Xhamia e Prilepit – pasqyrë e ndërgjegjes sonë

Shkruan: Mixhait POLLOZHANI, Strugë

Të shkruash për ndonjë objekt të kultit, aq më tepër kur bëhet fjalë për xhamitë te ne, të cilat jo rrallë po bëhen viktimë e dhunës njerëzore, rrezikon që të vihesh para dy sfidave. Njëra sfidë ka të bëjë me rrezikun që të futesh në kurthet e abuzimit me ndjenjat fetare dhe, tjetra në pamundësinë për të bërë diç më tepër për të mirën e këtyre objekteve të kultit. Por, megjithatë, diçka duhet thënë, sepse gjëja më e vogël që mund të bësh është të mos heshtësh, cilat do qofshin efektet nga prononcimi..

Sigurisht që jo njëherë është shkruar për fatin e xhamisë në fjalë, e cila do të jetë subjekti tematik i këtij artikulli, ndaj dhe unë nuk pretendoj se do të sjellë diçka të veçantë mbi Çarshi-xhaminë, por vetëm do ta riaktualizoj fatin e kësaj faltore, e cila për shumëçka është karakteristike për hapësirat tona. Jam qasur me qëllimin më të mirë për të alarmuar sadopak për tejkalimin e gjendjes në të cilën është katandisur ajo sot. Kisha lexuar se kjo xhami përngjan në deponi të egër bërlloku, vend ku tubohen njerëzit të varur nga alkooli dhe droga, porse gjendja është aq e mjerueshme, nuk e besoja dot!

Për këtë u binda edhe vetë unë kur kohë më parë e pashë nga afër e Çarshi-xhaminë. Për të qenë i sinqertë me veten time, por edhe korrekt me lexuesit tanë, dua të përkujtoj se rruga asaj dite të Ramazanit më çoi për një punë tjetër në Prilep. Mund të merret me mend se çfarë ndjenje të përshkon kur shikon një objekt të braktisur në atë gjendje. Aq më tepër, kur je krejtësisht i huaj në një ambient dhe, duke e pasur parasysh atmosferën të nderë politike dhe marrëdhëniet të ndjeshme ndëretnike, je akoma më i kujdesshëm se mos vallë provokon ndokënd. Meqenëse nuk njeh njeri, sigurisht se nuk ke edha as me kë të bisedosh për të marrë ndonjë informacion plotësues. Megjithatë, do të ishte pafalshme për mua si njeri që profesion e kam pikërisht trashëgiminë kulturore, që të bëhesha sikur nuk më intereson fare fati i kësaj xhamie.

Ndaj dhe vendosa të reagoj. Qëllimi im, megjithatë, është që të sjellë sa më shumë informacione, jo vetëm nga aspekti historik të zhvillimit të traditës arkitektonike islame te ne, në rastin konkret të historisë së objekteve profane dhe sakrale islame në qytetin e Prilepit, por edhe për ta vlerësuar edhe trajtimin joadekuat dhe diskriminues të kësaj trashëgimie nga ana e institucioneve shtetërore.

Çarshi-xhamia si Imareti

Gjatë përvojës sime të gjatë në fushën e trashëgimisë, puna më ka rastisur që të vizitoj dhe të shikoj objektet në gjendje nga më të ndryshmet. Jo se gjendja e tyre nuk më ka bërë përshtypje, por duke ia adresuar fajin distancës së gjatë kohore të kaluar, si dhe pasqyrimit të krijuar mbi gjendjen e tyre e nga burimet e ndryshme, të shërbejnë si ngushëllim por ndonjë justifikim sado i paqëndrueshëm qoftë ai. Por, kur e ke të freskët kujtimin për atë se çka ka ndodhur me një objekt të kultit, kur si bashkëkohës të dalin para syve pamjet e flakëve të zjarrit që e asgjësuan xhaminë në fjalë dhe atë të transmetuar nëpërmjet ekraneve televizive, atëherë reagimi është i kuptueshëm.

Dhe, me të vërtetë, kur e shikova të katandisur në atë gjendje të mjerueshme atë objekt kulti me vlera të mëdha arkitektonike, madje mu aty në qendër të një qyteti, sigurisht që nuk kisha se si të mbetesha indiferent. Megjithatë, e mira është se ndjenjat e pakëndshme që më krijoheshin i ndaja me shoqëruesin tim, Muhamed Lloga, i cili duke qenë një besimtar i devotshëm nuk u përmbajt dot, e nxori celularin e tij dhe mori ca pamje fotografike me xhaminë në fjalë.

Dhe, përderisa ky i ri po fotografonte, mua m’u rikthye kujtesa te një xhami tjetër që nuk ekziston më! Teksa po i shikoja muret e Çarshi-xhamisë, m’u përfytyrua pamja e xhamisë së Imaretit në Ohër, e cila qëndroi ashtu me muret e zhveshura për dekada me radhë edhe erdhi një ditë dhe ajo u zhduk pa nam e nishan nga faqja e dheut. Kjo ndodhi vite më parë dhe atë para syve të gjithëve. Lutesha ndër vete duke thënë se mos dhashtë Zoti që të ndodhë e njëjta gjë edhe me xhaminë e Prilepit.

Kuptohet se kisha dilemë se ku do ta mbështesja shtjellimin e artikullit, te drejtuesit e institucioneve që merren me trashëgiminë kulturore, subjektet përgjegjëse politike, përfaqësuesit e Bashkësisë Islame apo te bashkëbiseduesit e rëndomtë, të cilët me siguri ka se çfarë të thonë. Por, megjithatë, vendosa që të mos marr askënd në bashkëbisedim, duke u nisur nga fakti se ja u bënë plotë pesëmbëdhjetë vite që kur të gjithë premtojnë për riparimin e kësaj xhamie dhe as sot e kësaj dite nuk është ndërmarrë asgjë.

Përveç paralajmërimeve të kohëpaskohshme të marrëveshjeve të arritura dhe projekteve të aprovuara, por të pa realizuara, asgjë tjetër nuk është bërë në këtë drejtim. Të gjitha mbeten vetëm fjalë.

Historia e Prilepit

Edhe qyteti i Prilepit, ashtu si çdo qytet tjetër, ka të kaluarën dhe të tashmen e tij. Gjeografikisht shtrihet në pjesën veriore të fushëgropës së Pellagonisë, e cila përbënë pjesën jugore të Maqedonisë. Ndryshe ky njihet edhe si qytet nën Kullat e Kraleviq Markos, djali i mbretit serb Vukashin.

Gjurmët më të hershme të qytetit të Prilepit hasen që në parahistori, më saktë gjatë epokës së neolitit. Te fortifikata e njohur si “Markovi Kuli” në afërsi të qytetit janë zbuluar gjurmë të një vendbanimi parahistorik. Ndërkaq, urbanizmi i qytetit të Prilepit fillon gjatë periudhës së antikitetit, ku në afërsi të tij është ngritur vendbanimi Keramia (Ceramiae), i cili është ripërtëritë gjatë antikës së vonë, për të përfunduar në fund të kësaj epoke në një vendbanim të tipit vici (fshat).

Qyteti i Prilepit, aty ku ndodhet sot, ka filluar të ngrihet gjatë periudhës mesjetare, dhe gjatë kësaj kohe ka përjetuar dhe mbijetuar disa pushtete, duke filluar që nga Perandoria Bizantine, pastaj Mbretëria Bullgare, Mbretëria Serbe, dy herë ka rënë nën Despotatin e Epirit dhe një herë në atë të Nikesë. Sllavët në territorin e Prilepit arrijnë të vendosen gjatë mesjetës, më saktë pas shekullit VII, kurse toponimi i këtij qyteti për herë të parë shfaqet në vitin 1014, duke e shpjeguar atë me domethënie sllave. Gjurmë të pashlyera mbi qytetin e Prilepit ka lënë sidomos Perandoria Osmane, e cila me atributet e arkitekturës i ka dhënë këtij qyteti karakterin e një kasabaje të vogël. Si i këtillë, ky qytet mbijetoi shekuj me radhë, për të arritur në gjendjen në të cilën ndodhet sot.

Gjatë historisë, përveç që ka pësuar transformime arkitektonike, Prilepi ka ndryshuar edhe në aspektet tjera, sidomos në planin social dhe në atë etnik. Nga gjithsej 27 mëhallët e dikurshme, siç ka shkruar në vitin 1902 Jovan Haxhi Vasileviqi, 17 kanë qenë të krishtera dhe 10 turke (me siguri bëhet fjalë për familje myslimane), ndërsa sot pothuajse nuk ka mbetur gjë. Statistikat flasin se vetëm 8 % e popullatës në këtë qytet është myslimane. Në këtë qytet sot jetojnë vetëm disa familje shqiptare prej rreth 30 banorësh. Të dhënat për gjërat e tjera pastaj flasin vet. Në këtë qytet gjithçka është sllavizuar dhe ortodoksizuar.

Xhamitë e mbyllura

Duke qenë një mjedis me strukturë të përzier të popullatës, në qytetin Prilepit për shekuj me radhë kanë jetuar pranë njëri-tjetrit edhe objektet arkitektonike profane dhe ato të kultit të dy religjioneve, kishat dhe xhamitë. Në qendër të qytetit, edhe sot e kësaj dite, qëndron Çarshia e vjetër, por pamja e kësaj tërësie urbanistike ka ndryshuar dukshëm. Me zhvillimin e teknologjisë, si dhe në emër të modernizmit, disa segmente të Çarshisë janë ndryshuar në mënyrë të pakontrolluar, duke ia humbur pamjen autentike asaj. Në këtë kompleks arkitektonik, përveç hamamit turk, hamamit Tememele dhe gjurmët e Kurshumli-hanit, ekzistojnë edhe dy objektet më reprezentative të qytetit në fjalë. Ato janë: Çarshi-xhamia dhe Sahat-kulla.

Çarshi-xhamia daton që nga viti 1475. Ajo është ndërtuar nga Haxhi Huseini në kohën e Sulltan Mehmetit të Dytë – Pushtuesit. Kjo xhami, e cila është ndërtuar në stilin arkitektonik brusian, për nga forma e thjeshtë e saj bën pjesë në grupin e xhamive më të vjetra në hapësirat ballkanike. Kah fundi shekullit XVI dhe fillimi i shekullit XVII është ndërtuar një objekt me çardak të hapur. Aty njihen disa faza të ndërtimit të saj. Për fazën e parë të saj flet një mbishkrim në gjuhen turke me alfabet arab, në të cilin ndër të tjera mësohet edhe viti i ndërtimit të saj.

Edhe minarja me dy sherife e kësaj xhamie paraqet tipin shumë të rrallë të objekteve të kultit të arkitekturës islame të asaj kohe në Maqedoni. E ndërtuar në disa faza, ajo ngrihet mbi një bazament me formë poligonale, i cili arrin një lartësi prej 25 metrash.

Kur jemi tek objektet islame të kultit në Prilepit, duhet përkujtuar se në këtë qytet ekziston edhe një xhami tjetër e fillimit të shekullit XV – ajo është Xhamia e thyer (përkthimi i drejtpërdrejtë nga maqedonishtja!), e cila, po ashtu, i ka dyert e mbyllura për besimtarët islamë.

Kryqi mbi Sahat-kullë

Një objekt tjerë me interes është edhe Sahat-kulla në Prilep. Objektet e këtilla janë pasqyrë e kulturës dhe traditës profane islame në hapësirat e këtushme. Edhe sahat-kullat, që kryesisht janë ndërtuar në afërsi të xhamive ose brenda pronave të vakëfeve, veçanërisht Sahat-kulla e qytetit të Prilepit, është ndërtuar në oborrin e Çarshi-xhamisë.

Sahat-kulla është ndërtuar gjatë viteve 1825/26 nga Said Aga, e cila vetëm deri te pjesa e ndërtuar me blloqe gurësh është rreth 38.5 metra e lartë, kurse bashkë me shtyllat dhe konusin arrin deri në 55 metra lartësi. Gjatë viteve 1836-1897 është realizuar renovimi i saj, ndërkohë që në vitin 1858 është vendosur për herë të parë edhe ora e saj. Meqenëse pirgu i Sahat-kullës pat filluar dukshëm të shtrembërohet, në vitin 2012 filluan punimet e renovimit për stabilizimin dhe parandalimin e shtrembërimit të mëtutjeshëm të saj.

Nuk dihet me saktësi se kur në fakt ka filluar shtrembërimi i Sahat-kullës së Prilepit, por matjet kanë treguar se ajo është mënjanuar për 85 centimetra, Për herë të parë shtrembërimi i saj është vërejtur në një fotografi të vitit 1935, kurse gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit gjendja e saj është përcjellë në vazhdimësi dhe tani më disa vite ka filluar edhe riparimi dhe konservimi i saj .

Loja me kryqet në Maqedoni që mori dimensione të reja pas viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar, nuk i kurseu as objektet arkitektonike islame. Ndonëse sahat-kullat janë objekte me karakter profan, mbi ta sot qëndrojnë kryqet. Kështu ndodhi me Sahat-kullën në Manastir, dhe po të njëjtin fat e ka përjetuar edhe Sahat-kulla në Prilep. Me iniciativë të KOM-it (Kishës Ortodokse Maqedonase), në një atmosferë tejet euforike, që pasoi në fillim të instalimit të sistemit pluralist në Maqedoni, në vitin 1992 u hoq ylli i kuq pesëcepësh dhe mbi të u vendos kryqi në majë të Sahat-kullës në Prilep. Këtu duhet përkujtuar se vënia e kryqeve mbi objektet islame ka një histori më të moçme në Maqedoni. Kronikat flasin se kryqi i parë mbi Sahat- kullën e Prilepit është vendosur që në vitet 1913-1917, gjatë sundimit të Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene. Ndërkaq, pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë viteve të ‘50-ta të shekullit të kaluar, pushteti i atëhershëm komunist e hoqi kryqin dhe, në vend të tij, e vendosi një yll mirë me përmasa të sakta.

Në pjesën e poshtme të anës së kundërt të hyrjes ka një çezme, kurse mbi portën hyrëse ka një mbishkrim ku shkruan: “Jo gjithmonë rrahja e orës është treguese e kohës. Për kalimin e jetës dhe kohës, ora me keqardhje bërtet .. “Ah…”, “.

Përpjekjet e dështuara

Dhe, me të drejtë e ka përcaktuar funksionin e orës së Sahat-kullës ai që e ka formuluar tekstin e këtij mbishkrimi. Sidomos tani kur mbi Sahat-kullë qëndron kryqi ortodoks i vendosur viteve e të fundit dhe, aq më tepër, kur e shikon Çarshi-xhaminë të katandisur në atë gjendje. Kur e shikon atë xhami, ashtu vetvetiu të vjen ofshama “Ah…”. E lënë nën mëshirën e fatit, Çarshi-xhamia tani plot një dekadë e gjysmë është në një gjendje të mjerueshme. Që kur u dogj më 8 gusht të vitit 2001, asgjë nuk është ndërmarrë në drejtim të riparimit të saj. Më shumë është folur për të seç është bërë diçka konkrete.

Përderisa besimtaret islamë janë përpjekur që Çarshia-xhamia të rinovohet dhe asaj t’i kthehet funksioni parësor, zyrtarët maqedonas, përfaqësuesit e Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, dhe sidomos drejtuesit e pushtetit lokal të qytetit të Prilepit, kanë shpikur pa numër arsyetimesh dhe pengesash që kjo xhami të mbetet e papërdorshme dhe ë braktisur. Ajo sot rrezikohet nga shkatërrimi i plotë. Ndonëse janë ndërmarrë një mori aktivitetesh në nivel Parlamenti dhe të institucioneve përkatëse për tejkalimin e rastit të kësaj xhamie, por pa sukses.

Madje jo një herë është paralajmëruar gjoja për pajtimin e palëve për të filluar me renovimin e saj, por asgjë nuk duket nga realizimi i atyre projekteve. Nuk ka ndihmuar as edhe interesimi i autoriteteve zyrtare të Turqisë – ndonëse asokohe ish ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoglu, gjatë vizitës së tij të zhvilluar në Maqedoni pat porositur: “Ne jemi këtu që t’i mbështesim të gjitha përpjekjet e Republikës së Maqedonisë për rikonstruksionin adekuat të të gjitha këtyre veprave kulturore që janë nga periudha osmane“.

Faltore, jo, galeri

Fillimisht, zyrtarët maqedonas arsyetoheshin se, për shkak të situatës së tendosur politike (pasi që djegia e Çarshi-xhamisë lidhet me “rastin e Karpallakut” që ndodhi më 8 gusht të vitit 2001), nuk ekziston klimë e përshtatshme për të ndërmarrë ndonjë veprim në drejtim të rregullimit të xhamisë. Ndërkohë drejtuesit e Komunës së Prilepit këmbëngulnin që kjo xhami të jetë vetëm monument kulture dhe jo objekt kulti. Së fundmi është paralajmëruar se, pas rinovimit Xhamia e Prilepit do të ketë dy funksione, atë të faltores për besimtarët dhe galeri për nevojat kulturore të qytetit, ndërsa për këtë do të shfrytëzoheshin hapësirat administrative të xhamisë.

Duke pasur parasysh vlerat monumentale të kësaj xhamie, ajo që në vitin 1958 është shpallur monument i mbrojtur kulturor, dhe nuk paraqet kurrfarë problemi që kjo xhami të jetë e hapur edhe për vizitoret, por jo edhe të shërbejë si galeri. Kësaj xhamie duhet kthyer pa hamendje funksionin e faltores. Por, para se gjithash, do të duhej riparuar, restauruar dhe konservuar për t’iu rikthyer pamja autentike e saj.

Artikulli paraprakMaqedonia kërkon ndihmë nga Turqia për gjetjen e Elifit
Artikulli vijuesMuzalas: Të mos prishet marrëveshja BE- Turqi për refugjatët.