri gëzojnë maqedonasit, mirëpo sa i përket neve, robëri më të madhe nuk mund të ekzistoj. Burgjet plotë me myslimanë të burgosur pa ndonjë arsye. Më thuaj t’i mua se sa mysliman ka të punësuar në organet shtetërore dhe këtu menjëherë do të bindesh se sa liri dhe të drejta ne kemi. Ndoshta lirinë e mendon në atë se shkollat fillore janë në gjuhën shqipe? Po iu përgjigja unë. Jo miku i dashur kjo liri për ne është armiku numër një siç është armike e jona edhe politika e Enver Hoxhës, sepse ajo është për zhdukjen totale të fesë islame dhe për krijimin e një kombi shqiptar pa fe i cili pas një kohe do të sllavizohej. Ne shqiptarët e kemi ruajt kombin tonë vetëm duke iu falënderuar fesë dhe politikës fetare. A thua duhet të jemi aleat me drazhistët? Jo, edhe kjo është e keqe. Ne duhet të jemi, përkatësisht të angazhohemi për një politikë demokratike e cila pa dyshim se do të mbisundojë edhe në Jugosllavi. Ajo do të vjen, dhe deri tani do të kishte ardhur po të mos ishte në Shqipëri në pushtet Enver Hoxha, njeri i rusëve, por njerëzit duhet të jenë pro anglez. Një Shqipëri të tillë në të cilën do të respektohej feja unë do ta dëshiroja. Anglo-amerikanët do ta krijojnë Shqipërinë etnike, e cila do të shfrytëzohet për sulm dhe mbrojtje nga robëria sllave, kjo me siguri do të ndodhë, por një politikë të tillë duhet ta ndihmojmë. Sot, kryesisht duhet të presim, sepse është rrezik, mirëpo megjithatë duhet punuar por me një fshehtësi të madhe sepse jemi të rrethuar me spiunë dhe nuk na lënë të qetë. Kjo shumë lehtë do të përballohej tha Feta Raufi kur do ta dinim dhe do të ishim të sigurt se këta do të shpartalloheshin dhe do të vinte liria e popujve nën udhëheqjen e demokracisë anglo-amerikane. Nuk kam aspak dyshim, përkatësisht jam thellë i bindur se me ushtrinë angleze do të vijnë edhe ushtarët mysliman arab”.

Artikulli paraprakKush ishin njerëzit e SHIK’ut që rrahën Ramën
Artikulli vijuesPse ranë investimet e huaja pas pavarësisë?