FFK-ja kërkon respektimin mes shumë injorimesh

0
359
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk ka asgjë rreth ardhjes së klubit të madh serb Cërvena Zvezda në Kosovë.
 
As kundër që të luajë me një skuadër kosovare të serbeve, Graçanica, siç është paralajmëruar për datën 4 maj.
 
Por, ajo është kundër që kjo ndeshje, e paralajmëruar si humanitare, të zhvillohet pa lejen e saj.
 
Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se nëse në FFK nuk shtrohet kërkesa për këtë ndeshje, atëherë do të pengohet zhvillimi i saj.
 
“Asnjë ndeshje në territorin e Kosovës nuk mund të bëhet pa lejen e Federatës së Futbollit të Kosovës, kështu që është absurde të luhet ajo ndeshje pa lejen tonë. Duhet që të bëhet kërkesa në Federatë e më pas të shqyrtohet nëse do ta lejojmë apo jo. Por, ndeshjet miqësore nuk mund t’ia ndalojmë askujt, por duhet që të bëhet kërkesë”, ka thënë Salihu, të mërkurën, transmeton Koha.net.
 
Ai nuk ka asgjë kundër kësaj ndeshjeje humanitare, por shton se “zoti i shtëpisë” duhet respektuar. Në fakt, klubi serb Graçanica bashkë me dhjetëra klube të tjera serbe të Kosovës, çdo fundjavë luajnë ndeshje zyrtare në rangjet e ulëta të Serbisë, pa lejen e FFK-së./Koha