Fjalë të shtrenjta

Fjalët që i kemi përzgjedhur në këtë artikull janë fjalë që i ka shkruar apo zgjedhur njëri prej dijetarëve të Medinës, Jahja ibën Ibrahim el-Jahja, i cili tërë jetën e tij ia kushton kërkimit të dijes, davetit, ndihmimit të muslimanëve në përgjithësi dhe ndihmimit të kërkuesve të dijes në veçanti. Nxënësit e dijes i ndihmon në çdo aspekt, por rëndësi të veçantë i kushton aspektit edukativ të tyre.
Fjalët që do t’i përmendim kanë të bëjnë me disa tema:

1. Kush është shoqërues i dashur dhe i respektuar?
Dijetari Jahja ka thënë: Njeriu për nga natyra është njeri shoqëror, ai mundet të jetojë dhe qetësohet vetëm nëse përzihet me njerëz. Mu për këtë burgu numërohet si një dënim që e urrejnë të gjithë njerëzit normal.
Shoqërues i dashur dhe i respektuar, me të cilin gëzohen njerëzit dhe nxitojnë të shoqërohen me të, është ai që është i zbukuruar me këto cilësi:
a. Dije të dobishme për njerëzit.
b. Sjellje të mirë, shpirtlehtë dhe që bën shaka e loja të bukura.
c. Nxiton t’i shërbejë shokët dhe bën gara në këtë.
d. Është fisnik, nuk i dhimbset pasuria e as personaliteti i tij.
Ai që nuk është i zbukuruar me këto cilësi le ta dijë se është i rëndë me njerëzit. Shoqërimi i tij me të tjerët është mirësjellje nga e cila vetë ai lodhet, e të tjerët gëzohen kur ai largohet.
2. Mirësi është ajo që ka zgjedhur Allahu, subhanehu ue teala.
Dijetari Jahja ka thënë: Allahu I Lartësuar është I Urti, I Dijshmi, I Buti “krijon dhe zgjedhë çka të dojë Ai”. Për robin e tij besimtar nuk cakton gjë pos të mirës, por shumë njerëz nuk e dijnë këtë realitet. Ashtuqë, mërzitet dhe nuk e duron atë që ia ka caktuar Allahu. E gjithë koha i kalon me lodhje, shpirtngushtësi dhe vonim në atë që pritet nga ai. Por, caktimi i Allahut është realitet dhe nuk ndërron.
3. Edukim në zgjuarësi të përhershme.
Dijetari Jahja ka thënë: Metodologjia e Resulullahut, salallahu alejhi ue selem, synon që muslimanin ta edukojë në zgjuarësi dhe disponim në çdo rast. Saqë edhe në çështjet e thjeshta të përditshme e ka urdhëruar p.sh. që veshjen e këpucëve ta fillojë me të djathtën ndërsa zhveshjen me të majtën, me këmbën e djathtë të hyjë në xhami, në shtëpi dhe të delë nga nevojtorja, ndërsa me këmbën e majtë të delë nga shtëpia, xhamia dhe kur të hyjë në nevojtore, e kështu me rradhë. Ka caktuar lutje të veçantë për çdo punë, na ka urdhëruar të shpresojmë shpërblim për çdo punë “Të gjitha veprat janë sipas nijetit”. Nëse njeriu, këto gjëra i ka parasysh si mund të jetë neglizhent. Pra, ne si musliman, si mund të jemi neglizhent?
4. Ëndja vrasëse
Dijetari Jahja ka thënë: Gjëja që më së tepërmi e lodhë njeriun, i shkakton probleme në jetë, i paraqet sëmundje nga më të llojllojshmet dhe ia prishë marrëdhëniet me njerëzit është pritja që të tjerët t’i kryejnë të gjitha të drejtat dhe obligimet fetare drejt tij. Nëna pret që fëmijët e saj t’i kryejnë të gjitha obligimet drejt saj, poashtu edhe babai. Si dhe, gruaja pret nga burri i saj. Ky është shkaku pse këta njerëz më së tepërmi kapen nga sëmundjet dhe i lodhë pleqëria. Jam çuditë nga njëri prej dijetarëve, të cilin nuk e respektoi robi i tij, të cilit i tha: “Sa i ngjashëm që je me zotëriun tënd, ti nuk e respekton zotëriun tënd, po edhe zotëriu yt nuk e respekton sa duhet Allahun”.
Njëri nga baballarët, të cilin jo që nuk e respektonin fëmijët e tij, por edhe e mundonin rëndë, sërish e shihja se kjo nuk e lodhte e as nuk sëmurej. Por, ky baba kishte krijuar bindjen në vetvete se ata ishin disa njerëz të huaj që e nëpërkëmbnin dhe me këtë u rehatua. Disa baballarë këtë lloj të fëmijëve i konsiderojnë si të çmendur, nga të cilët çdokush duhet të ketë kujdes. E nëse iu ndodhë diçka ata thonë: Unë i kam fajet, duhet të kem kujdes nga të çmendurit.
Një plakë e cila kishte mbi tetëdhjetë vjet më ka thënë: Kur nusja e cila gjendet në shtëpinë time e ngritë zërin, më fyen dhe përjetoj nga ajo moral të poshtër, atëherë unë e konsideroj veten të vogël e ajo është e madhja, dhe qetësohem.
Kam parë se njerëzit që më shumti i ka lodhur pleqësia janë ata që kanë pasur mbështetje të madhe në fëmijët e tyre, janë nervozuar me ata dhe kanë pritur respekt dhe ndihmesë të duhur.
Andaj, ta stërvisim veten secili prej neve për t’i duruar gabimet e të tjerëve, kushdo qoftë ai. Ta bëjmë këtë sepse kështu e mirëmbajmë vetveten.
5. Çdoherë imitatorë.
Dijetari Jahja ka thënë: A thua kanë humbur ndjenjat dhe janë ngurtësuar mendimet? Apo është pranuar ajo ideja që dëmton dhe vret çdo lloj reforme dhe zbulimi: “Të dytit i takon ajo që ka lërë i pari”?! Apo kjo është imitimi dhe frika nga reformat? Apo dëshira për rehati dhe mosaktivizimi i trurit për zbulim të metodave të reja për udhëzim dhe davet ishte ajo që, rezultoi në mbetjen e metodave të vjetra? Metodat tona nuk kanë ndërruar aspak brenda dy dekadave. Tani kanë dobi të vogla dhe ndikim të dobët. Vazhdimisht përsëriten saqë njerëzit janë mërzitur. Tanimë nuk janë duke luajtur rolin e duhur, siç ishte më herët.

Gjëja më e madhe që bëjnë disa nga ushtruesit e këtyre metodave është studimi i dobive dhe sasia e ndikimit të këtyre metodave. Poashtu bëjnë studimin se a kanë realizuar qëllimin apo jo?
Shumë nga ata që gjenden në fushë të davetit nuk njohin më shumë se libërthin, fletushkën dhe kasetën. Krahas kësaj, ata që kanë organizata ia shtojnë edhe ligjëratën, tribunën dhe ndonjë piknik.
O dashamirë, përveç kësaj a thua nuk kemi gjë? Pse nuk e luftojmë bllokimin e trurit dhe të fillojmë aktivizimin e tij për të zbuluar metoda të reja? Të pyesim veten: Sa na dëgjojnë neve dhe sa i dëgjojnë të tjerët? Pse sillemi-mbështillemi dhe hidhërohemi me thirrësit e këqinj, të cilët kanë vjelur shumë fëmijë tanë dhe ndalemi të mendojmë se si t’i pengojmë ata? Ndërsa, gjëja më e madhe, rreth të cilës mendojmë është të garohemi me ata, por ne, duke propaganduar të vërtetën, mirësinë, dritën dhe lumturinë e ata errësirën, sherrin dhe armiqësinë.
6. Pengesat në fillim.
Gjëja që më shumti ndërpren aktivitetin e atyre që dojnë mirësinë, davetin dhe përmirësimin dhe tek ata shkakton dëshprimin dhe këputjen e shpresave është se ata në fillim të çdo projekti përqëndrohen në pengesat para se të përqëndrohen në mundësitë e dhëna. Dikush projekton ndonjë projekt bamirës, i cili do të ketë nevojë për donacion të madh, gjë që nuk e posedon ky. Lodhet duke tubuar donacione, kalojnë ditë, muaj e ndonjëherë edhe vite të plota, ndërsa ky ende s’ka tubuar të hollat e duhura. Kur të sigurojë donacionin, atëherë projekti i tij veçse është vjetëruar dhe ka humbur ndikimin e tij sikur të realizohej menjëherë pas projektimit. Tanimë, do të kenë dalur projekte më të mira dhe më me ndikim.
Sikur ky person, të përdorte mundin e tij në projekte bamirëse që do të kishte mundësi t’i realizojë, do të kishte ndikim më të fortë dhe produkt më të madh. Si dhe do të fitonte kohën, të cilën e harxhoi gjatë tubimit të mjeteve të duhura për donacionin paraprak. E ndoshta do të mundej të hapë edhe shumë projekte nëse meditonte më tepër rreth mundësive që i ka në dispozicion.
Njëherë, u formua një grup prej pesë anëtarësh për të bërë një aktivitet bamirës, e shoku im menjëherë i kundërshtoi duke paraqitur pengesat në fillim, tha: Ky numër është shumë, si mund të tubohen dhe kur? I thash: Allahu të ruajtë, o vëlla, por pse fillon me pengesa dhe pesimizëm? Lëri le të punojnë njerëzit fillimisht, e nëse hasin në ndonjë vështirësi për tu tubuar, ata vetë e vlerësojnë problemin dhe vetë e zgjidhin.
Kështu pra, për shumë aktivitete bamirëse, ndonjëri paraqitet me këso fjalë: “Kam dronë”, “Duhet të shihet”, “Nuk do të pajtohet”, “Shumë rëndë”, “S’ka kush të të ndihmojë”, “Nuk kemi aq mundësi”, “Do të shkaktojë problem”…
Nuk kam për qëllim se duhet t’i mbyllim sytë nga rreziqet që i kanosen projektit. Qëllimi im është që gjërat të vlerësohen sa janë dhe të mos hiperbolizohen, si dhe të mos lejojmë që pengesat të ushtrojnë presion mbi mendjet tona për tu larguar nga puna.
7. Vetëm për vete
Disa njerëz, të gjithë koncentrimin, ambicjet dhe vështrimin i ka të koncentruara vetëm në veten e tij. E nëse ndodhë që të fletë edhe për diçka tjetër, këtë e bën sa për pjesëmarrje në bisedë dhe sa për t’i bërë qejf dikujt. Këtë lloj të njerëzve mund t’i vëresh se si çdoherë gjejnë arsyetime të ndryshme dhe të çuditshme pse nuk marrin pjesë në aktivitetet bamirëse dhe në aktivitetet që ndihmojnë në përhapjen e fesë tonë dhe mbrojtjen e saj. Ndërsa, e ka harruar plotësisht fjalën e Allahut, subhanehu ue teala: “Po njeriu është dëshmitar i vetvetes. Edhe nëse i paraqet arsyetimet e veta”.
8. Fama (reputacioni)
Çuditem me famën, me ata që e kërkojnë dhe me faktin se si nuk mund ta arrijnë ata që e kërkojnë, ndërsa u ofrohet atyre që ia kthejnë shpinën. Isha një ditë duke ecur me djalin tim, dhe para nesh ishin ca qenë që lehnin. Djali im, bëri një vrap drejt tyre dhe qentë u larguan. Pastaj, vazhduam të ecim dhe ja përsëri qentë, vinin pas nesh. Djalit i thash: A e pe këtë që ndodhi, edhe fama i përngjan rastit me qenin, kur të shkosh pas tij, ai ikë, e kur të ikësh prej tij, ai vjen pas.
Ka shumë shembuj të vjetër dhe bashkëkohorë për njerëz të cilët i kanë ikur famës por janë bërë të famshëm, dhe të tjerë të cilët kanë vrapuar pas famës, por nuk e arritën dot…
9. Gjërat që e pengojnë suksesin
Eja vëlla i nderuar, të meditojmë pak rreth disa lutjeve që na ka urdhëruar Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, t’i përsërisim pas çdo farzi. Lutje, me të cilat kërkojmë mbrotje nga disa gjëra të rrezikshme, të cilat numërohen si pengesa të rënda drejt mirësisë, shpëtimit dhe suksesit. Kam qëllim lutjet: “O Allahu im, kërkoj mbrojtje nga mërzia, dëshprimi, pamundësia, dembelia, borxhi i rëndë dhe nga mbisundimi i njerëzve”; “O Allahu im, kërkoj mbrojtje nga koprracia, mbrojtje nga frika, mbrojtje që të kthehem në moshë të dobët, mbrojtje nga sprovat e dunjasë dhe kërkoj mbrojtje nga dënimi në varr”.
10. Vepra ka aq sa ka ambicje.
Tregohet se Malik ibën Dinari ka thënë: “Gjoksat e besimtarëve vlojnë nga punët e mira, ndërsa gjoksat e të prishurve vlojnë nga punët e këqija. Binduni se Allahu i di ambicjet e juaja, prandaj kujdes se çfarë ambicje keni”.
përshtati: Omer Berisha

Artikulli paraprakKORAL-i turk mashtron avionët rusë, po i bën ata t’i godasin Basharin dhe YPG
Artikulli vijuesDiktatori feston ditëlindjen në luks, populli nuk ka bukë