Firdanja shkon me pasaportë në shkollë

Firdane Bardhi ndërron çdo natë librat e fletoret sipas orarit mësimor të ditës së nesërme, por në fund sigurohet se pasaporta është në xhepin e vogël të përparmë të çantës. E di se do të vonohet në orën e parë të mësimit nëse e harron dokumentin personal.

“Unë çdo herë e kam pasaportën në çantë”, thekson Firdanja.

Nuk mjafton uniforma shkollore nëse në pikën kufitare kosovare në Han të Elezit qëllojnë në ndërrim zyrtarë kufitarë që nuk kanë dëgjuar se fëmijët e lagjes Bardhi të Bllacës së Maqedonisë shkollohen në qytezën juglindore të Kosovës.

“Nuk domethënë se të kthejnë prapë, por nëse në kufirin e Kosovës janë policë serbë atëherë mund të kthejnë. Një herë më ka kthyer serbi”, kujton Firdanja, nxënëse e klasës së nëntë në shkollën fillore, “Ilaz Thaçi”.

Shokët e klasës së Firdanes, Hamzi Vila e Nehat Bardhi, nxjerrin pasaportat nga çantat teksa shfletojnë disa faqe me vula të Republikës së Kosovës që kanë legjitimuar hyrjen e tyre në territorin kosovar.

“Liberalizim” ndërmjet dy shteteve

Ekipi i gazetës ka shoqëruar të mërkurën në mesditë shtatë nxënës të Bllacës gjatë kalimit të pikës kufitare të Kosovës. Ka mjaftuar konfirmimi verbal “jemi nxënës” i njërës prej gjashtë vajzave në momentin kur polici kufitar hap dritaren e vogël të kabinës.

Askush nuk i legjitimon. Nxënësit thonë se kufitarët ua njohin edhe fytyrat, meqë kalojnë dy herë në ditë gjatë pesë ditëve të javës. /Koha Ditore/

Artikulli paraprakAgani: PD-ja ka mbrojtur vlerat e mirëfillta fetare
Artikulli vijuesTërmeti në Nepal: Gati 2,000 viktima – goditet edhe nga një tërmet tjetër i fuqishëm